Kërko

San Giovanni Battista, Vangelo della domenica San Giovanni Battista, Vangelo della domenica

Fjala e Zotit e dielës së 2 të kohës së Ardhjes ‘A’

Liturgjia e kësaj së diele të dytë të Ardhjes na paraqet Gjon Pagëzuesin, i cili na fton të përgatitemi për ardhjen e Zotit. Ai predikon konvertimin urgjent dhe pagëzimin e pendesës.

R.SH. - Vatikan

Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së 2-të të kohës së Ardhjes, ciklit të parë 'A', sipas kalendarit kishtar. Liturgjia e kësaj së Diele të Dytë të Ardhjes, na paraqet Gjon Pagëzuesin, i cili na fton të përgatitemi për ardhjen e Zotit. Ai predikon konvertimin urgjent dhe pagëzimin e pendesës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit

Liturgjia e Fjalës së Zotit

Profeti Isaia paralajmëron Foshnjën që do të lindë në Betlehem, i cili do t’u dhurojë popujve drejtësinë dhe paqen. Orakulli i profetit Isaia ( Leximi I) gjen jehonë në kumtimin e Gjon Pagëzuesit, që na rrëfen Ungjilli e kësaj së diele nga Mateu. Është thirrja për t’u kthyer e pranuar Hyjin që vjen. Ardhja e Krishtit ndryshon tiparet e historisë: është Ai që e realizon profecinë, sepse drejtësia e tij është ajo e Zotit, i cili është në gjendje ta mposht dhe të fiton mbi të keqen, dhunën dhe ta përurojë Mbretërinë e Paqes. Isaia propozon një tokë ku mbretëron vetëm paqja e pajtimi ndërmjet armiqve dhe dashuria me të gjithë.

Gjon Pagëzuesi, me pagëzimin në lumin Jordan, na fton t’ia përgatisim udhën Mesisë. E gjithë kjo na përgatit për ardhjen e Krishtit Shpëtimtar, përmes pagëzimit të tij në ujë dhe përmes Shpirtit Shenjt. Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu na tregon një kumtim të ashpër, qortimin e Gjon Pagëzuesit për ata që e pengojnë këtë mbretëri dhe ftesën për ta pranuar Atë që zhytët (pagëzon) në zjarrin e Shpirtit, për të shkatërruar çdo gjurmë të mëkatit e të vdekjes.

Vetëm me misterin pashkor të Krishtit realizohet kjo paqe që dëshirohet, që ëndërrohet dhe kundrohet në Besëlidhjen e Vjetër. Nuk është një utopi, përkundrazi është një dhuratë e vërtetë e Krishtit të Ngjallur. Ai, i Ngjalluri nuk na le të qetë, por na nxit, na fton ta pranojmë në zemra tona, pra brenda nesh paqen e tij, dashurinë e tij, hirin e tij për të na bënë të aftët ta pranojmë njëri-tjetrin si vëllezër (Leximi II). Shën Pali na këshillon t’i mirëpresim të gjithë vëllezërit dhe ta dëgjojmë e zbatojmë në jetë Fjalën e Zotit, për të qenë kështu burra e gra të shpresës.

                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Is 11,1-10

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në atë ditë, një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit. S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin. Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijet. Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë. Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija në gji dorën do ta futë. S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi detet që mbulo-hen me ujë. Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 72

Eja, o Zot, mbret i drejtësisë dhe i paqes.

O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia

dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.

Do të sundojë prej detit në det,

prej lumit e deri në skajin e botës.

 

Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë dotë ketë për të mjerin e të vobektin, dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

 

Qoftë bekuar emri i tij në shekuj, sa të jetë dielli mos iu harroftë emri!

Nëpër të do të bekohen të gjitha fiset e dheut, të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.

