Të meditojmë me Ungjillin: ky është Biri im i dashur
R.SH. - Vatikan
Në solemnitetin e Pagëzimit të Zotit, pjesa ungjillore marrë nga kreu 3 sipas Shën Mateut (13-17) kujton çastin kur Jezu Krishti i kërkon shën Gjonit ta pagëzojë, pavarësisht se nuk ka nevojë për pendesë, pasi pa mëkat. E pikërisht aty, fillon misioni i Shëlbuesit të njerëzimit. Të ndjekim Ungjillin…
Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” Por Jezusi i përgjigji: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.” Atëherë e lejoi. Fill pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!”
Të lutemi së bashku
Fillon misioni yt, o Krisht:
prandaj erdhe,
prandaj u bëre njeri,
prandaj jetove për vite me radhë
në një fshat të vogël, pa famë.
Misioni yt fillon
pikërisht këtu, në Jordan,
ku Gjon Pagëzuesi i fton njerëzit
pa pushim, ta ndryshojnë jetën
që të mund ta pranojnë Dhuratën e Zotit.
Përzier me turmën e atyre
që e dinë se janë mëkatarë,
që presin diçka e dikë,
që guxojnë t’u besojnë premtimeve të Zotit,
Ti fillon predikimin
e atë kontakt të përditshëm me njerëzit,
bërë me gjeste e fjalë,
me dhembshuri e mëshirë,
ndërprerë brutalisht më pas
nga dhuna e një dënimi të padrejtë.
Misioni yt, o Krisht, fillon
me forcën e Shpirtit Shenjt,
që zbret në formën e pëllumbit,
me zërin e Atit, që zbulon
identitetin tënd, si Biri i tij i dashur,
gati të realizojë
planin e shëlbimit.
Misioni yt, o Krisht, fillon
pa rezerva e pa privilegje,
me pagëzimin në lumin Jordan
me zhytjen në atë ujë
e me zhytjen e plotë në histori,
për të marrë pjesë
në sëmundjet e në dramat tona.