Kardinali i Kinshasës Ambongo,: kjo vizitë e Papës në Kongo është një dhuratë
R.SH. / Vatikan
Kryeipeshkvi i Kinshasës, Kardinali Fridolin Ambongo Besungu, pak orë pas mbërritjes së Papës në Republikën Demokratike të Kongos, bëri një apel ''të gjithë njerëzve, popullit , shoqërisë civile, Kishave katolike dhe protestante në Kongo që ngritën në këmbë, të ngrehin kokën e të veprojnë në mënyrë që të ndalet dhuna, veprat çnjerëzore që shkatërrojnë krijimin dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet” në vend.
''Ditët që do të vijnë - shkruan kardinali në fjalimin e tij të botuar në të përditshmen e Selisë së Shenjtë l‘Osservatore Romano - do të jenë të vështira. Vendi ynë është shkatërruar prej vitesh për arsye ekonomike dhe gjeostrategjike. Bota nuk mund të heshtë më përballë këtyre tragjedive njerëzore.
Episkopati i Kongos ka luajtur gjithmonë një rol profetik në Republikën Demokratike të Kongos. Rreziku i “ballkanizimit” të vendit tonë ka qenë gjithmonë një temë që ipeshkvijtë kongolez e kanë trajtuar në takimet e tyre. Tani, me rilindjen e konflikteve në lindje të vendit, veçanërisht me M23, kemi një frikë të bazuar në fakte se vendi ynë mund të ndahet në shtete të vogla. Në të vërtetë, momenti aktual është tejet vendimtar e serioz në Kongo''.
Kryeipeshkvi Kardinali Fridolin Ambongo Besungu thotë se është "veçanërisht i lumtur që sheh se vizita e Papës ka nxitur një bashkëpunim të virtytshëm ndërmjet komuniteteve të vogla ku harmonia nuk mbretëronte, në të gjitha dioqezat e vendit, në të gjitha qytetet e mëdha, kishte komitete jo vetëm katolike, por edhe protestante, të formuar nga të gjithë burrat dhe gratë vullnetmirë që e dinë se kjo vizitë apostolike e Papës është një dhuratë për vendin dhe popullin e tij. Ne, populli kongolez, kemi për detyrë ta kujtojmë këtë ditë.
Fakti është se ngjarja që po kremtojmë sot është gjithashtu, pjesërisht, në origjinën e ndryshimit urgjent që ne kongolezët duhet të bëjmë për ti përballuar vështirësitë tona aktuale.
Ndryshe nga vendet fqinje, pavarësia e Kongos, e arritur më 30 qershor të 1960, ka qenë një pavarësi më shumë e ëndërruar se sa mendohej: ndërsa të tjerët reflektonin mbi kuptimin e pavarësisë dhe përgatitnin popullsinë për pasojat e saj, ne në Kongo e ëndërronim pavarësinë me emocion, pasion, irracionaliteti, deri në atë pikë sa kur erdhi momenti nuk e dinim se çfarë do të ndodhte të nesërmen. Pasojat janë ende të dukshme sot: ne duhet të rindërtojmë paqen duke filluar nga vëllazërimi, nuk mund të mendojmë e synojmë gjëra të mëdha nëse nuk e ndjejmë dhimbjen e plagëve të shkaktuara nga kjo klimë urrejtjeje''.