Masakra në RD të Kongos, Balestrero: presim Papën për të na i shëruar plagët
R.SH. – Vatikan
Dega e Isis-it në Afrikën Qendrore, Iscap, mori dje përsipër përgjegjësinë për shpërthimin e një bombe në një kishë pentekostale në Republikën Demokratike të Kongos, që shkaktoi të paktën 17 të vdekur dhe mbi dyzet të plagosur. Xhihadistët kërcënuan se do të vijojnë sulmet. Më 31 janar, në këtë vend do të shkojë Papa Françesku, i cili, gjatë shtegtimit të tij apostolik, do të vizitojë edhe Sudanin e Jugut. Imzot Ettore Balestrero, nunc apostolik në Kongo, analizon kuadrin shoqëroro-politik të rajonit dhe flet mbi përgatitjet për vizitën papnore.
Cili është sinjali, që deshi të japë Isis me sulmin kundër kishës së krishterë?
Sinjal shqetësues, edhe pse konfirmon zhvillimet e gjendjes në terren. Pikërisht për këtë do të jetë shumë i rëndësishëm takimi i Papës me viktimat e Lindjes së vendit. Duhet thënë se në të vërtetë sulmet janë dy. Njëri, në kufirin me Ugandën, në një tempull pentekostal: pamjet, që më dërguan, përshkruajnë një ferr të vërtetë. Trupa të gjymtuar të rriturish e fëmijësh; ndërtesa gjysmë e shkatërruar. Në të njëjtën ditë, ndodhi edhe një sulm në Beni, në një treg qendror, i cili ndodhet në një nga pikat më të sigurta të qytetit. Edhe në këtë rast, ka njerëz që besojnë se përgjegjës janë të ashtuquajturat ADF (Forcat Aleate Demokratike), të cilat e kanë dashur këtë si provë force dhe terrori. Por, ka edhe nga ata që besojnë se ka pasur një bashkëpunim me forcat e sigurisë lokale, hipotezë që nuk e përjashton tjetrën. Gjithsesi, do të thosha se paqja në Lindje është ende larg. Jemi në një provincë si Kivu e Veriut, e cila është në gjendje shtetrrethimi që prej më se një viti e situata është keqësuar. Fatkeqësisht, Forcat Aleate Demokratike po forcohen dhe më duket se janë përfituesit kryesorë të konfliktit të vazhdueshëm më në jug, rreth Gomës, me M23-shin. Sulmi kundër kishës pentekostale tregon se ata kanë fituar ndikim të madh në Butenbo, një qytet i madh pranë Kasindit. Fakti që e morën përsipër atentatin dëshmon edhe se lidhjet ndërmjet ADF-së dhe ISIS-it po konsolidohen, metodat e sulmeve ngjajnë gjithnjë e më shumë dhe kjo cënon sigurinë rajonale dhe atë të popullsive, viktima të vazhdueshme të masakrimeve.
Cila është përgjigjja e Kishave të krishtera nga pikëpamja ekumenike?
Do të thosha, bashkëpunimi i shkëlqyer. Atentati ndodhi në një tempull, që i përket Kishës së Krishtit në Kongo. Me këtë organizatë, e cila bashkon besime të ndryshme protestante, kemi një bashkëpunim të madh, edhe për të nxjerrë në dritë se ka një problem, në bazën e konflikteve: është fjala për pasurinë e nëntokës së Lindjes. Është arsyeja themelore për rëndësinë e saj strategjike dhe është shkaku kryesor i ekonomisë së luftës. Edhe për përgatitjen e vizitës së Papës kemi bashkëpunim ekumenik: ata do të ftohen, për shembull, në takimin e Françeskut me disa të shpërngulur, një pjesë e të cilëve nuk janë katolikë. Përpiqemi së bashku të ndihmojmë në zhvillimin demokratik të vendit.
Si po shkojnë përgatitjet për vizitën e Papës dhe cilat janë masat paraprake?
Më e fundit është ajo, që e tha vetë Papa pak ditë më parë: fillimisht ishte planifikuar që të shkonte edhe në Goma, tani nuk është e mundur. Këto javë nuk është e lehtë të shkosh atje. Përpjekja për sigurinë dhe rendin publik është gjigante: mjafton të themi se priten 2 milionë njerëz në meshën që Papa do të kremtojë në Kinshasa. Çdo javë, takoj kryeministrin dhe kreun e kishës lokale. Është bërë shumë... Ka edhe histori të bukura: për shembull, mund të tregoj për një djalë që ndjek meshën çdo të diel këtu në nunciaturë. Ishte i interesuar për vizitën e Papës dhe jo më larg se dje, më kërkoi të merrte të gjitha sakramentet e fillimit të jetës së krishterë. Ky më duket qëllimi kryesor i vizitës: të ngjallë fenë tek ata, që nuk e kanë dhe të përforcojë gëzimin e fesë tek ata, që e jetojnë. Shumë thonë se vizita e Papës është një ëndërr, që bëhet realitet. I gjithë vendi pret një fjalë ngushëllimi, që t’i shërojë plagët, të cilat, fatkeqësisht, ende rrjedhin gjak, sidomos në Lindje të Kongos.