Kërko

corona III domenica di Avvento corona III domenica di Avvento

Fjala e Zotit e Dielës së 3-të të kohës së Ardhjes 'A'

Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na fton ta presim me fe dhe gëzim ardhjen e Zotit. Profeti Isaia e thërret shkretëtirën të gëzohet e vendet e shkreta të lulëzojnë ( I Lexim). Gjon Pagëzuesi është kumtues i dërguar për përgatitjen e udhës së Zotit që vjen (Ungjilli).

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe me liturgjinë Hyjnore të Fjalës së Zotit të Dielës së 3-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik, që paraprijnë dhe përgatit kremtimin e Krishtlindjes. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 3-të të kohës së Ardhjes 'A'

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 3-të të kohës së Ardhjes 'A'

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, na fton ta presim me fe dhe gëzim ardhjen e ZotitProfeti Isaia e thërret shkretëtirën të gëzohet dhe vendet e shkreta të lulëzojnë (Leximi I). Gjon Pagëzuesi është kumtuesi i dërguar për të përgatitur udhën e Zotit që vjen (Ungjilli).  Kjo e Diel e tretë e Kohës së Ardhjes, njihet me emrin “Gaudete”, “Gëzohuni!”. Ftesa për t’u gëzuar buron pikërisht nga leximet liturgjike, që na propozon liturgjia e Fjalёs, duke na nxitur si besimtarë t’ia përcjellin mesazhin e dashurisë të gjithë njerëzve.

Në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, i krishteri ndodhet para një pyetjeje me rëndësi të dorës së parë. Është ajo e Shën Gjon Pagëzuesit, i cili i nis dishepujt për ta pyetur Jezusin: “Je ti, ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?". Pyetja e Gjonit, që shqetësohet, sepse nuk po shikon kurrfarë ndryshimi në botë, është e njëjta pyetje, që vijojnë të bëjnë shumë njerëz në rrjedhë shekujsh: “Je vërtetë ti? Apo bota duhet ndryshuar nga rrënjët? Ti nuk e bën këtë? E bëjmë ne! E erdhën shumë profetë, ideologë e diktatorë, që thanë: Nuk është ai. Ai nuk e ndryshon botën! Jemi ne! E krijuan perandoritë e tyre, diktaturat e tyre, totalitarizmat e tyre, që ta ndryshonin këtë botë. Dhe e ndryshuan, duke e rrënuar me kulm e themel. E sot e dimë se nga këto premtime nuk mbeti tjetër, veçse një boshllëk i madh e një shkatërrim i hatashëm. Nuk ishin ata!.

Pyetjes, që vijon të jehojë udhëve të botës – na kujton Ungjilli i Mateut (11,2-11) - na duket se Jezu Krishti i përgjigjet kështu: Shikoni ç’bëra unë! Nuk bëra revolucion... nuk e ndryshova botën me forcë, por ndeza shumë drita, që formojnë një udhë drite në rrjedhë shekujsh. Janë dëshmitarët e panumërt të fesë nё Zotin, që ndriçuan e ndriçojnë si yje në horizontet e zymta të shekujve të historisë, në shndërrim të vazhdueshëm. Janë njerëz, që i ngjasin Shën Maksimilian Kolbes, i cili flijoi jetën e vet, për të shpëtuar atin e një familjeje, e kemi edhe shembullin e shumё martirёve tё Kishёs ndёr shqiptarё e tё shumё shenjtorёve tjerё. Janë drita, që ndizen në errësirë, për t’u treguar të gjithëve ku mund t’i gjejnë njerëzit, që presin një dorë, e cila bëhet për ta dora e Zotit. Quhen Damian de Veuster: jetojnë e vdesin për të gërbulurit; quhen Nënë Terezë: çuan e çojnë dritë në errësirën më të dendur, e jetë, në viset e vdekjes. Gjithnjë me buzë në gaz, sepse të pushtuar nga drita e Zotit. Janë shumë, shumë. Konstelacione të tëra në qiellin e zi të kohëve të vështira. Martirёt e shumtё, disa prej tyre sigurisht i njohim, tё cilёt pohojnë se Zoti na bën ta ndjejmë afërsinë e tij gjithmonё.

Zoti është pranë, jemi ne që shpesh i rrimë larg. T’i afrohemi, të shkojmë sa më pranë dritës së tij, ta lusim Zotin e, në sa lutemi, të bëhemi edhe ne vetë dritë për të tjerët. Të bëhemi dritë – na fton të gjithëve Fjala e Zotit në këtë kohë, kur presim Ardhjen e Zotit mbi tokë. Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim. Në një epokë, që kërkon ndryshime të vazhdueshme, Koha e Ardhjes na fton ta presim Zotin me durim e shpresë. E shpresa e vërtetë, e cila nuk të zhgënjen kurrë, është ajo që bazohet mbi besnikërinë e Zotit.

