Kërko

Relikja e djepit të Krishtit, që ruhet ne Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë Relikja e djepit të Krishtit, që ruhet ne Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë

Magjia e djepit të Betlehemit

Krishtlindja troket në porta tona. E gjëja e parë që na kujton, është djepi!

R.SH. - Vatikan

Magjia e Djepit të Betlehemit rikthehet për të na ftuar të meditojmë çdo vit! Takohemi me tradita dhe risi befasuese, zakone me rrënjë në mjegullën e kohës, çudi e të vërteta. Së shpejti do ta zbulojmë së bashku skenën e lindjes së Krishtit në botë e në shtëpitë tona, me të gjitha kureshtjet e saj. 

Skena e lindjes së Krishtit, traditë e lashtë dhe e çmuar në mbarë botën, përsëritet çdo vit për Krishtlindje. Krishti lind çdo vit e pret nga ne t’ia bëjmë gati shpellën e grazhdin! Sepse edhe në kohët tona, ai lind përsëri në një shpellë, në një vend të humbur, që quhet Betlehem! E në ditën e lindjes së Zotit, Betlhemi çuditërisht, ndodhet gjithkund, nga polet – në pyjet tropikale, që e rrethojnë si brez shumëngjyrësh tokën tonë.

Lind i rrethuar nga Zoja, Shën Jozefi, kau dhe gomari. Gjumin e parë e bën në grazhd, mbi kashtë. E pra nuk do të vonojë e një mori engjëjsh do ta rrethojnë, e pas tyre, do të shikojmë edhe një grumbull  barinjsh. Madje edhe një yll me bisht! Një Kometë. E Tre Mbretër do të shtegtojnë pas kometës, kah ajo Shpellë. Të gjithë, për të adhuruar Foshnjën Hyjnore e për t’i sjellë dhuratat e tyre të përvujta: Engjëjt, këngën; barinjtë, qumështin e bardhë; mbretërit,  simbol i tre kontinenteve, tri racave njerëzore, arin, kemin, mirrën!

Me kalimin e shekujve, Shpella e Betlehemit nisi “shtegtimin e saj” nëpër botë e shpesh ndryshoi pamje. Të mendojmë për skenën luksoze napolitane, ku Krishti “lindi” për herë të parë rreth vitit 1700, me një numër mbresëlënës personazhesh, secili me vlerën e vet simbolike. Kujtuam napolitanen, ndonëse dihet  se të gjitha traditat lokale kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Sot zakoni i vendosjes së djepit është i përhapur në të gjithë botën katolike, e edhe në vendin tonë. Grazhdi i ashpër shndërrohet në djep, kashta në këngë, gugatjet e Foshnjës, në melodi!

Është melodia e Krishtlindjes, që e zbut mjerimin e i bën njerëzit vullnetmirë ta harrojnë për disa çaste se sivjet Krishti lind edhe në strehimet e nëndheshme të Ukrainës, ku fëmijë e të rritur këndojnë  me lot në sy himnin e Festës së Madhe: “Paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”.

30 nëntor 2022, 16:45