Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: kur themi se Zoti nuk ekziston, pyesim për Të

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet eksponentëve të botës së kulturës në Collège des Bernardins, Paris, më 12 shtator 2008

R.SH. – Vatikan

Një Zot, vetëm i menduar, ose deri i shpikur, natyrisht, nuk është Hyj – pati thënë Papa Benedikti XVI në vitin 2008. Nëse Ai i Lumi nuk duket me iniciativën e vet, ne nuk arrijmë ta shohim e as të kuptojmë se ekziston vërtet. Risia e kumtit të krishterë është mundësia për t’u thënë tani të gjithë popujve: Ai iu dëftua botës në Jezu Krishtin. Ai vetë, personalisht! E tani, udha drejt Tij është e hapur.

Risia e kumtit të krishterë nuk është ndonjë mendim a ide, por një fakt: Zoti u dëftua. E ky nuk është fakt i fshehtë, por një fakt që, në vetvete, është Logos për të cilin flet Ungjilli – prani e Arsyes së përjetshme, që u bë njeri. “Verbum caro factum est”, pohohet në Ungjillin sipas Gjonit (1,14). Pikërisht kështu: Logos (Fjala e Hyjit) është bërë fakt i dukshëm, është i pranishëm mes nesh. E fakti është i arsyeshëm, pra, mund të kuptohet përmes arsyetimit. Sigurisht, nevojitet gjithnjë përvujtëria e arsyes për ta kuptuar e për ta pranuar; nevojitet përvujtëria e njeriut, që i përgjigjet përvujtërisë së Zotit.

Situata jonë, në ditët e sotme, për shumë aspekte, është e ndryshme nga ajo që gjeti shën Pali apostull në Athinë e, megjithatë, pavarësisht nga ndryshimet, në disa gjëra është edhe tejet e ngjashme. Qytetet tona nuk janë më plot me “are”, pra, me monumente kushtuar zotave e plot me imazhe hyjnish të shumëllojshme. Për shumë prej bashkëkohësve tanë, Zoti është kthyer vërtet në të Panjohurin e madh. Por ashtu si dikur, në Athinë, pas imazheve të shumta të zotave fshihej e bëhej e pranishme pyetja rreth Zotit të panjohur, ashtu edhe mungesa aktuale e Hyjit në shoqëritë e sotme ngre vazhdimisht, heshtazi, por me këmbëngulje, pyetje që kanë të bëjnë me Të.

Quaerere Deum – të kërkosh Zotin e ta lejosh Atë të të gjejë: kjo, sot, nuk është më pak e nevojshme së në kohët e kaluara. Një kulturë thjesht pozitiviste, që ia beson gjithçka vetëm shkencës dhe e zhduk pyetjen rreth Zotit nga fusha subjektive, duke e quajtur si jo shkencore, do të ishte kapitullim i arsyes, heqje dorë nga mundësitë e saj më të larta, pra, do ta bënte humanizmin të perëndojë krejtësisht, me pasoja që mund të jenë shumë të rënda. Çka është në themel të kulturës së Evropës, kërkimi i Zotit dhe gatishmëria për ta dëgjuar, mbetet edhe sot baza e çdo kulture të vërtetë.

16 shkurt 2023, 11:39