Kërko

8 lumnitë ungjillore 8 lumnitë ungjillore

Të meditojmë me Ungjillin: “Lum skamnorët në shpirt…”

Kur sheh se lumturia e njeriut është kalimtare e kërcënohet gjithnjë edhe nga sfida më e vogël, kur ndihesh i varfër, kur dështimet e jetës të paralizojnë mendje e shpirt, dëgjoje këtë premtim të madh të Zotit: pikërisht ti do të ngushëllohesh prej tij, do të ushqehesh, do ta shohësh Hyjin... Premtimi i lumnive është zemra e fesë së krishterë

R.SH. - Vatikan

Lum skamnorët para Zotit… Ç’mesazh! Duhet ta lejojmë Zotin të na mbushë plot me praninë e tij, sepse na do pavarësisht nga varfëria e kufizimet tona. Lajmi i Mirë i Jezu Krishtit pasqyrohet në lumnitë e Ungjillit sipas Mateut të kësaj së diele të katërt (4-të)të vitit liturgjik 'A'. Do të ishim të lum, nëse do të ishim në gjendje t’i ndjekim këto fjalë të kreut 5 (1-12). Nëse do të donim të tjerët e do të kishim besim në Hyjin, si Jezusi! Ndoshta, atëherë, shumë njerëz, të cilët jeta i ka hidhëruar e i ka mbyllur në vetvete, njerëz që dështimet e shumta i kanë bërë ta humbasin besimin në Zotin dhe në të tjerët, do të fillonin sërish ta shikojnë me shpresë mirësinë hyjnore dhe të besojnë në premtimet e Hyjit, sepse do t’i vërenin në mirësinë dhe në qëndrimet njerëzore. Të ndjekim pjesën ungjillore nga Mateu, që njihet si Fjalimi i Jezu Krishtit në mal

Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!

Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!

Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

Të lutemi së bashku

Nuk mund ta fshehim, o Jezus:

kjo bota jonë duket se është

në dorën e pasanikëve dhe të fortëve,

të dinakëve, të skuthëve, të dhunuesve,

të atyre, që, në një mënyrë a në tjetrën,

arrijnë t’u imponohen

të butëve dhe të pastërve në shpirt.

 

Gjithçka duket se ngre në qiell

ata, që arrijnë

suksesin e konsensusin

me çdo mjet e me çdo mënyrë.

Ja përse, o Jezus, na bëjnë

vërtet përshtypje të çuditshme

fjalët që shqipton në mal.

Tundohemi të themi se janë

tepër të bukura për të qenë të vërteta,

aq sa na duken si mirazh,

një iluzion, pas të cilit vjen

vetëm vetëdija për realitetin e hidhur.

 

Në fund të fundit,

siç thotë fjala popullore:

“kjo botë e gjerë e gjatë,

do të vejë siç ka vatë”…

E, megjithatë, Ti sot na kërkon

ta shohim historinë me sytë e tu

e të kemi besim tek Ti, o Krisht i Ringjallur,

sepse historia jote na dëshmon të gjithëve

se vetëm Zoti i udhëheq ngjarjet njerëzore:

Ti, i varfri, i buti, i persekutuari,

nuk u braktise në duart e vdekjes

e hyre në lavdinë e Hyjit.

28 janar 2023, 09:22