Kërko

 dom Kolë Dedaj dom Kolë Dedaj

Dom Kole Dedaj: të kthehemi e ta përgatisim udhën për Ardhjes e Mesisë

Ungjilli i kësaj të Dieleje të II-të, nga Mateu ( 3,1.12) na e paraqet Gjon Pagëzuesin, profet, i cili predikon në shkretëtirë e Judës që të përgatisim udhën për Ardhjes e Mesisë.

R.SH. - Vatikan

Përpara ardhjes së Zotit, ardhjes së ditës së Zotit, sipas disa ekspertëve të Shkrimeve të Shenjta, profeti Elia do të kishte ardhur për të përgatitur popullin për takimin me Zotin, Shpëtimtar e Gjykatës. Këtë shpresë e vërteton Jezusi, i cili megjithatë na fton ta dallojmë këtë prani profetike te Gjon Pagëzuesi, i cili erdhi mes atyre që nuk e njohën, por bënë atë që donin me të (krh. Mt 17,10-13).

Pikërisht për shkak se në Ardhje ne presim ardhjen e ditës së Zotit, dhe rrjedhimisht të Birit të njeriut, Kisha na fton të ndalemi te shërbimi a misioni i Gjonit: shërbesa e përgatitjes së rrugës për shfaqjen e Jezusit në Izrael. Predikimi i Gjinit, në fakt, është më aktual se kurrë në këtë kohë "të fundit", në të cilën Zoti vjen. Figura e Gjon Pagëzuesit na nxit të kthehemi te Zoti. Të mos i lëmë fjalët e tij të shkojnë kot, sado që janë kërkuese. Zoti vjen, mbretëria e qiejve është afër. Pra Ungjilli i kësaj të Dieleje të II-të, nga Mateu ( 3,1.12) na e paraqet Gjon Pagëzuesin, profet, i cili predikon në shkretëtirë e Judës që te përgatisim udhën për Ardhjes e Mesisë. Zëvendës Rektori i Seminarit Ndërdioqezan ‘Zoja Këshillit të Mirë’ në Shkodër dom Kolë Dedaj komenton leximet biblike të liturgjisë së Dielës së II të Ardhjes ‘A’.  Të ndjekim komentin e tij:

Dom Kolë Dedaj komenton leximet biblike të liturgjisë së Dielës së II të Ardhjes ‘A’

Diela e II-të e Ardhjes (Kthehuni; ja Mbretëria)

(Viti A: Is 11,1-10; Ps 72 (71); Rom 15,4-9; Mt 3,1-12)

Nga Ungjilli sipas Mateut

"Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretinë e Judesë e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!” Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!’” Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijeve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Aso herë vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.  E mbasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan...".

Ungjilli i kësaj të Dieleje të II-të, na paraqet Gjon Pagëzuesin profet, i cili gjendet duke predikuar në shkretëtirë e Judës pranë Jordanit, 20 km nga Jerusalemi. Në dy rreshtat e parë Mateu na jep disa fjalë kyçe: profeti Gjon Pagëzuesi, në shkretëtirë. Le t’i shqyrtojmë secilën prej tyre për të mbërritur në thellësi të përgatitjes për të pritur Mesinë.

Ne mund të na duket normale kur mendojmë për fjalën profet, sepse na merr mendja se Bibla është plotë profetë, pse atëherë të mos jetë këtu edhe një tjetër. Por Mateu, që i shkruan dëgjuesve të traditës hebraike, i përzgjedhë fjalët për të ngallitur lidhjet me profecitë e Besëlidhjes së Vjetër. Ja se, sipas traditës judaike, profecia mbaron me Malakinë profet[1] dhe nuk rimerret deri në ardhjen e Mesisë. Tri arsyet pse mbaroi profecia janë: mëkati, shkatërrimi i Tempullit ku prania e Zotit u largua si dhe ndryshimi shpirtëror me ndikimin e pushtuesve Grek e pastaj Romak[2]. Kështu kur vjen Gjoni, që prej sjelljeve e kuptojmë se është profet edhe pse Mateu nuk e thotë shprehimisht, rimerret lidhja profetike e ndërprerë me Malakinë. Një gjë e tillë ishte e rrallë, një risi, e pse jo edhe mahnitëse, siç e vërejmë prej turmave që ngarendin tek ai prej të gjitha krahinave.

