Çelësi i fjalëve të Kishës: “Zoti është gjithnjë i ri”
R.SH. – Vatikan
“Thellësia e mendimit të Joseph Ratzinger – shkruan Papa Bergoglio, duke paraqitur librin ‘Zoti është gjithnjë i ri’ – që bazohej në Shkrimin Shenjt dhe në Etërit e Kishës, na vjen në ndihmë edhe sot. Këto faqe trajtojnë një sërë tematikash shpirtërore e janë nxitje për t’ia hapur zemrën horizontit të amshimit, që krishtërimi e ka në ADN-në e vet. Ai i Benediktit XVI është dhe do të mbetet përgjithmonë një mendim e një magjister, që jep fryte në kohë, sepse diti të përqendrohej në pikat themelore të jetës sonë të krishterë: së pari, në njeriun e në fjalën e Jezu Krishtit e, më tej, në virtytet teologale, si dashuria, shpresa e feja. E për këtë, e gjithë Kisha do t’i jetë mirënjohëse. Përgjithmonë”.
Nga këto fjalë të Papës Françesku merr shkas cikli, që fillon sot, në të cilin do të shfletojmë së bashku faqet e librit, ku bukuria e krishtërimit shpjegohet përmes mendimit të mprehtë të Benediktit XVI dhe qartësisë së gjuhës së përdorur prej tij. Me shpresën që fjalët e Papës së nderit, që kanë ushqyer gjithnjë fenë e besimtarëve dhe kanë ngacmuar inteligjencën e jo besimtarëve, të jenë të vlefshme edhe për shqiptarët, kudo ndodhen.
Sot, do të marrim një pjesë nga takimi i katekizmit dhe i lutjes, që pati Benediktit XVI me fëmijët e Kungimit të Parë, më 15 tetor 2005. Tema e këtyre fjalëve është: “Aty ku është Jezusi, njerëzit ndryshojnë”.
“Ka shumë gjëra, që nuk i shohim, por ekzistojnë e janë thelbësore. Për shembull, nuk e shohim arsyen tonë e, megjithatë, e kemi arsyen. Nuk e shohim inteligjencën, por e kemi. Me një fjalë, nuk e shohim shpirtin tonë e, megjithatë, ekziston e ne i shohim efektet, sepse mund të flasim, të mendojmë, të marrim vendime etj.. Ashtu si nuk e shohim, për shembull, rrymën elektrike e, megjithatë, e dimë se ajo ekziston, sepse shohim dritat. Pra, pikërisht gjërat më të thella, që e mbajnë vërtet jetën dhe botën, nuk i shohim, por mund të shohim e të ndiejmë efektet e tyre. Elektricitetin, rrymën nuk e shohim, por dritën e shohim. E kështu me radhë. Edhe Zotin e Ringjallur nuk e shohim me sy, por vërejmë se aty ku është Jezusi, njerëzit ndryshojnë, bëhen më të mirë. Krijohet një lloj aftësie më e madhe për paqen, për pajtimin… Pra, nuk e shohim vetë Zotin, por shohim ndikimin e Tij: e nga kjo mund ta kuptojmë se Jezusi është i pranishëm.
Siç thashë, - vëren Benedikti XVI – pikërisht gjërat e padukshme janë më të thellat e më të rëndësishmet: Le të shkojmë pra, ta takojmë këtë Zot të padukshëm, por të fortë, që na ndihmon të jetojmë si duhet”.