Kërko

Pamje nga sulmet policore në Nikaragua Pamje nga sulmet policore në Nikaragua  (AFP or licensors)

OKB: në Nikaragua, sulm kundër demokracisë e kundër Kishës

Sipas Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, hapësira demokratike në Nikaragua pengohet seriozisht. Shqetësim për sulmet kundër Kishës dhe organizatave të shoqërisë civile. Ipeshkvit të Matagalpës dhe Kishës nikaraguane i arrijnë mesazhe solidariteti nga mbarë bota

R. SH. - Vatikan

Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, “e shqetësojnë shumë pengesat serioze në hapësirën demokratike dhe qytetare të Nikaraguas si dhe veprimet e fundit kundër organizatave të shoqërisë civile, duke përfshirë edhe ato të Kishës Katolike”, siç është bastisja e natës nga policia në selinë ipeshkvnore të Matagalpa-s. Ky, pohimi i zëdhënësit të OKB-së Farhan Haq, gjatë një konference për shtyp. Guterres - vazhdon zëdhënësi - përsërit thirrjen drejtuar qeverisë së Daniel Ortegës për t’u garantuar “mbrojtjen e të drejtave të njeriut të gjithë qytetarëve, sidomos, të drejtat universale të mbledhjeve paqësore, lirinë e organizimit, të mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë”. Më pas bën thirrje për lirimin e të gjithë personave, arrestuar padrejtësisht.

Ipeshkvi Álvarez, i rrëmbyer me forcë, në arrest shtëpiak

Mbrëmë Policia Kombëtare e Nikaraguas bastisi ipeshkvninë e Matagalpa-s, prej nga u largua duke marrë me forcë 9 vetë, edhe vetë ipeshkvin Rolando Álvarez, për t’i transferuar në Managua. Prelati tani është në arrest shtëpiak, në selinë e tij, në kryeqytetin e Nikaraguas, ndërsa 8 të tjerët, në një kazermë, për hetime.

Mesazhe solidariteti nga mbarë bota

Ipeshkvi i Matagalpës dhe Kisha e Nikaraguas vijojnë të marrin mesazhe solidariteti nga e gjithë bota. Për këtë dhunë foli edhe sekretari i Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA), Luis Almagro, i cili dënoi “forcat shtypëse të regjimit Ortega-Murillo-s” duke kërkuar edhe lirimin e menjëhershëm të ipeshkvit të Matagalpës, të njerëzve të tjerë të arrestuar si dhe të gjithë të burgosurve politikë.

Komisioni ndër-amerikan për të Drejtat e Njeriut (CIDH), organ autonom i Organizatës së Shteteve Amerikane, dënon ashpër “shkallëzimin e shtypjes kundër anëtarëve të Kishës Katolike në Nikaragua dhe i kërkon shtetit  t’i ndërpresë menjëherë këto akte të shëmtuara”, duke liruar ipeshkvin Rolando Álvarez dhe të arrestuarit e tjerë. Këto ngjarje - thotë CIDH – “janë pjesë e persekutimit, kriminalizimit, ngacmimit të përditshëm “kundër anëtarëve të Kishës Katolike në Nikaragua, për shkak të rolit të tyre si ndërmjetës në Dialogun Kombëtar 2018 dhe të qëndrimit kritik kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut, në kuadrin e krizës së vendit, që vijon”. Komisioni i bën përsëri thirrje qeverisë së Nikaraguas “t’i ndërpresë sulmet e vazhdueshme kundër Kishës Katolike”, t’i lirojë “të gjithë personat, të cilëve vijon t’u mohohet arbitrarisht liria dhe ta ndalojë menjëherë shtypjen në vend”.

Kishat e të gjitha kontinenteve po tregojnë solidaritet të madh me Kishën e Nikaraguas në këto orë, duke i ftuar besimtarët të luten dhe të përfshihen aktivisht në komunitetin katolik të këtij vendi të Amerikës Qendrore.

20 gusht 2022, 11:21