 

Leximi dytë Rm 15,4-9

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, gjithçka që dikur u shkrua, u shkrua për mësimin tonë, në mënyrë që, me anë të qëndresës e të ngushëllimit që vjen nga Shkrimi shenjt, të kemi shpresë. E Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin sikurse dëshiron Jezu Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Prandaj, pranoni njëri-tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit. Pohoj se Krishti u shërbeu të rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Hyjit, për t’i plotësuar premtimet e dhëna etërve e që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, sikurse thotë Shkrimi shenjt: “Prandaj do të lavdëroj ndër paganë dhe do t’i këndoj këngë emrit tënd!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja. Përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit! Aleluja.

 

Ungjilli    Mt 3, 1 -12

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretinë e Judesë e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!” Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!’” Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijeve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Aso herë vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.  E mbasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan. Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi! As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: “Kemi atë Abrahamin!” sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! Tashmë sëpata u vu në rrënjë të lëndëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr. Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalët: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr. Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”  Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA II E ARDHJES: BËNI VEPRA TË DENJA KTHIMI!

(Is 11, 1-10; Ps 72 (71); Rom 15, 4-9; Mt 3, 1-12)

«Të gjithë mendojnë ta ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë vetveten.» – shkruante në shekullin e kaluar shkrimtari i famshëm rus Lev Tolstoi.

Po ashtu një tjetër njeri edhe më i famshëm i shekullit të kaluar, Mahatma Gandi, i cili njihet nga India e tij si “Ati i kombit”, thoshte: «Ji ti ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë!»

Këta njerëz e shumë të tjerë që kanë mësuar gjëra të ngjashme, janë njerëz që, edhe pse nuk kanë qenë të gjithë të krishterë, i kanë rënë në të asaj që Krishti ka dashur të thoshte kur predikonte: «Mbretëria e Hyji është afër. Kthehuni e besoni Ungjillit!»

«Kthehuni se u afrua Mbretëria e Hyjit!» – thotë edhe Shën Gjon Pagëzuesi në Ungjillin e sotëm. Gjoni ishte një njeri i ashpër me veten e tij e me ata që i afroheshin. Por një ashpërsi që nuk lindte nga ndonjë urrejtje depresive ndaj vetvetes apo nga ndonjë urretje ndaj të afërmit. Urrejtja e Gjonit ishte urrejtje ndaj mëkatit, si tek vetja, ashtu edhe tek të tjerët. Gjoni e luftonte prirjen për të bërë mëkate që njeriu e ka të trashëguar nga prindërit e parë. Gjoni nuk ishte i zënë pa mëkat (siç do të ishte vetëm Maria e pastaj edhe Jezusi) e prandaj i duhej ta luftonte prirjen për të rënë në mëkat, që edhe ai e ndiente. Kisha na mëson se kjo gjendje vjen si pasojë e mëkatit të rrjedhshëm. Me ndihmën e Hirit Hyjnor kjo prirje ëshë e mundur të përballohet, por jo pa një luftë reale në shpirt, luftë e cila, edhe pse me dendësi të ndryshme, zgjat tërë jetën.

Prandaj në predikimet e tij, Gjoni dukej aq i ashpër, sepse dëshironte të ngulte këmbë tek nevoja e largimit nga mëkati. Ai e dinte se, nëse nuk do të ndodhte një largim i tillë, nuk do të bëhej i mundur takimi me Birin e Hyjin, i cili tashmë gjendej në mesin e njerëzve. «Hyji të ka krijuar pa pasur nevojë për ty, por nuk mundet të të shpëtojë pa pasur nevojë për ty.» – thoshte Shën Augustini. Hyji e respekton lirinë tonë. Kur themi se Hyji i kthen edhe mëkatarët më të mëdhenj, duhet të ecim shumë ngadalë në këtë pikë, sepse kjo gjë nuk nënkupton ndonjë ndërhyrje arbritrare të Hyjit në jetën e disave, por faktin se ata mëkatarë vepronin ashtu ngaqë u mungonte drita e mjaftueshme në jetë. Kur takohen me dritën Hyjnore, atëherë ata ndryshojnë jetë.

