Kërko

Lutje për murgeshat nigeriane Lutje për murgeshat nigeriane 

Nigeri: u liruan katër murgeshat e rrëmbyera të dielën

U liruan murgeshat e kongregatës së Jezu Krishtit Shpëtimtar, që u rrëmbyen në zonën Okigwe-Umulolo, në jug të vendit, nga një grup burrash të armatosur, ndërsa po shkonin në meshë. Lajmin e dha sekretarja e përgjithshme e familjes rregulltare

R.SH. – Vatikan

         Gëzim i patreguar ndër Motrat e Jezusit Shpëtimtar në Nigeri. Katër murgeshat e kësaj kongregate, që u rrëmbyen të dielën nga një grup njerëzish të armatosur, në zonën Okigwe-Umulolo, ndërsa shkonin në meshë, u liruan dje. Në një deklaratë, sekretarja e përgjithshme e familjes rregulltare, motër Zita Ihedoro, njofton se të katërta (motër Johannes Nwod, motër Christabel Echemazu, motër Liberata Mbamalu dhe motër Benita Agụ) u liruan pa kushte.  Murgeshat falënderuan të gjithë ata, që u qëndruan pranë me lutje e mbështetje morale. “Duam ta ndajmë këtë gëzim me të gjithë burrat dhe gratë vullnetmirë, që kontribuan, në një mënyrë ose në një tjetër, për lirimin e shpejtë të motrave tona” shkruan motër Zita.

Sekuestrimet për të kërkuar para janë gjithnjë e më të shumta

Kongregata e Motrave të Jezusit Shpëtimtar është themeluar më 6 gusht 1985 në Elele të Nigerisë jugore. Aty ndodhet edhe shtëpia e eprores së përgjithshme, në dioqezën e Port Harcourt. Është i pari dhe i vetmi institut fetar femëror autokton në dioqezë. Rregulltaret u shërbejnë të sëmurëve, të vuajturve e të varfërve. Gjatë muajve të fundit, në Nigeri, janë shtuar rrëmbimet, sidomos nga banditë dhe njerëz të armatosur, qëllimi i vetëm i të cilëve është kërkesa për shpërblim. Në shënjestër janë veçanërisht meshtarët dhe krerët e feve të ndryshme. Jo më larg se javën e kaluar, në rrugën ndërmjet Okigwe dhe Umunneochi, u rrëmbyen një meshtar katolik dhe një seminarist, të cilët u liruan pas dy ditësh.

24 gusht 2022, 14:32