Nata e festës liturgjike të Shenjtёs Nënë Terezë - Ganxhe Bojaxhiu

Nata e festës liturgjike të Shenjtës Nënё Terezë, Ganxhe Bojaxhiut. Jeta dhe dëshmia e kësaj dishepulle të vërtetë të Krishtit, së cilës i kremtojmë pikërisht sot e nesër festën liturgjike, janë një ftesë për ne e për të gjithë Kishën që t’i shërbejmë me dashuri e besnikëri Zotit në më të varfërit e më nevojtarët

R.SH. - Vatikan

Mё 5 shtator, kudo në botë, posaçërisht në trevat shqiptare dhe në Indi, ku ndërroi jetë më 5 shtator 1997, para 25 vjetësh, festa kishtare e Engjëllit të të varfërve kremtohet me mirënjohje ndaj Zotit për këtë dhuratë të jashtëzakonshme që Shenjta shqiptare Nënë Tereza është për mbarë njerëzimin, nga e cila çdo ditë duhet të mësojmë pareshtur artin e bujarisë, të solidaritetit, respektit të anasjelltë, të dashurisë Ungjillore e ecjes së gjurmëve të Jezu Krishtit, Shpëtimtari të njerëzimit. 

Shenjta shqiptare Ganxhe Bojaxhiut na kujton se zemra e njeriut, posaçërisht ajo e të varfërveështë e uritur për bukë dhe për dashuri. Kështu Kisha katolike na fton të ndjekim dhe imitojmë shembullin e Nënës Ganxhe për t'u çuar paqe e gëzim të varfërve të botës e çdo njeriu që takojmë në jetën e përditshme. Kisha e Krishtit ua kumton Ungjillin të gjithëve, por për të varfrit ka një dashuri të veçantë, sepse dashuria e krishterë nuk është thjeshtë vepër bamirësie: është takim me vetë Krishtin ndër të varfrit, duke pasur parasysh se Zoti është pasuria e vërtetë e zemrave njerëzore. Pikërisht këtë na mësoi e këtë na kujton Shën Nënë Tereza.

Kur ndërroi jetë Themeluesja e Misionareve të Dashurisë, Papa Shen Gjon Pali II tha se “Nënë Tereza qe gjithnjë përplot me forcën shpirtërore që i buronte nga dashuria e Krishtit. Kjo e bëri Misionare të bamirësisë me fjalë e me vepra. Me ndihmën e heshtjes së kundrimit, Shenjta Nënë Tereza ua çoi dashurinë e Zotit atyre, varfërve, ndër të cilët gjeti vetë Krishtin. Ju jeni trashëgimtaret e saj shpirtërore, bijat e saj të dashura”, u tha akoma Shën Gjon Pali II motrave të Bamirësisë e shtoi: “Shembulli i Nënë Terezës do t'ju japë forcë ta vini në jetë thirrjen tuaj për t'i shërbyer më të varfërve ndër të varfër”.

Ikona e Nënë Terezës: Nënë e motër në emër të Zotit

Thënë me pak fjalë, Nënë Tereza – Ganxhe Bojaxhiu qe një ikonë e Dashurisë së mëshirshme të Zotit. E sot, natën e festës liturgjike kushtuar Shën Nënë Terezës, po ndalemi te kjo ikonë e Dashurisë së Zotit

Një sari, një palë sandale, një kryq i vogël. Kjo është ikona e Nënë Terezës së Kalkutës, të cilën Papa Shën Gjon Pali II e shpalli të Lume, më 19 tetor 2003, vetëm gjashtë vjet pas vdekjes, duke përmbushur kështu dëshirën e miliona burrave e grave nga të katër anët e botës, që e patën konsideruar shenjte që më të gjallë. E Papa Françesku e shpalli Shenjte më 4 shtator 2016. Që të dy kremtimet liturgjike u kremtuan solemnisht në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme besimtarësh, shtegtarësh, personalitetesh e njerëzish nga mbarë bota, me një prani të veçantë nga trevat shqiptare e nga India. Qenë dy kremtime dhe ngjarje të paharrueshme për Kishën Universale e për botën shqiptare.

Nënë Terezën e quajtën shenjte për bamirësinë e saj, sepse e kishin parë duke u shërbyer me dashuri të pakufishme njerëzve më të papërfillur të botës, në Indi e gjetiu. Por gjithsesi figura e Nënë Terezës nuk mund të krahasohet me figurën, sado heroike, të një përfaqësueseje të Kryqit të Kuq, ose të "Mjekëve pa kufij" apo të ndonjë humanisti.

