Kërko

Ndiqet në celular mesha e imzot Alvarez, i bllokuar në shtëpi nga forcat e policisë së Nikaraguas Ndiqet në celular mesha e imzot Alvarez, i bllokuar në shtëpi nga forcat e policisë së Nikaraguas 

Në Nikaragua mbyllen 100 organizata të tjera jofitimprurëse

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Nikaraguas, imzot Carlos Enrique Herrera, i dërgon një letër kreut të Celam (Këshilli Ipeshkvnor i Amerikës Latine dhe Karaibeve), duke shprehur mirënjohjen për vëllazërimin e treguar nga Kisha kontinentale ndaj asaj lokale, gjatë gjendjes së vështirë, krijuar nga mbyllja e radiove katolike, dëbimi i motrave të Nënë Terezës dhe bllokimi në shtëpi të ipeshkvit të Matagalpës. Ndërkaq, mbyllen 100 organizata të tjera jofitimprurëse

R.SH. – Vatikan

“Ipeshkvijtë e Konferencës së Nikaraguas (CEN) janë mirënjohës për shprehjen e vëllazërimit dhe të solidaritetit, që presidenca e Celam-it (Këshilli Ipeshkvnor i Amerikës Latine dhe Karaibeve) i ka shprehur Kishës së Nikaraguas në këto kohë të vështira, veçanërisht për imzot Rolando Álvarez”, ipeshkvin e Matagalpës. Kështu fillon letra e dërguar nga kreu i ipeshkvijve të Nikaraguas, imzot Carlos Enrique Herrera, kryetarit të Celam-it, imzot Miguel Cabrejos Herrera, të cilit i ripohon angazhimin për të shpallur Ungjillin e paqes.

Mbyllen 100 ojq

Imzot Herrera njofton edhe se pas mbylljes së disa radiove katolike, pas dëbimit të motrave të Nënë Terezës dhe pas bllokimit në shtëpi të ipeshkvit të Matagalpës, dje, regjimi i Daniel Ortegës, i cili eliminoi kundërshtarët e tij politikë, për t’u zgjedhur për herë të katërt si president i vendit, nxorri jashtë ligjit edhe 100 organizata të tjera jofitimprurëse civile, që veprojnë në fushën humanitare. “Për mosrespektimin e detyrimeve të përcaktuara nga legjislacioni”, thuhet në faqen e internetit të Parlamentit të Managuas. Gjatë këtij viti, janë shpallur të paligjshme 1069 Ojq, ndërsa nga dhjetori 2018, numri i tyre arrin në 1268.

Shtypja vazhdon

         Po dje, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Nikaragua, përmes ​​një deklarate publike, shprehu shqetësimin për imzot Rolando Álvarez, i cili vazhdon të mbahet i bllokuar në Kurie, së bashku me njerëzit, që e ndihmojnë. Policia e pengon prelatin të dalë nga shtëpia për të kremtuar meshën. Ky tension, nënvizon Qendra, po shkakton “një pështjellim të përgjithshëm në gjirin e popullatës, gjendje ankthi dhe histeri kolektive”. Në këtë kuadër të vështirë, Kisha e Nikaraguas vijon Kongresin Kombëtar Marian, i cili do të zgjasë deri më 15 gusht, duke ia caktuar çdo ditë një tematike të veçantë. Sot, për shembull, është Dita e Dëshmisë, ndërsa nesër, Dita e Lutjes dhe e Adhurimit Eukaristik.

Nikaragua: Kishë e persekutuar?

         Sipas një studimi me titull “Nikaragua: një Kishë e persekutuar”, nga viti 2018 deri në maj 2022, kundër Kishës Katolike janë regjistruar 190 akte të dëmshme. Vetëm në vitin 2019, ka pasur 48 raste, që është vënë në rrezik kleri, duke e detyruar të mërgojë (meshtarë, ipeshkvij, murgesha, seminaristë, laikë). Ndër kërcënimet më të rënda, shpërthimi i një bombe molotov kundër fugures së Krishtit në katedralen e Managuas.

10 gusht 2022, 16:23