Të meditojmë me Ungjillin e Dielës së 22-të të vitit kishtar 'C': i përvuajturi do të lartohet
R.SH. - Vatikan
Etërit e mëdhenj të Kishës këshillojnë të mos e caktojmë menjëherë përvujtërinë si synim në jetë, sepse kjo mund të na bëjë të rrëshqasim ngadalë drejt një lloj “vetëmjaftueshmërie” të hollë. Më vonë, kjo mund të çojë në një konsideratë të tepruar për vetven, ndërsa përvujtëria e vërtetë ka të bëjë me një këndvështrim që të nxjerr nga vetvetja, për të shkuar drejt Jezu Krishtit dhe për të kuptuar dualitetet e mëdha të fesë, si: madhështia e Zotit dhe vogëlsia e njeriut, përjetësia dhe kufizimi i kohës, shpresa e Parrizit dhe dobësitë tona, bukuria e shenjtërisë dhe tmerri i mëkatit. Për t’u bërë të përvuajtur, duhet t’i duam shumë të tjerët, na mëson Jezu Krishti. Të ndjekim pjesën ungjillore të Dielës së 22-të të vitit kishtar 'C' nga Luka 14,1.7-14)…
Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. Duke vënë re sesi të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë: “Kur ndokush të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë qё duhet nderuar më tepër se ti, që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet, e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”
Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve”. Fjala e Zotit
Të lutemi së bashku
Kam vënë re, o Jezus,
se nuk jam i pandjeshëm
para nevojës për të qenë dikushi,
i vlerësuar, i nderuar, i lavdëruar.
Kur duhet punë, unë nuk tërhiqem,
por, pastaj, pres që të më njihen
aftësitë, lodhja, rezultati
i impenjimit tim të madh.
Nuk më mjafton thjesht, pjesëmarrja, o Jezus,
por kërkoj pozita më të rëndësishme e më të larta,
hipi me qejf në çdo skenë,
vihem nën dritat e saj, sepse
nuk dua të kaloj pa më parë të tjerët.
Për të njëjtat arsye, u qëndroj larg
punëve më të përvuajtura
që, shpesh, nuk bien aspak në sy,
janë punë të rënda e s’të japin fort kënaqësi.
Më liro o Jezus, nga ankthi
i protagonizmit dhe i suksesit,
nga dëshira për të dalë mbi ujë, për t’u dukur.
Më bëj të qashtër e pa interes,
bujar dhe plot kujdes për të varfërit,
i gatshëm për të ndarë dhimbjet e tyre,
për t’i ndihmuar kur kanë nevojë.
Më mëso udhën e dhembshurisë,
të ëmbëlsisë e të mëshirës.
Më liro nga krenaria e nga madhështia,
nga çdo xhelozi e zili, më vër në buzë
vetëm fjalë mirësie dhe bëj që duart e mia
të hapen plotësisht për të mjerët e kësaj toke.