Kërko

Kardinali Ernest Simoni Troshani merr medaljen nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Kardinali Ernest Simoni Troshani merr medaljen nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kardinali Simoni mori Medaljen e Kosovës për Humanizëm “Shën Tereza”

Dje, gjatë një ceremonie në ambasadën e Republikës së Kosovës në Itali, presidentja Vjosa Osmani i dorëzoi kardinalit shqiptar Ernest Simon Troshani, Medaljen për Humanizëm “Shën Tereza”

R.SH. – Vatikan

Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani mori dje në Romë, Medaljen për Humanizëm “Shën Tereza”. Ceremonia u zhvillua në ambasadën e Republikës së Kosovës në Itali, në praninë e autoriteteve më të larta të Prishtinës si dhe të Ambasadores së Kosovës në Romë Lendita Haxhitasim. Ishte vetë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që i dorëzoi kardinalit medaljen, me motivacionin: “për përfaqësimin e parimeve morale dhe humane të popullit shqiptar në botë, si edhe për fuqinë shpirtërore me të cilën vuajtjet dhe torturat ndaj tij i shndërroi në akt dashurie ndaj njeriut”.

Cast nga ceremonia e dorëzimit të medaljes
Cast nga ceremonia e dorëzimit të medaljes

Në fjalën e saj, presidentja Osmani, e cila sapo ishte takuar, po dje, me Papën Françesku, me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet e me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, shpjegoi se kjo medalje i është akorduar kardinalit Simoni që në shtatorin e kaluar, në kuadrin e “Ditëve të Nënë Terezës”, të cilat kremtohen nga shteti dhe nga Kisha Katolike në veçanti. Presidentja vuri në dukje qëndresën e palëkundur të don Simonit të atëhershëm kundër diktaturës komuniste, por edhe veprimtarinë e tij të gjatë në shërbim të paqes e të lirisë, sidomos pas komunizmit. “I mbetemi përherë mirënjohës dhe e falënderojmë – theksoi ajo – për kultivimin e vlerave njerëzore dhe kujdesin, që tregon ai në çdo takim dhe në çdo ngjarje për Kosovën”.

Cast nga ceremonia e dorëzimit të medaljes
Cast nga ceremonia e dorëzimit të medaljes

Nga ana e tij, kardinali Ernest Simoni Troshani falënderoi për nderimin, që i bënë dhe premtoi lutje për Kosovën e për çdo qytetar të saj, si edhe për të gjithë vëllezërit shqiptarë kudo në botë, duke uruar begatinë e kombit shqiptar.

24 janar 2023, 13:07