Letra e Shën Jakut, na kujton edhe shembullin e bujkut, i cili pret me durim frytin e çmuar të tokës. Krahasim shumë shprehës. Bujku nuk është fatalist, por model i një mendësie, që bashkon me drejtpeshim fenë e arsyen sepse, nga njëra anë i njeh ligjet e natyrës dhe e kryen mirë punën e vet, ndërsa nga ana tjetër, mbështetet në Provaninë Hyjnore, nga që disa gjëra nuk janë në duart e tija, por në ato të Zotit. Na ofrohet një model, është ai i profetëve, i njerëzve që Zoti i thirri të flasin në emër të vet. Profeti e gjen gëzimin dhe forcën në Fjalën e Zotit, e, ndërsa njerëzit shpesh e kërkojnë lumturinë në rrugë, që më pas dalin të gabuara, ai kumton shpresën e vërtetë, atë që nuk të zhgënjen, sepse ngrihet mbi themelin e besnikërisë së Zotit.

                                                          LITURGJIA E FJALËS

Leximi i pare (Is 35, 1-6.8.10)

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojnë shkretëtira e të lulëzojë si lili! Le të bulëzojë e le të lulëzojë, le të gazmojë, në hare të shpërthejë! Iu dhurua lavdia e Libanit, e Karmelit stolia dhe e Saronit! Do ta shohin lavdinë e Zotit, shkëlqimin e Hyjit tonë!
Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura, fuqi jepni gjunjëve të marrakotur! Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Do të ketë shteg e do të ketë udhë, do të quhet udha e shenjtë: i papastri nëpër të s’do të kalojë, për ta do të jetë udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të. Do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit. Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t’i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesja. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 146 (145)
Ref: Eja, o Zot, e na shpëto.

_______________
Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqimin të uriturve.
Zoti i çliron robërit,
_______________
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët,
_______________
u ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
_______________

Leximi i dytë (Jak 5, 7-10)

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull
Vëllezër, jini të durueshëm deri në ditën e ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të deri ta kapë shiu i lashtë dhe i voni. Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit u afrua!
Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit, që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës! Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes edhe të duresës profetët që folën në emër të Zotit. Fjala e Zotit

ALELUJA, Aleluja.

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi,
më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.
Aleluja.

Ungjilli (Mt 11, 2-11)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet për ta pyetur: “A je ti Ai që do të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”
Jezusi i përgjigji: “Shkoni e tregoni Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: të verbrit po shohin, të shqeptë po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli. I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!”
Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: “Çka dolët të shihni në shkreti? Kallamin që luhat era? Apo çka dolët të shihni? Njeriun që veshet në petka të bukura? Qe, ata që veshën me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore! Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet, sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi shenjt thotë: ‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’
Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi; megjithatë më i vogli në Mbretërinë e qiellit është më i madh se ai.” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA III E ARDHJES: I LUMI AI QË NUK E BJERR BESIMIN NË MUA!

(Is 35, 1-6.8.10; Ps 146 (145); Jak 5, 7-10; Mt 11, 2-11)

Kjo e dielë e tretë e Kohës së Ardhjes njihet në traditën e Kishës edhe si e diela e gëzimit. Na fton të gëzojmë ngaqë po afron e kremtja e Krishtlindjes, e cila na përkujton mishërimin e Birit të Zotit.

Prandaj leximi i parë sot fillon me fjalët «Le të gëzojnë vendet e shkreta!» Po ashtu edhe psalmi i thur lavde të hareshme Hyjit për mrekullitë që Ai bën në ndihmë të nevojtarëve. Gjithashtu edhe Shën Jakobi na porosit në leximin e dytë «Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit!» Edhe Jezusi në Ungjill flet sot për lumturi, për gëzim, kur thotë: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua»

Por, pikërisht duke u nisur nga Ungjilli, le ta shohim më nga afër se për çfarë gëzimi bëhet fjalë.

Jezusi sot jep një vlerësim tejet të madh për personin e Gjon Pagëzuesit: «Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi!»

