Kërko

1654524000629.JPG

Sulm në një Kishë të Nigerisë, rrëmbehet një katekist

Quhet Kefas Ishaya, katekisti i rrëmbyer. U tërhoq zvarrë ndër shkurre nga një grup kriminelësh, të cilët mbrëmë sulmuan kishën katolike të Shën Monikës në Ikulu-Pari, shteti i Kadunës. Banditët po kërkonin famullitarin Joseph Shekari, edhe ai i rrëmbyer më 6 shkurt 2022, në të njëtën mënyrë, në atë kohë jashtë vendbanimit.

R. SH. - Vatikan

Përsëri rrëmbim i dhunshëm! Në Nigeri nuk ka paqe! Një katekist rrëmbehet nga banditët që, me sa duket, synonin të rrëmbenin famullitarin e kishës katolike të Shën Monikës, Ikulu-Pari, në atë kohë, në Kryesinë Chawai të qeverisë lokale të Kauru, në shtetin e Kaduna, në pjesën veri-qendrore të Vendit.

E kapën dhe e zvarrisën në shkurre

Sipas Agjencisë Fides, kriminelët e sulmuan mbrëmë, 19 janar, banesën e famullisë së At Joseph Shekari. Pasi qëlluan në ajër, nisën të kontrollonin godinat e kompleksit të famullisë, kishën, shkollën dhe banesën e famullitarit, në kërkim të priftit, i cili ishte jashtë fshatit. Duke përdorur gurë dhe plumba për të thyer derën kryesore, banditët hynë menjëherë në shtëpi, ku nisën sakaq plaçkitjen, duke lënë pas një mori gjurmësh. "Kontrolluan nën shtretër, në gardëroba, në banja dhe në kuzhinë" - tregojnë dëshmitarët, sërish sipas Fides. Në mungesë të priftit, kapën katekistin Kefas Ishaya, i pranishëm në ato çaste dhe e tërhoqën zvarrë në mes të shkurreve.

Famullitari qe rrëmbyer vitin e kaluar

Atë Jozef Shekari, famullitari që i shpëtoi pritës kësaj radhe, qe rrëmbyer më 6 shkurt të vitit të kaluar, në të njëjtën mënyrë. U lirua më pas, më 7 shkurt. Gjatë sulmit, u vra një kuzhinier, që punonte në shtëpinë e famullisë.

Shteti Kaduna është një nga zonat e Nigerisë më të prekura nga vala e dhunës, që po mbjell vdekjen dhe shkatërrimin me një ritëm të pakontrolluar. Bandat kriminale bastisin fshatrat, vjedhin bagëti, plaçkitin dhe vrasin njerëz. E të krishterët janë ndërmjet atyre, që paguajnë haraçin më të lartë.

20 janar 2023, 16:57