Kisha ukrainase: “Trojet tona tranden e vaditen me gjak njeriu”
R. SH. - Vatikan
Shkelim simbolikisht ndër trojet ukrainase, sapo lexojmë fjalët e para: “Trojet tona vijojnë të tranden e të vaditen me gjak njeriu. Vijojnë vrasjet e plagosjet. Britma tragjike e popullit ukrainas ngrihet deri në kupë të qiellit, Beteja të ashpra tërbohen gjatë gjithë vijës së frontit, posaçërisht në Doneck, ku armiku vijon t’i godasë pa pushim fshtarat tona. Gjatë orëve të fundit pati 23 sulme misilistike e 23 sulme ajrore kundër qyteteve e fshatrave tona. Armiku vijon t’i bombardojë papushim trojet e Sumy-t dhe rajonin e Chernihiv. Kharkivi goditet më se një herë në ditë me të gjitha tipet e mundshme të armëve. E ukrainasi vuan. Popullsia civile vdes. Sulmet misilistike vijojnë të kallin tmerr, shkatërrim e vdekje!
Ky përshkrimi i situatës…Që askush nuk do të dëshironte ta jetonte…
Falënderim Zotit e forcave të armatosura
Më pas, një falënderim i përgjëruar i drejtohet Zotit, që po e ndihmon Ukrainën të qëndrojë, të luftojë, të lutet, të mbrohet nga bijtë e bijat e saj, që janë gjallë e mund t’i luten për fitoren e popullit ukrainas!
Lutja e zjarrtë drejt Qiellit
Në Letër, pasi komentohet gjatë Urdhërimi i 6-të i Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot: “Ruaje pastrinë, si kur je i martuar, ashtu edhe kur je beqar; ruaje e forcoje me respekt e kujdes reciprok” - lartohet drejt qiellit lutja përfundimtare drejtuar Zotit.
Bekoje, o Zot, popullin tonë me dijen tënde
Në përfundim, lutja me vlerë për të gjithë ata, që besojnë në Zotin:
Na bëj besimtarë, o Zot!
Ndihmoje ushtrinë t’i qëndrojë besnike betimit e ta mundë armikun në log të mejdanit.
Jepi forcë e pasuri shpirtërore Kishës sonë e popullit tonë!
Ndihmoji, o Zot të bashkohen të gjithë në lutje, me respekt e kujdes reciprok!
Atëhere djalli e shërbëtorët e tij nuk do të mund të na mposhtin kurrë. Do t’i kapërcejmë të gjitha tundimet e vështirësitë e jetës.
Sepse dashuria është e amshuar. Nuk kalon kurrë. E kjo dashuri është vetë Zoti ynë!
Bekoje, o Zot Ukrainën me pastrinë e dashurisë sate, me hirin e Shpirtit tënd Shenjt, japnae fitoren dhe paqen e vërtetë e të drejtë!