Pikërisht procesi i lumnimit e më vonë edhe ai i kanonizimit, sqaruan pse nuk duhen bërë thjeshtëzime e as paralelizma të tilla. Procesi dioqezan i kryeipeshkvisë së Kalkutës nxori në dritë, përmes dëshmive dhe letrave, të cilat Nënë Tereza vetë ia pati drejtuar atit shpirtëror dhe kryeipeshkvit të Kalkutës, më shumë përmasën mistike, se sa atë bamirëse, theksimi i së cilës ndonjëherë edhe është tepruar.

Motra shenjte shqiptare, fytyra e rrudhur e së cilës të kujtonte gjeografinë e vuajtjes në botë, nuk jetoi si e varfër ndërmjet të varfërve thjeshtë për t'u shërbyer njerëzve të braktisur nga shoqëria: Nënë Tereza kishte një qëllim më të lartë: të ndiqte varfërinë e Jezu Krishtit mbi kryq, zbatonte një për një planin dhe vullnetin e Zotit.

"Shpirti im është përplot me dashuri, me gëzimin e papërshkrueshëm të bashkimit të pandërprerë me dashurinë e Krishtit. Jezusi nuk më kërkon gjë tjetër, veçse t'i dhuroj atij vetveten, varfërinë time, hiçin tim" - shkruante. Për ta kuptuar më mirë çka u tha më sipër, tregohet kjo anekdotë: një gazetari amerikan, i cili, duke e parë Nënën Terezë të përkulur, tek mjekonte plagët e një të gërbuluri, që kullonin gjak e qelb, i pati thënë se ai nuk do ta kishte bërë këtë shërbim as për një milion dollarë, Nënë Tereza i qe përgjigjur aty për aty: "As unë nuk do ta bëja kurrë për aq para. Por e bëj falas për dashurinë ndaj Krishtit!". 

Diçka të ngjashme i pati thënë Nënë Terezës edhe motrave të saj një ministër indian: "Bëjmë të njëjtën punë, por me një ndryshim të vetëm: ne e bëjmë për diçka, ju për Dikë".  Megjithatë, duhet theksuar se misticizmi i Nënë Terezës nuk është ishull izolimi: përkundrazi, ajo nuk mbyllej kurrë në vetvete, ia hapte portën kujtdo, e gatshme për t'i shërbyer me të gjitha forcat, siç ishte mësuar që në moshë ende të njomë nga prindërit e saj, nga familja e saj shqiptare e Bojaxhiut.

"Në se nuk e kryen një gjest bamirësie me dashuri, të lutem, më mirë mos e bëj fare" - i thoshte e ëma, nana Drane. E akoma: "Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin, t'i jenë mirënjohës Zotit e jo ty". Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e Nënë Tereza, simbol i dukshëm i dashurisë së Tij. Mori mbi supet e brishta barrën e stër-rëndë të të gjithë varfanjakëve të botës, duke e ditur se kështu kënaqte Zotin e vet.

Ky, pra, është thelbi i përshpirtërisë së Shën Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfrit e të braktisurit, e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Jezusit mbi Kryqi dhe në Ngjalljen e Krishtit. E kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na lë trashëgim Nënë Tereza. Nënë dhe motër në emër të Zotit At! Në festën liturgjike kishtare të Shenjtës Nënë Terezës, që kremtojmë më 5 shtator, t'i drejtohemi Zotit, që të na ndihmojë ta duam njëri-tjetrin kurdoherë me këtë uratë që Shën Nënë Tereza na ka lënë:

‘Hapna sytë tanë, o Zot!”
O Zot, hapna sytë tanë, që të mund të shohim Ty
në vëllezërit e motrat tona.
Hapna veshët tanë, që t’i dëgjojmë thirrjet
e atij që ka uri, që ka të ftohtë e frikë,
të atij që është i shtypur dhe i përbuzur.
Hapna zemrën tonë, o Zot, që të mund të mësojmë
ta duam njëri-tjetrin
ashtu si na do Ti.
Përtërije vazhdimisht në ne, Shpirtin tënd, o Zot,
që të jemi të lirë e të bashkuar në emrin Tënd të shenjtë. Amen!

04 shtator 2022, 20:35