Ukraina, Domenikanët: t'i kërkojmë Zotit forcën për të shërbyer
R.SH. / Vatikan
Mëkëmbësi provincial i Domenikanëve, At Jaroslaw Krawiec, kujton vizitën e fundit të kardinalit Krajewski për Krishtlindje dhe ndihmën që u çoi kongregata i tij të prekurve nga konflikti: “Nuk e kisha menduar kurrë se do të gjendesha në këtë situatë, derisa e ndjeva se ky ishte vendi im. Lufta më lidhi me këtë vend”.
Për domenikanët që kryejnë shërbesën e tyre në Ukrainë, Krishtlindja e kaluar ishte si për të gjithë ukrainasit: e vështirë nga njëra anë, për shkak të luftës, e nga ana tjetër, çast i shumëpritur, sepse Lindja e Krishtit u sjell besimtarëve shpresë dhe u forcon besimin. At Jaroslaw Krawiec, zëvendës-provincial i Urdhrit të Predikatarëve, në Ukrainë, në një intervistë për mediat e Vatikanit, pohon: "Këtë vit festuam në një mënyrë të veçantë në Fastiv, qytet afër Kievit, ku kemi kuvendin, famullinë dhe Qendrën e Ndihmës Humanitare të Shën Martinit de Porres”. Ajo që e bëri gjithçka më të bukur - kujton - ishte prania e kardinalit Konrad Krajewski, i cili pranoi t’i festonte me ne Krishtlindjet.
Kur domenikani dhe lëmoshtari i Papës ishin në Fastiv - një qytet me probleme për dritën dhe energjinë elektrike, si shumë qytete dhe fshatra të tjera - qe e nevojshme të ndizeshin gjeneratorët. “Ne jemi mësuar me këtë - nënvizon regulltari - por mendoj se për mysafirin kjo situatë shërbeu që t’i kuptonte më mirë të gjithë, jo vetëm etërit dhe murgeshat domenikane, por të gjithë njerëzit që duhet të përballen çdo ditë me këto probleme".
Kardinali Krajewski me domenikanët, vullnetarët e me refugjatët
Në prag të Krishtlindjes, kardinali Krajewski u ul në sofrën e etërve domenikanë, së bashku me vullnetarët, por edhe me refugjatët, për të cilët besimtarët kujdesen që nga fillimi i luftës. Më vonë, gjatë meshës, kardinali mbajti një predikim që, sipas At Jaroslaw, i emocionoi besimtarët. “Ai shprehu bindjen - kujton domenikani - se Jezusi, po të kishte lindur tani, do të kishte lindur këtu, në Ukrainë. Kur i shikova të pranishmit, pashë lot në sytë e tyre: fjalët e kardinalit kishin prekur zemrat. Ai solli edhe përshëndetjet e Papës Françesku për të gjithë ne, duke na siguruar se Ati i Shenjtë është shumë pranë nesh, se është i shqetësuar për ne. Dorëzoi, më pas, edhe një rruzare, dhuratë nga Ati i Shenjtë, e cila iu dhurua menjëherë një prej familjeve të vullnetarëve, që ndihmojnë në shtëpinë e Shën Martinit të Porres, në Fastiv”. Një rruzare që iu dorëzua sakaq njëres nga familjet e vullnetarëve e që kardinali Krajewski na kujtoi se nuk duhet të mbetej dhuratë nga ato që disa e marrin dhe e mbajnë si objekt muzeu. “Duhet të na ndihmojë në lutje”, tha kardinali, e Atë Jaroslaw shton se ajo rruzare i dha shtytje fillimit të një nisme lutjeje, në famullinë e Fastivit.
Lëmoshtari i Papës e kaloi natën në kuvendin domenikan. At Jaroslaw shpjegon se struktura përbëhet nga shtëpi të vogla, dhuruar kongregacionit tridhjetë vjet më parë nga një prej shoqërive polake të ndërtimit, e cila u largua pas përfundimit të punës në atë zonë. Shtëpi që, të paktën fillimisht, nuk ishin shumë të përshtatshme për banim afatgjatë, por që më vonë u meremetuan. "Ishte gëzim i madh për ne që takuam një njeri, i cili u shërben nevojtarëve në mënyrë vërtetë ungjillore. Pamë në të një shenjë të afërsisë së Atit të Shenjtë”.
