Kërko

Vizita baritore e imzot Kullit në famullitë e Nënshatit dhe Hajmelit

“Të ecim së bashku” kjo tema që Imzot Simon Kulli , ipeshkëv i Sapës, ka zgjedhur për vizitat baritore në famullitë e Kishës dioqezane, për të punuar dhe shërbyer në harmoni të plotë me Hyjin dhe njëri – tjetrin. Gjatë këtij viti 2023, Imzot Kulli ka lajmëruar klerin dhe asamblenë dioqezane se do të zhvillojë vizitën e parë baritore në dioqezën e tij të Sapës. Kështu, kjo nismë filloi nga famullia e Shën Mëhillit në Nënshat dhe ajo në Hajmel

R.SH. / Vatikan

Të ecim së bashku” kjo tema që Imzot Simon Kulli , ipeshkëv i Sapës, ka zgjedhur për vizitat baritore në famullitë e Kishës dioqezane, për të punuar dhe shërbyer në harmoni të plotë me Hyjin dhe njëri – tjetrin. Gjatë këtij viti 2023, Imzot Kulli ka lajmëruar klerin dhe asamblenë dioqezane se do të zhvillojë vizitën e parë baritore në dioqezën e tij të Sapës.  Kështu, kjo nismë filloi nga  famullia e Shën Mëhillit në Nënshat dhe ajo në Hajmel, po më hollësisht nga Vau/Dejës të ndjekim njoftimin e Violeta Marashit:

Nga Vau/Dejës të ndjekim njoftimin e Violeta Marashit

VIZITA BARITORE E IMZOT SIMON KULLIT  NË NËNSHAT

Që në fillim të këtij viti 2023, Imzot Simon Kulli lajmëroi të gjithë klerin e tij dhe asamblenë dioqezane se këtë vit do të zhvillojë vizitën e parë baritore në Dioqezës e tij të Sapës.  Tema e kësaj vizite është “Të ecim së bashku” përmes së cilës, Imzot Simoni shpreh dëshirën që në familjen e tij dioqezane të punohet dhe shërbehet në harmoni të plotë me Hyjin dhe njëri – tjetrin.

Nisur nga kjo, javën e fundit të Janarit, Imzot Simoni zhvilloi vizitën e tij baritore në famullinë e Shën Mëhillit në Nënshat dhe Hajmel. I pritur nga famullitari Pader Reoland Marku dhe Etërit e tjerë Kapuçinë, si dhe motrat Stigmatine, Imzot Simoni filloi me kremtimin e Meshës Shenjte në Kishën e Shën Mëhillit në Nënshat.

Në emër të bashkësisë famullitare, pader Reolandi i uroj mirëseardhjen ipeshkvit të Sapës dhe e falenderoi që gjendet në mesin e këtyre besimtarëve, duke u ndjerë kështu si një familje që takohet me Atin dhe Bariun e shpirtrave.  Edhe Imzot Simoni tha se ndërsa jemi bijtë e Zotit të gjithë së bashku të jemi të thirrur të mbështetemi në themelet e Krishtit dhe mësimet e tij, duke bërë që të ndërtojmë jetën tonë më të mirë dhe shoqërinë tonë dhe komunitetin ku jetojmë.

Sipas programit të përgatitur nga famullitari, gjatë pesë ditëve të qëndrimit në famullinë e Nënshatit ku përfshihen edhe fshatrat Hajmel dhe Dheu Lehtë, ipeshkvi ka zhvilluar takime me Këshillin baritorm me grupet e ndryshme që veprojnë në famulli, me bashkëpuntorët, katekistat, të rinjtë, legjionin e Marisë, me kryefamiljarët, me grupin e familjeve, me stafet pedagogjike të shkollave dhe me përfaqësuese të pushtetit lokal, me personelin shëndetësor, me të cilët Imzot Simoni është njohur më nga afër me realitetin dhe shërbimin e tyre.

Një takim të veçantë ka patur edhe me të sëmurët ku i ka vizituar nëpër shtëpitë e tyre, duke përcjellë mesazhin e dashurisë së Zotit dhe që kurrë nuk janë të lënë në harresë nga Kisha. Edhe me të rinjtë që janë e ardhmja e çdo vendi, Ipeshkvi ka dialoguar me to në lidhje me problematikat që hasin çdo ditë, por edhe i ka inkujaruar duke iu dhënë shpresë se edhe në vendin tonë është bukur të jetosh, dhe i porositi që  mos ta braktisin vendin e tyre.

Në qendër të  të gjithë takimeve dhe diskutimeve kanë qenë prezantimi i gjendjes aktuale në famulli, arritjet e saj gjatë ungjillizimit si dhe problemet që hasen. Një vizitë e veçantë nga ana e Imzot Simonit u rezervua edhe në kuvendin e Etërve dhe Motrave të Karmelit, që gjenden në këtë famulli, dhe është një pasuri jo vetëm për dioqezën e Sapës por për mbarë kishën në Shqipëri.

Përveç kësaj Imzot Simoni në ditën e fundit të vizitës së tij baritore , ka udhëtuar drejt qyetetit të Vlorës ku dioqeza e Sapës ka dy misionarë laik, Gaspër dhe Benedeta Markun të cilët prej 3 vitesh janë pjesë e shërbimit baritor në Administraturën Apostolike të Jugut. Dhe kjo është dëshmi se dioqeza e jonë është misionare në Shqipëri dhe mbështetje për atë që ka nevojë.

Vizita Baritore është zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e festive dhe me një pregatitje mjaft të mirë nga famullitari me bashkëpunëtorët e tij dhe me Motrat Stigmatine që shërbejnë në këtë famulli, të cilët janë busulla e drejtimit shpirtëror.

Violeta Marashi

 

31 janar 2023, 15:33