Gjoni me këto mesazhe të tija kishte bërë shumë bujë në mbarë Izraelin: «Aso here vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.» Ungjilli vazhdon pastaj me një rresht mahnitës: «Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan». Ja madhështia e Gjonit: predikimet e tij preknin zemrat e njerëzve. Jo vetëm predikimet, por edhe jeta: «Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijeve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër». Një njeri që, me fjalë e me vepra, ia dilte të prekte direkt e në zemrat e dëgjuesve. Aq i prekte, saqë ata nuk mund të rrinin pa i treguar edhe publikisht mëkatet e tyre.

Por, përse të habitemi fort: tek e fundit kështu na ndodh edhe ne kur takojmë ndonjë njeri vërtetë «të Zotit». Aty na vjen spontane ta themi edhe haptas se, në krahasim me ta, ne jemi shumë larg Hyjit. E, jo rrallë, fillojmë edhe ne t’i themi publikisht kundërshtitë konkrete që ndiejmë se ia bëjmë Hirit të Hyjit brenda nesh.

Ungjilli vazhdon pastaj duke thënë se te Gjoni filluan të shkojnë edhe «shumë farisenj e saducenj». Me sa duket, falë ndonjë Hiri të veçantë, Gjoni arrinte ta shikonte zemrën e tyre dhe e kuptonte se fakti që kishin ardhur aty, nuk ishte se donin edhe aq Hyjin, por ngaqë donin të bënin si shumica e të dukeshin të shenjtë para të tjerëve. Prandaj u thotë plot ashpërsi: «Pjellë shlligash: kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen?! Bëni, pra, vepra të denja kthimi!» Gjoni i ftonte me ngulm që të hiqnin dorë nga hipokrizia e tyre kokëforte, sepse kjo do t’i çonte në bjerrje të pasosur. Shëlbimi, përpiqej t’u thoshte Gjoni, nuk varet nga ndonjë përkatësi gjaku apo nga ndonjë privilegj tjetër kushedi se çfarë, por varet nga veprat konkrete: «As mos t’ju bjerë ndër mend të thoni në vete: “Kemi atë Abrahamin!”, sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve!»

Sa keq është kur mendojmë se Hyji mban patjetër anën tonë, ngaqë kemi bërë këtë apo atë gjë dikur! Sa keq kur mendojmë se mjafton fakti që kemi qenë pagëzuar, për të merituar Parajsën dhe pastaj e lëmë pas dore mbajtjen e premtimeve pagëzimore, duke mos hequr dorë nga jeta jonë mëkatare! Do ta meritonim edhe ne të gjithë qortimin e ashpër të Gjonit të lavdishëm.

E Gjoni ishte me të vëretetë i lavdishëm në sytë e mbarë Izraelit. Ai e vinte re këtë gjë. Mëgjithatë nuk nguronte t’i sqaronte të gjithë se nuk ishte ai Mesia i pritur. Gjonit nuk i errësoheshin sytë nga lavdia dhe fama që kishte. Prandaj shpejtonte të thoshte: «Unë ju pagëzoj më ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjtë e me zjarr.»

Edhe vetë Gjonit do t’i duhet të mësojë ende shumë nga Jezusi. Gjoni dallohet se e paraqet thuajse si apokaliptike ardhjen e Mesisë, por do t’i duhet të pranojë përvujtërinë e pamasë që Jezusi do të fi­llojë të predikojë e të jetojë. Kur do ta arrestojnë Gjonin, nga burgu ai do të dërgojë disa nxënës të vet që ta pyesin Jezusin: «A je ti ‘Ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?» Gjoni nuk po kuptonte përse gjithë kjo përvujtëri. Por Jezusi me përgjigjen e tij, do ta ngushëllojë e, në fund, edhe do t’i çojë fjalë: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!»