Shkretëtira (heb. miḏbār) është skena në të cilën zhvillohet ngjarja. Shkretëtira ka një rëndësi të veçantë në Bibël, e njëkohësisht është vend kontradiktash. Nga njëra anë është vend i rrezikshëm, vend i sprovës dhe i vdekjes. Nga ana tjetër është edhe vend ku mund të takohet Zoti, ku mund të dëgjohet zëri i tij, siç sugjeron termi hebraik miḏbār. Është gjithashtu vendi i intimitetit me Hyjin, kohë fejese, premtim i një rilulëzimi të dashurisë së lashtë midis Hyjit dhe popullit të tij (Oz 2,16-18)[3]. I njëjti term në gq. erēmos na e jep fjalën eremit, pra një person i tërhequr në vetmi, për të takuar Zotin. Rastet më emblematike të takimit me Zotin, ku ai tregohet shëlbues, ndodhin në shkretëtirë, si p.sh shfaqja e emrit në kaçubë që i dilte flaka por nuk digjej, apo kalimi i detit të kuq dhe periudha e endjes nëpër shkretëtirë ku populli u dëlir (Dal 3,1+). Gjithashtu edhe profetët parapëlqenin shkretëtirën. Elia profet jetonte shpeshherë në shkretëtirë (2Mbr 2,6-12), madje atje e takoi Zotin në puhizë (1Mbr 19,12). Ky përshkruhet si “njeri i veshur me gëzof dhe i ngjeshur me rrip lëkure rreth ijëve” (2Mbr 1,8). Ja se atëherë shkretëtira nga vend vdekjeje, bëhet vend i daljes, vend i profetëve dhe i fillimeve të reja në marrëdhënie me Zotin. Eusebius Pamphilius[4] na kujton se Jezusi na u shfaq, “jo në Jerusalem, por në shkretëtirë”, si Biri i Hyjit Shëlbimprurës (Mt 17,5).

Libri i Malakisë, kah fundi i tij profetizon: “Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen!” (Mal 3,1). Dhe vazhdon “Po vjen dita e Zotit.” (Mal 3,19). E libri i parë i Besëlidhjes së Re, Ungjilli i Mateut, duke çuar në vend profecinë, na e paraqet përgatitësin e udhës, Gjon Pagëzuesin. Ky gjendet në shkretëtirë duke shpallur Mbretërinë e Hyjit. Përshkruhet si “i veshur me petk leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure” e madje shërbente në krahinën e lumit “Jordan” (Mt 3,4-6) njësoj si Elia. E kuptueshme se pastaj njerëzit e ngatërruan për Elinë (Mt 11,14; 17,11-13). Kështu Gjoni, në stilin e profetëve, fillon t’i përgatisë njerëzit për ardhjen e Zotit. Shpallja e tij është: mbërriti Mbretëria e Zotit[5]. Përfundimisht erdhi koha e Zotit dhe është çasti që të vendosni se çka do të bëni. Fjala e parë që thotë Gjoni tek Mateu është një urdhërore: “kthehuni” (gq. metanoeō). Kjo d.m.th të bëjmë një kthim të tërësishëm, të zemrës e mendjes. Kjo fjalë e rrallë mateane përmbledh thelbin e lajmit, si tek Gjoni e si tek Jezusi pak më vonë (Mt 4,17). Me fjalë tjera, është koha të kthehemi, o tash o kurrë! Siç e vëreni, nuk është fjala për një rit të thjeshtë pastrimi, të cilin Gjoni e bën sa për sy e faqe, por një ndryshim rrënjësorë i jetës, një kthim 180o prej mëkatit kah Zoti[6].