Duket sikur për këtë person Jezusi ka fjalë më të mëdha edhe se për vetë Zojën e Bekuar. Por menjëherë Jezusi shton: «Megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai.» Ungjillin e tij, duke thënë «Mbretëria e Hyjit», Shën Mateu nënkupton vetë personin e Jezusit. Ai që bën pjesë në këtë Mbretëri, pra ai që është i bashkuar me Jezusin e vdekur e të Ngjallur (e kështu ishte edhe Zoja), ka “privilegje” edhe më të mëdha nga sa kishte Gjon Pagë­zuesi. Bëhet fjalë për “privilegjet” që do t’i ketë i krishteri. Bëhet fjalët sidomos për sakramentet, ku sakramenti më i veçantë është patjetër Eukaristia. Këta “privilegje”  do ta bëjnë të krishterin të jetë i bashkuar me Zotin më shumë nga sa ishte i bashkuar Shën Gjoni në këtë jetë.

Për madhështinë e Gjonit, Jezusi flet shumë gjatë edhe më sipër në këtë Ungjill. Jezusi shpjegon se pikërisht për personin e Gjonit flet ajo pjesa e Shkrimit Shenjt që thotë: «Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje.»

Por, gjëja e habitshme në këtë pjesë të sotme ungjillore është se pikërisht Gjoni – i paracaktuari prej Hyjit që të jetë pararendësi i Mesisë, ai të cilit i qe dhënë Hiri që Mesinë ta tregonte me gisht, si të pranishëm në mes të popullit të Izraelit, ai që e pa Shpirtin Shenjt duke zbritur mbi Jezusin në trajtë pëllumbi në ujërat e Jordanit, ai, më i madhi i lindur prej grash – bën një gjest të vështirë për t’u kuptuar: nga burgu dëgjon për veprat e Krishtit dhe vendos që të dërgojë tek Ai nxënësit e vet që ta pyesin: «A je ti ‘Ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?»

Ndonjëri prej atyre që janë përpjekur ta shpjegojnë domethënien e këtij gjesti, thotë se kështu Gjoni ka dashur që edhe vetë nxënësit e tij ta kuptonin se Jezusi është me të vërtetë Mesia i premtuar e kështu atëherë ta ndiqnin. Po atëherë pse të mos u thoshte thjesht: «Tani shkoni pas Tij!», por t’i komplikonte gjërat kaq shumë?!...

Prandaj, ndokush tjetër, me shumë të drejtë, mendon se edhe vetë Gjoni kishte filluar të kishte dyshimet e veta.

Mbase nuk na pëlqen të mendojmë se Gjon Pagëzuesi, i madhi, mund të ketë pasur dyshime. Kështu në fakt na pëlqen t’i mendoj­më (dhe t’ua paraqesim edhe të tjerëve) shenjtërit e mëdhenj të historisë. Por e vërteta është se edhe shenjtërit kanë pasur errësirat e veta.

Ne e bëjmë këtë gabim ngaqë mendojmë se dyshimi është mungesë largpamësie. Jo, dyshimi nuk është i tillë. Volteri, filozofi e shkrimtari i madh francez i shekullit XVIII, thoshte: «Në fakt, dyshimi nuk është gjë fort e ëmbël, por siguria e tepërt është qesharake.» Aftësia për të dyshuar pa u shpërbërë si njeri, është ndihmë për t’u hedhur në horizonte të reja.

Patjetër që, nëse dyshojmë thjesht për të dyshuar, nuk është shenjë pjekurie as njerëzore e as fetare, por, nëse jemi të etur për ta njohur të vërtetën, dyshimi na bën të interesohemi që të gjejmë përgjigjen. Ndonjë lëkundje në besim mund të na nxitë të lutemi, të mendojmë, të pyesim apo të lexojmë për gjetjen e përgjigjes që na mungon. Të gjitha përgjigjet nuk gjenden kurrë, natyrisht, e kjo nuk duhet të na shqetësojë, por disa më kryesoret edhe mund të gjenden.

E dyshimi, ose më saktë lëkundja, vjen në jetën tonë kur përballë nesh na shfaqet kryqi. Pikërisht në atë çast është rasti i volitshëm t’i drejtohemi Hyjit përvujtërisht për më shumë dritë.

