Kërko

2023.01.15 locandina della Settimana di Preghiera per l'Unità dei cristiani 2023.01.15 locandina della Settimana di Preghiera per l'Unità dei cristiani

Java për Bashkimin e të krishterëve 2023: bëni mirë, kërkoni drejtësinë!

Tema e lutjeve ekumenike, që do të kremtohen nga 18 deri më 25 janar, u zgjodh nga Këshilli i Kishave të Krishtera të Minesotës, në Shtetet e Bashkuara. Është thirrje, shkëputur nga Libri i Izaisë: "Mësoni të bëni mirë, kërkoni drejtësi!". Papa Françesku do të kremtojë, sipas traditës, mbrëmjen e dytë në fund të javës, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në solemnitetin e kthimit të Apostullit

R.SH. /  Vatikan

Java e Lutjes për bashkimin e të krishterëve e vitit 2023 do të hapet më 18 janar. Tema u zgjodh dhe u përgatit nga një grup vendas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i mbledhur nga Këshilli i Kishave të Minesotës. Është thirrje e shkëputur nga Libri i Izaisë Profet (1:17): "Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësi". Në dhjetor të vitit 2020, grupi u takua për herë të parë në distancë, megjithëse shumë tashmë e njihnin njëri-tjetrin dhe të gjithë kishin dijeni për punën e Këshillit të Kishave të Minesotës, drejtuesit e të cilit janë aktivistë dhe pastorë në kongregacione dhe bashkësi të ndryshme.

Përgatitja për Javën, në një takim në Bossey

Komisioni ndërkombëtar i caktuar, së bashku me Këshillin Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, tani Dikaster, dhe me Komisionin e Fesë dhe të Kushtetutës të Këshillit Botëror të Kishave, i ngarkuar me shqyrtimin e materialit ndihmës për Javën, u takua me delegatët e Këshillit të Kishave të Minesotës, në Bossey të Zvicrës, nga 19 deri më 23 shtator 2021. Grupi vendas, që hartoi materialin ndihmës, përbëhej nga burra, gra, nëna, baballarë, njerëz të aftë për t’i treguar dhe për t’i shëruar historitë, përfaqësues të përvojave të ndryshme të kultit dhe të shprehjeve shpirtërore, si edhe të popujve indigjenë të Shteteve të Bashkuara e të bashkësive të emigrantëve - të detyruar apo vullnetarë - që tani e quajnë këtë rajon "shtëpi" dhe shfaqin, në nivel individual, aftësi të ndryshme për ta rrëfyer dhe për ta përpunuar historinë e tyre.

Në grupin e Minesotës, edhe migrantë e viktima të racizmit

Anëtarët e Grupit përfaqësonin, përveç të tjerëve, zona urbane dhe periferike si dhe shumë bashkësi të krishtera. Kjo larmi krijoi kushtet për reflektim të thellë dhe përvojë solidariteti, të pasuruar nga shumë këndvështrime të ndryshme. Anëtarët e grupit vendas të Minesotës shpresojnë se përvojat e tyre personale, si viktima të racizmit dhe denigrimit njerëzor, do të shërbejnë për të dëshmuar deri në ç’gradë mund të çnjerëzohen bijtë e Zotit, kur u sulën fqinjëve të tyre për t’i shkatërruar e për t’i zhdukur! Por ka edhe një dëshirë të thellë të brendshme që, si të krishterë, mishërues të unitetit, dhuratë e Zotit, të flasin për ndarjet, që na pengojnë ta kuptojmë, ta përjetojnë të vërtetën dhe t’i zhdukin me bindjen se të gjithë i përkasim Krishtit.

Takimet me Papën në Javën e Lutjes

Gjatë Javës së Lutjes, Papa Françesku do të mbajë audiencën e përgjithshme të së mërkurës më 18 janar dhe më 22 janar e, të dielën e Fjalës së Zotit, do të kremtojë Meshën në orën 9.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Tre ditë më vonë, më 25 janar, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në orën 17.30, do të kremtojë Mbrëmësoren e Dytë, në përfundim të Javës së Lutjes për Unitetin e Krishterë, në solemnitetin e kthimit të Shën Palit Apostull.

16 janar 2023, 16:52