Gjoni është njeri e, si i tillë, i duhet të rritet në njohjen e Hyjit të vet. Hyji është i pakapshëm për mendjen tonë. Asnjë profet, asnjë shenjt apo teolog nuk arrin ta kuptojë plotësisht misterin e Tij. As shenjtërit e qiellit nuk e arrijnë këtë. As Zoja e Bekuar. Ashtu edhe Gjoni. Por, të gjithë këta, kanë kuptuar kryesoren: se Hyji na do dhe se na ka krijuar për të dashur. Prandaj është urgjente që, në këtë jetë, të zgjedhim dashurinë  e sinqertë ndaj Hyjit e ndaj njëri-tjetrit. Për këtë arsye, në leximin e dytë, Shën Pali u thotë romakëve: «Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin sikurse dëshiron Jezu Krishti... Pranoni njëri-tjetrin në shoqëri, sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit!» Mbretërinë e kësaj dashurie ndaj Hyjit e ndaj njëri-tjetrit ka ardhur të sjellë Jezusi. Gjoni, nga njëra anë, duket sikur e tepron me alarmin që ngre kur thotë: «Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve: çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr.» Por, nga ana tjetër, ai kishte plotësisht të drejtë, sepse Jezusi, Biri i Hyjit, Pastërtia e pambarim, në përngja­simin e të cilit jemi krijuar, duke na bërë ta shohim të mishëruar një Pastërti të tillë, do të jetë si «sëpata» që do ta godasë në rrënjë egoizmin njerëzor. Jezusi është «pinjolli që doli nga trungu i Jeseut.... dhe që s’do të gjykojë sipas pamjes së syve..., por me drejtësi e besnikëri.» Nëse ne do të zgjedhim dashurinë, drejtësinë dhe pastërtinë në këtë jetë, atëherë do të mund të kemi pjesë në lumturinë e Parrizit, aty ku të gjitha këto të vërteta janë në përsosmërinë e tyre.

Këtë lloj lumturie përpiqet ta përshkruajë Isaia profet sot në leximin e parë kur thotë: «(Atëherë) Ujku do të banojë me qengjin... Fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë. Luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë në vrimën e shlligës». Isai përshkruan këtu një harmoni të plotë në mes të të gjitha krijesave. Janë mënyra për të na përshkruar të papërshkrueshmen: bashkimin e plotë me Hyjin në Parriz. Nëse do ta synojmë që në tokë një harmoni të tillë, do të mund ta shijojmë të plotë në lumturinë e Parajsës. Ne të gjithë duam të shkojmë në Parajsë, por jo të gjithë duam të bëjmë ndonjë gjë për të shkuar atje. «Të gjithë mendojnë ta ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë vetveten.», do të mund të thoshte Tolstoi në një farë mënyre edhe në këtë rast. Është e vërtetë se vetëm meritat e Gjakut të Krishtit na e kanë fituar Parajsën, por, bashkë me meritat e Tij, Jezusi dëshiron të bashkëngjisim edhe meritat tona, sepse na ka krijuar të lirë. Prandaj ngjyra liturgjike e Kohës së Ardhjes është ngjyra vjollcë, sepse edhe kjo kohë, si ajo e krezhmeve, na fton më fort të kthehemi e të pendohemi për mëkatet, që të mundemi pastaj t’i hapemi më lehtë Hirit Hyjnor.

E cituam në fillim Gandin e famshëm, njeriun që mahniti botën me idetë e tij kundër dhunës. E pra ai kishte shumë respekt për personin e Jezusit, duke u nisur nga ajo që kishte lexuar në ungjij për Të. Por prapëseprapë nuk u bë i krishterë. Thoshte: «Jezusi ishte vërtetë njeri i veçantë, por kur shoh të krishterët se sa ndryshe jetojnë nga ajo që ai ka predikuar, atëherë nuk ndihem i shtyrë të jem i krishterë.» A nuk do ta bënte kjo gjë Gjon Pagëzuesin edhe sot që, ne të kri­shterëve, të na drejtohej me po aq ashpërsi sa iu drejtua skribëve e farisenjve kur do të shikonte se, pikërisht ne, nuk bëjmë «vepra të denja kthimi» e ndërkohë bëhemi pengesë që bota t’i afrohet Krishtit?

Dom Dritan Ndoci

03 dhjetor 2022, 11:18