Forca për të vazhduar
Për rregulltarin domenikan, vizita e lëmoshtarit papnor ishte shumë e rëndësishme dhe e nevojshme jo vetëm për njerëzit që i kujdesin rregulltarët, për shembull refugjatët, por mbi të gjitha për veten e tyre dhe për vullnetarët, që i ndihmojnë. “Ishte gjë e bukur të lutesha së bashku me kardinalin,” thotë ai. “Ai hyri në kishë, u ul dhe rrëfeu njerëzit, vullnetarët tanë, të cilët donin të merrnin Sakramentin para Krishtlindjeve: në një mënyrë krejtësisht të papritur, të gjithë patën mundësinë ta bënin këtë me kardinalin Krajewski. Një aspekt shumë i rëndësishëm: njerëzit që sakrifikojnë veten, që ofrojnë jetën e tyre për të tjerët, duhet të forcohen në besimin e tyre. Ne nuk prisnim që mbështetja të vinte në këtë mënyrë, për ne ishte një shenjë se hiri i Zotit është vërtet me njerëzit që ndihmojnë të tjerët”.
Të ndihmojmë njerëzit, që ikin nga lufta
Gjatë luftës, etërit domenikanë, të cilët shërbejnë në gjashtë vende të ndryshme në Ukrainë, i ndihmojnë njerëzit në mënyra të ndryshme. Njëra prej tyre është ndihma humanitare. Më 6 janar u përurua Shtëpia për Familjet e Zhvendosura në Fastiv. Ajo u bekua nga nunci apostolik në Ukrainë, Kryeipeshkvi Visvaldas Kulbokas. Atë Jaroslaw kujton se që nga viti 2019 besimtarët kanë kërkuar një vend ku mund t'u shërbenin njerëzve me nevoja të ndryshme, të moshuarve, të sëmurëve, të varfërve. Falë ndihmës së administratës vendore, u bë i mundur përdorimi i godinës së ish-spitalit, ku në vitin 2020 nisën punimet e rindërtimit. Kur shpërtheu lufta në shkallë të gjerë, u kuptua shpejt se shtëpia do të përdorej për refugjatët, duke pasur parasysh se sa njerëz po humbisnin shtëpitë e tyre. Falë ndihmës së dashamirësve, puna në katin e parë të ndërtesës përfundoi dhe pothuajse pesëdhjetë njerëz nga vise të ndryshme të Ukrainës - nga Bakhmut, Pokrovsk, nga rrethinat e Kharkiv, u mirëpritën. Domenikanët vazhdojnë të punojnë për të përfunduar sa më shpejt meremetimin e dy kateve të tjera të godinës dhe të ofrojnë ndihmë për më shumë njerëz, njëherësh me mundësinë, sa më shumë që të jetë e mundur, për një jetë të qetë.
Për më tepër, domenikanët çojnë ndihma humanitare në vendet më të prekura nga lufta. Kohët e fundit vizituan Kharkiv, Izyum, Balaklia. Disa herë shkuan edhe në Kherson. Pas çlirimit të territoreve të rajonit të Kievit, ata ndihmojnë në mënyrë aktive banorët e zonës Fastiv, e cila u shkatërrua gjatë sulmeve të ushtrisë ruse. Fastivi, i vendosur 70 km në juglindje të Kievit, u kursye nga ky fat.