Is 40,3 tregon se Zotit do të shpëtojë të syrgjynosurit në Babiloni. Kështu, duke e bërë të vetin këtë citim Mateu tregon se nuk bëhet fjalë veç për Mesinë që vjen, por për vet Zotin që bëhet i pranishëm. Me ardhjen e Mbretërisë së qiejve do të zotërojë paqja, jo vetëm ndër njerëz, por edhe në botën e kafshëve. Ai do të vendosë drejtësi për të varfrit dhe të pafuqishmit[7]. Ai do të sundojë e do të gjykojë me fuqinë e dhuratave të Shpirtit të Zotit e jo me krahmbajtje, sipas pamjes së jashtme apo sipas thashethemeve.

Janë dy lloj njerëzish që vijnë tek Gjoni: turmat prej vendeve të ndryshëm, të cilat nënkuptohen se kanë një dëshirë të thellë për kthim dhe farisenjtë e saducenjtë që cilësohen si “pjellë shlligash”, jo një termë përkëdhelës. Gjoni tregohet i rreptë me ta, sepse këta mbanin vetën më të mirë, krenoheshin pse janë bijtë e Abrahamit edhe pse kjo nuk ishte meritë e tyre. Ishin të përpiktë në mbajtjen e Ligjit, por jo gjithmonë me qëllim shenjtërie, madje shpesh për përfitime vetanake. Megjithatë nuk thuhet se nuk i pranoj. Gjoni i cili pagëzon vetëm me pagëzimin e kthimit, i lë hapësirë pagëzimit të Zotit me anë të zjarrit të Shpirtit Shenjtë. Siç thotë profecia e Mal 3,3 “Do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i kullojë porsi arin e argjendin që të mund t’ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë”. Zjarri i tij do t’i pastroj edhe tjerët e do t’i bëjë bijtë e Hyjit. Procesi i pastrimit të vazhdueshëm është më se i rëndësishëm.

-       Nganjëherë shkretëtirat e jetës sonë na bëjnë mirë, sepse aty, në pikën e dobët dhe “vendin e vdekjes” sonë, takojmë Zotin që na shëron dhe na këndell.

-       Mos t’i ikim shkretëtirës, por t’i shkojmë në takim zërit që na thërret për kthim në këtë kohë përgatitje për ardhjen e Mesisë.

-       Të kthehemi prej prapësive tona e prej rrugëve të liga e, me anë të dhuratave të Shpirtit të Zotit, ta përforcojmë lidhjen me të. Të kthehemi e ta ripërtërijmë dashurinë e parë.

-       Të heqim dorë nga veset, sepse në Mbretërinë e qiejve nuk ka vend për shlliga e  gjarpërinj helmues. 

 

[1] P.sh. Tosefta Sotah 3:3Yoma 9bSanhedrin 11a

[2] Shih: https://www.jewishideas.org/article/end-prophecy-malachis-position-spiritual-development-israel (qasur 02.12.2022 ora 11:00)

[3] Falënderoj M. Ivezajn që ma dha këtë ide.

[4] Eusebius Pamphilius (shek. IV), Cæsariæ Pælestinæ Episcopi, Commentaria in Isaiam PG 24, 366-367.

[5] “Veç ka ardhur; fjalë për fjalë ‘ka ardhur afër’ engizei, do të kishte përcjellë shpresën standarde eskatologjike, ‘po afrohet’, por e kryera ēngiken sugjeron diçka më aktuale. Ajo që ka përfunduar procesin e "të afruarit" është tashmë e pranishme" R. T. France, The Gospel of Matthew (NICNT; Grand Rapids, M 2007), 103.

[6] R. T. France, Matthew, 100-111.

[7] J. Blenkinsopp, Isaiah 1–39: A New Translation with Introduction and Commentary, (AYB 19: New Haven – London 2008) 263.

03 dhjetor 2022, 11:50