Kishat e Ukrainës: nuk do të ketë paqe pa të vërtetën dhe drejtësinë
R.SH. – Vatikan
“Ne udhëheqësit fetarë duhet të edukojmë për paqe, por nuk ka paqe pa të vërtetën dhe drejtësinë. Duhet të shërojmë kaq shumë plagë dhe kaq shumë zemra, siç dihet është më lehtë të pajtohen idetë abstrakte sesa zemrat e lënduara”. Kështu deklaroi Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, kryeipeshkëv i madh i Kievit dhe kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës që përfaqëson Këshillin Pan-Ukrainas të Kishave dhe organizatave fetare të vendit, i cili dje përfundoi vizitën e tij tre-ditore në Vatikan, ku të mërkurën e kaluar u takua me Papën Françesku.
Një situatë që përkeqësohet
"Ne kemi ardhur për të përfaqësuar shoqërinë ukrainase, jemi një vend multietnik dhe multifetar", ripohoi imzot Shevchuk në konferencën për shtyp, mbi vizitën e Këshillin Pan-Ukrainas të Kishave dhe organizatave fetare të vendi, mbajtur dje paradite në sallën Marconi të Palazzo Pio, selinë e Radio Vatikani – Vatican News. “Nuk e dimë se kur do të përfundojë lufta, por situata po përkeqësohet”, shpjegoi Shevchuk. "Vetëm sot më shumë se njëzet raketa ruse kanë goditur Kievin. Infrastruktura është shkatërruar dhe ne jetojmë në errësirë".
Një mbrojtje proporcionale
"Lufta është gjithmonë një disfatë për njerëzimin, është gjithmonë një tmerr", nënvizon kryeipeshkvi i Kievit, "por ne jemi të detyruar të mbrohemi, gjë që në çdo rast duhet të jetë proporcional". Si një ekspert joushtarak, nuk e di nëse dërgimi i tankeve në Ukrainë është proporcional, thotë Shevchuk, i cili megjithatë pyet se si ndryshe mund të ndalohen tanket ruse pa përdorimin e armëve. Për një paqe të drejtë, ai ripohoi atë që i tha edhe Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Rusia duhet të tërhiqet brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht dhe duhet të rindërtohet gjithë ajo që është shkatërruar.
Afërsia e Papës me popullin ukrainas
Për mundësinë e një vizite të Papës në kryeqytetin ukrainas, ripohoi sesi Françesku ndjek zhvillimet e luftës dhe po kërkon kohën e duhur për të ardhur. Populli ukrainas, shpjegoi imzot Mieczyslaw Mokrzycki, kryeipeshkëv i Lviv-it, vlerëson shumë gjithçka që Papa dhe Selia e Shenjtë bëjnë për Ukrainën, veçanërisht pas 8 dhjetorit të kaluar, kur Papa u lut përpara shtatores së 'Zojës së Papërlyer', në Piazza di Spagna, në Romë. Një gjest që ndihmoi edhe për të kapërcyer disa keqkuptime të së kaluarës.
Takimi me fëmijët ukrainas
Dje paradite, disa përfaqësues të Këshillit Pan-Ukrainas të Kishave, ndër te edhe Marcos, ipeshkvi i dioqezës ukrainase të Kishës Apostolike Armene dhe Valery Anoniuk, kreu i Kishave të Krishterëve Ungjillore Baptiste, vizituan repartin e spitalit pediatrik Bambino Gesù, në Romë, spital i Selisë së Shenjtë, ku që nga fillimi i luftës janë marrë në kujdes e kurim fëmijët ukrainas që janë viktima të konfliktit ose që janë të sëmurë dhe nuk kanë mundësi të marrin kurimet e duhura.
Pritja në spital
Janë 1.938 fëmijë nën kujdesin e spitalit pediatrik Bambino Gesù, përfshirë ata që nuk janë të shtruar në spital, pa pëmendur ata fëmijë që ndihmohen drejtpërdrejt në kufirin ukrainas. “Ju nuk keni hapur vetëm spitalin, por edhe zemrën tuaj. Ju nuk keni shpëtuar vetëm jetën e fëmijëve, por edhe të familjeve”, falënderoi Kryeipeshkvi i Lviv. "Dhimbja dhe plagët e tyre janë një dëshmi që sfidon botën," nënvizoi imzot Shevchuk. “Ne jemi të bashkuar në misionin e dashurisë”, kujton presidentja e spitalit Bambino Gesù, Mariella Enoc: “Fëmijët janë viktima, por edhe protagonistë të konfliktit dhe kanë të drejtë të thonë se nuk duan luftë”.