Studimi për të rinjtë, pavarësisht nga lufta
Një tjetër shërbim që kryejnë etërit domenikanë në Ukrainë, është drejtimi i Institutit të Studimeve Fetare të Shën Tomës së Akuinit në Kiev. “Mendoj se edhe ky është mision shumë i rëndësishëm” - vëren provinciali - sipas të cilit “detyra e Kishës në kohë lufte nuk është vetëm të ndihmojë dhe të ofrojë ndihmë humanitare, por edhe të mësojë dhe të dëshmojë të vërtetën". Unë vetë - pranon ai - “u çudita kur në shtator të këtij viti u regjistruan shumë studentë të rinj. Disa thanë: 'Me ndihmën tuaj ne duam të kuptojmë se çfarë po ndodh tani në Ukrainë, çfarë po ndodh në botë'. Në rrethana lufte - pohon Atë Jaroslaw - procesi arsimor është i ndërlikuar: formimi zhvillohet si online, ashtu edhe ballë për ballë, kështu që edhe studentët që janë jashtë vendit mund të vazhdojnë studimet. Instituti i Shën Tomës së Akuinit tani po përjeton të njëjtat vështirësi, si të gjitha institucionet arsimore në Ukrainë: shpesh nuk ka dritë, nuk ka internet, ndonjëherë disa mësues nuk mund të lidhen, herë të tjera studentët humbasin lidhjen. “Por ne po përpiqemi t’i kapërcejmë këto vështirësi – siguron At Jaroslaw – rëndësi ka që të rinjtë të vazhdojnë studimet, sepse pavarësisht nga lufta, duam të mendojmë edhe për të ardhmen. Dhe kjo është një nga përgjigjet që i jep Urdhri ynë dhe Kisha Katolike kësaj situate”.
Të jesh pranë njerëzve
“Gjëja kryesore tani është të jemi me njerëzit: si vëllezër, si meshtarë, si ata që sjellin fjalën e mirë, fjalën e Ungjillit, e sidomos, Jezu Krishtin në Sakramentet e Kishës” - pohon sërish meshtari, duke përmbledhur zemrën e misionit të tyre gjatë luftës. “Sigurisht që edhe ndihma humanitare është tejet e rëndësishme. Ne marrim shumë ndihmë nga vëllezërit dhe motrat tona domenikane anembanë botës. Ata shohin se falë nesh, që jemi këtu në Ukrainë, mund t’i ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga lufta”.
Në shërbim të të gjithëve
Kanë mbetur pak njerëz në Ukrainë që kujtojnë Luftën II Botërore. Për shumicën e ukrainasve, përvoja e një konflikti të kësaj përmase është e pashoqe. "Nuk e kisha menduar kurrë se do të jetoja në kushte lufte, por që në fillim - rrëfen Atë Jaroslaw - e ndjeva se ky ishte vendi im, edhe pse nuk jam ukrainas, por polak. Dhe sado paradoksale të duket, kjo luftë mund të thuhet se më ka lidhur edhe më shumë me Ukrainën, ku shërbej si domenikan, si meshtar. Kjo situatë sigurisht që më nxit t’i bëj vetes pyetje të ndryshme. Ndonjëherë ndjej pasiguri, frikë për të ardhmen, por nga ana tjetër, e ndjej edhe më shumë hirin e Zotit, forcën që vjen prej Tij". Prandaj - vazhdon rregulltari - "duke vërejtur veten dhe vëllezërit e motrat e mia domenikane, shoh një guxim të madh, një gatishmëri të madhe për të qëndruar thjesht pranë këtyre njerëzve, për të shërbyer, për t’u dhuruar veten, jetën, kohën, forcën, gjithçka që kemi, atyre që kanë nevojë tani, pavarësisht nëse janë katolikë apo jo besimtarë. Për këtë foli edhe kardinali Krajewski kur ishte mes nesh e predikoi gjatë Meshës së Krishtlindjes. Ai kujtoi fjalët që Jezusi ua përsërit të gjithë njerëzve: 'Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të lodhur dhe të shtypur'. Domethënë iu drejtua të gjithëve, jo vetëm besimtarëve apo katolikëve. Dhe mendoj se shërbimi ynë si Kishë, sidomos tani, në kushte lufte, duhet t’u drejtohet vërtet të gjithëve”.