Kërko

Nisja e Papës Françesku për njërin nga udhëtimet e tij apostolike Nisja e Papës Françesku për njërin nga udhëtimet e tij apostolike 

Kazakistan, kryeipeshkvi Peta: prania e Papës do të jetë bekim i madh

Një javë para udhëtimit apostolik të Françeskut në vendin aziatik, shpresat e Kishës së vogël lokale, që e pret. Lufta në Ukrainë është tragjedi e madhe, plagë në trupin e gjithë njerëzimit - thotë prelati i Nur-Sultanit - ne besojmë se vizita e Atit të Shenjtë do të kontribuojë fuqishëm në paqen e shumëpritur

R.SH. – Vatikan

Pas një jave, nga 13 deri më 15 shtator, Papa Françesku do të udhëtojë në Kazakistan me rastin e Kongresit të shtatë të liderëve botërorë dhe atyre të feve tradicionale, një ngjarje, që mbahet çdo tre vite, promovuar nga presidenti Kassym-Jomart K. Tokajev. Është një udhëtim apostolik në emër të paqes dhe unitetit, siç thotë motoja. Vizita do të zhvillohet në kryeqytetin modern dhe futurist Nur-Sultan, në veri të vendit, ku Ati i Shenjtë do të takohet me autoritetet dhe me shoqërinë civile, do të lutet dhe do të flasë me përfaqësuesit e besimeve të ndryshme, do të takohet me anëtarët e Kishës lokale, si edhe do të kremtojë meshën në solemnitetin e Lartimit të Kryqit.

Një Kishë e vogël në stepë

Zanafilla e Kishës në Kazakistan daton në mesin e shekullit XIII, me ardhjene  disa misionarëve nga Franca, që më pas, arritën deri në Mongoli. Ishin françeskanët ata, që u ngarkuan me misionin në gjithë zonën e Azisë Qendrore. Në shekullin e mëpasëm filluan persekutimet e para dhe nuk pati më lajme deri në mesin e shekullit XIX. Katolikët u kthyen pjesërisht si ushtarë të Rusisë, pjesërisht si të mërguar, të dëbuar, të burgosur lufte, ose vullnetarisht.

Fundi i Bashkimit Sovjetik, pjesë e të cilit ishte kjo zonë dhe lindja e Kazakistanit të pavarur në vitin 1991, shënuan një kthesë të rëndësishme edhe për Kishën e vogël katolike lokale: në vitin 1992 u vendosën marrëdhëniet diplomatike të ish-Republikës Sovjetike me Selinë e Shenjtë, ndërsa në vitin 1998 u nënshkrua një marrëveshje dypalëshe, e cila i garantoi Kishës Katolike lirinë për të kryer veprimtaritë e saj shoqërore, arsimore, shëndetësore, për të pasur qasje në mjetet e komunikimit shoqëror dhe për të siguruar ndihmën shpirtërore për besimtarët e saj në strukturat shëndetësore dhe në burgje. Pikërisht ftesa për harmoni ndërmjet feve dhe kulturave ishte në qendër të vizitës së Gjon Palit II në Kazakistan, në vitin 2001 e, mbi këtë temë do të përqendrohet edhe Papa Françesku, në dritën e enciklikës “Fratelli tutti”.

Vizita e Papës për të promovuar pajtimin global

Katolikët në Kazakistan janë 0,01% e popullsisë. Rreth një e katërta e kësaj pakice përbëhet nga të krishterë, kryesisht ortodoksë. Besimtarët janë të shpërndarë në katër dioqeza me 70 famulli e njëqind meshtarë. Imzot Tomasz Bernard Peta, kryeipeshkëv i dioqezës së të Shenjtnueshmes Virgjër Mari, flet në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News për rëndësinë e vizitës së Papës në Kazakistan, sidomos për katolikët…

Vizita e Papës Françesku është gjithmonë ngjarje historike, aq më tepër në një vend ku katolikët janë një grigjë e vogël. Jam i bindur se ajo është bekim i madh për ne katolikët dhe për gjithë Kazakistanin. Duke pasur parasysh situatën dramatike ndërkombëtare, vizita mbart shpresën e paqes dhe të pajtimit në shkallë globale. Jemi shumë mirënjohës që Ati i Shenjtë do të bekojë ikonën e re të triptikut të “Nënës së Stepës së Madhe” në katedralen e Nur-Sultanit. Kjo fugure është menduar për Shenjtëroren tonë kombëtare kushtuar Mbretëreshës së Paqes, në Ozyornoye. Do të na kujtojë vizitën papnore.

Cila është vlera e Kongresit ndërfetar dhe e pjesëmarrjes së Papës?

Kongresi i udhëheqësve të Feve Botërore dhe Tradicionale nuk është një platformë për diskutim teologjik. Sipas mendimit tim, mund të jetë shenjë, që tregon se Zoti është burimi i paqes. Përpjekjet e politikanëve, edhe pse të nevojshme, janë të pamjaftueshme. Nevojitet një lutje intensive e besimtarëve për paqe. Pjesëmarrja e Atit të Shenjtë Françesku në Kongres e ngre nivelin e kësaj ngjarjeje dhe tregon kujdesin e Kishës për paqen dhe mirëqenien e mbarë njerëzimit.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë vend, që nga mbërritja juaj?

Në Kazakistan erdha në vitin 1990, në kohën e Bashkimit Sovjetik. Atëherë nuk kishte struktura kishtare. Në territorin e pesë republikave të Bashkimit Sovjetik vepronin rreth 15 meshtarë vendas. Në shumë qytete dhe fshatra kishte bashkësi besimtarësh, që, gjatë komunizmit thonin veçanërisht rruzaren, ruanin fenë dhe ndjenjën e përkatësisë në Kishë. Më pas, kjo dha frytet e veta në kushtet e lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes, pasi Kazakistani fitoi pavarësinë (në vitin 1991). Shpejt, u ngritën famulli dhe u ndërtuan kisha e kapela.

Çfarë do të thotë të jesh katolik në Kazakistan?

Në Kazakistan gëzojmë lirinë fetare. Megjithatë, nuk është e lehtë të jesh katolik. Pse? Katolikët janë më pak se 1%. 19 milionë qytetarët e Kazakistanit janë një mozaik prej 130 kombësish - 70% janë kazakë - dhe u përkasin 18 feve të regjistruara zyrtarisht. Të jesh katolik do të thotë të marrësh një vendim të pjekur. Gjatë viteve të pavarësisë, disa milionë qytetarë u kthyen në vendlindjet e tyre të hershme.Ndërmjet tyre, edhe disa mijëra katolikë. Në këtë periudhë, bashkësia katolike është bërë më ndërkombëtare. Katolikët e Kazakistanit u përkasin dhjetë kombësive të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues nga kombi kazak. Nuk mund ta quajmë më veten, si më parë, Kisha “gjermane” apo “polake”.

Në Azinë Qendrore, si u pritën thirrjet e Papës për paqe në Ukrainë?

Lufta në Ukrainë është tragjedi e madhe. Mund të thuhet se është plagë në trupin e gjithë njerëzimit. Ne besojmë se vizita e Atit të Shenjtë Françesku do të kontribuojë fuqishëm në përfundimin e luftës në Ukrainë dhe në arritjen e paqes së shumëpritur.

06 shtator 2022, 14:16