Ja një shembull nga jeta e Shën Françeskut të Asizit. Para se Jezusi t’i bënte atij dhuratën e varrëve të veta në trup, thuhet se Shenjti gjendej në një udhëkryq vërtet të madh. Thonë se kjo ishte për të dhimbja më e madhe që kishte kaluar ndonjëherë. Shumë djem kishin zgjedhur tashmë të jetonin përreth tij në varfëri të plotë si ai, por jo të gjithë e përkrahnin në të gjitha udhëzimet që u jepte. Disa filluan të pretendonin me ngulm se i duhej të bënte disa ndryshime në mënyrën e jetesës së fretërve. Por ai nuk pranonte. Kështuqë bashkësia filloi të përçahej keqas. Për këtë arsye edhe vetë Shën Françesku shpesh dyshonte se mos ishte ai vetë gabim. Prandaj thuhet se u largua për në pyll që të lutej në vetmi. Atje, mes lotësh e pendesash të rënda, i kërkonte Hyjit një përgjigje. Pas disa ditësh ndodhi që në trupin e tij u shfaqën plagët e dhimbshme të Krishtit të Kryqëzuar. Aty, Varfanjaku i dashur, kur pa varrët e Krishtit në duart, në këmbët dhe në kraharorin e vet, e kuptoi se Hyji po i përgjigjej se ajo që kishte ndërmarrë ishte gjëja e duhur. E tha: «Hyji më foli.»

Në çastin e dyshimit më të madh Shën Françesku iu drejtua Hyjit me këmbëngulje edhe më të madhe për këshillë dhe qe dëgjuar prej Tij. Po ashtu edhe Gjon Pagëzuesi: në çastin e dyshimit më të madh në jetën e tij, iu drejtua Krishtit dhe mori sqarimin prej Tij.

Udhëkryqi në të cilin gjendej Gjoni në atë periudhë të jetës së tij ishte shumë i ndërlikuar: gjendej padrejtësisht në burg e, për më tepër, nën një kërcënim real që të vritej po aq padrejtësisht. Prandaj, errësirës së frikshme të burgut, i shtohej tashmë edhe errësira edhe më e frikshme e shpirtit.

Si shumë të tjerë, edhe Gjoni mbase ishte i ndikuar sadopak nga ajo ideja e një Shpëtimtari politik të Izraelit. Në Ungjillin e së dielës së kaluar kemi dëgjuar se si ai e përshkruan Mesinë si madhështor dhe shumë të pushtetshëm. Ndërsa Jezusi ishte shumë i përvujtë. Kjo përvujtëri e Jezusit, e cila do të kulmonte në kryq, me sa duket, e kishte bërë të mendonte se mbase «duhej pritur ndonjë tjetër».

Me përgjigjen që do t’u japë nxënësve, Jezusi dëshiron t’ua zhdavarisë nga mendja këto dyshime të Gjonit: «Shkoni i thoni Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli.» Në leximin e parë ndër të tjera thuhet se, kur të vijë shpëtimi i Zotit për popullin e Tij, «sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë ne hare.» Këta po realizoheshin të gjitha në Jezusin. Prandaj, me përgjigjen e Tij, Jezusi duket sikur dëshiron të thotë: «Shkoni e thoni Gjonit se, përderisa unë po i bëj të gjitha mrekullitë që Shkrimi Shenjt thoshte se do të ndodhnin kur të vinte Mesia, atëherë do të thotë se unë jam ai Mesia i pritur.»

Por, në fund të përgjigjes së Tij Jezusi shtoi edhe diçka: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!» Edhe Gjonit, tani, Jezusi po i kërkonte që të shkonte më thellë në kuptimin e Personit të Tij. Lirimi do të ishte i një lloji tjetër: jo politik, por shpirtëror. Jezusi po i thoshte se ka ardhur t’i mësonte njerëzimit përvujtërinë, e cila është “vaksina” kundër krenarisë, kundër atij helmi të cilin armiku i vjetër e dinak e hodhi në natyrën njerëzore.

Jezusi është i lirë nga krenaria dhe dëshiron që këtë liri të na e sjellë edhe neve. Prandaj, sikurse edhe Gjonit, ashtu edhe neve na duhet të mos lëkundemi kur Jezusi na mëson përvujtërinë dhe dashurinë deri edhe për armikun. Ai që na i mëson këto, është po ai që shëron të sëmurët, që ngjall të vdekurit dhe që sundon mbi ligjet e natyrës. Janë të shumtë ata që tërhiqen mbrapsht kur kjo logjikë e kryqit shfaqet në jetën e tyre, por Jezusi do t’u thoshte edhe atyre sikurse Gjonit: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!»

Gjonit dhe të gjithëve ne, pra, Jezusi dëshiron të na mësojë gëzimin e qendresës në dashuri ndaj Hyjit e ndaj njëri-tjetrit. Na e kujton edhe Shën Jakobi në letrën e tij sot: «Vëllezër, jini të durueshëm deri në ditën e Ardhjes së Zotit!»

Dom Dritan Ndoci

10 dhjetor 2022, 09:32