Kërko

Monsignor Paolo Pezzi, arcivescovo della Madre di Dio a Mosca Monsignor Paolo Pezzi, arcivescovo della Madre di Dio a Mosca

Imzot Paolo Pezzi: Papa në Kazakistan, një udhëtim i rëndësishëm për katolikët rusë

Katolikët rusë shprehin, me një shtegtim në Kazakistan, dashurinë dhe besnikërinë ndaj Papёs Françesku pёr vizitën e tij në Nur-Sulltan me rastin e Kongresit tё Feve Botërore. Kështu pohoi në një intervistë kryeipeshkvi i Kryedioqezës së Nënës së Zotit në Moskë, imzot Paolo Pezzi

R.SH. - Vatikan

Kryedioqeza katolike e Nënës së Zotit në Moskë ka organizuar një shtegtim me rastin e vizitës që Papa Françesku do të bëjë në Kazakistan nga data 13 deri më 15 shtator tё ardhshëm për të marrë pjesë në Kongresin e Shtatë Botëror të liderëve të feve botërore dhe tradicionale, një ngjarje në favor të paqes dhe kundër përdorimit të fesë për justifikimin e konflikteve.

Shtegtimi, i cili do të zhvillohet nën moton "Jemi dëshmitarë të unitetit", do të fillojë në Moskë më 12 shtator: ndalesa e parë është Omsk, një qytet rus në Siberi. Shtegtarët, të nesërmen, do të arrijnë në Karaganda, në Kazakistan, dhe prej këtu do të shkojnë në Karlag, një nga gulagët më të mëdhenj sovjetikë, ku midis viteve 1930 dhe 1960 humbën jetën dhjetëra mijëra të burgosur. Një vend martirizimi edhe për shumë të krishterë, përfshirë rusët. Më 14 shtator, grupi i shtegtarëve tё kryedioqezёs katolike tё Moskёs do të shkojë në Nur-Sulltan për të marrë pjesë në Meshën e kryesuar nga Papa Françesku në Sheshin e Expo. Më 15 shtator do të fillojë udhëtimi i kthimit tё shtegtarëve për në Moskë.

Për Imzot Paolo Pezzi, kryeipeshkёv i kryedioqezёs sё Nënës së Zotit në Moskë, i intervistuar nga redaksia ruse e Radio Vatikanit-Vatican News, tha se ky është një shtegtim shumë domethënës që dëshiron të shprehë afërsinë e katolikëve rusë me Papёn Françesku në kontekstin e vizitës sё tij në Kazakistan. Këto janë fjalët e Imzot Pezzi:

Vizita e Papës në Kazakistan është shumë e rëndësishme për ne besimtarët katolikë rusë. Para së gjithash, sepse ne nuk e dimë nëse dhe kur Papa do të jetë në gjendje të vijë tek ne dhe Kazakistani është vendi më i afërt me ne ndër ato vende  që vizitohen nga Papa dhe për këtë arsye është një mundësi e madhe, edhe pёr arsye se drejt Kazakistani është e mundur të shkojmë me njëfarë lirie. Për më tepër, kemi mundësinë edhe për t’i shprehur Atit tё Shenjtё besnikërinë tonë, ndjekjen dhe mbi të gjitha dashurinë tonë, sepse rusët e duan Papën. Ja, kjo është ajo që na shtyn të shkojmë në një shtegtim për të takuar Papёn Françesku.

Në faqen e Kryedioqezës së Nënës së Zotit në Moskë ёshtё botuar një ftesë për të marrë pjesë në shtegtim dhe përveç programit janë botuar fjalët e Imzot José Luis Mumbiela Sierra, ipeshkёv i dioqezës së Trinisë Shenjte në Almaty, Kazakistan, dhe president i ipeshkvijve të Azisë Qendrore, intervistuar nga Vatican News:

"Ne nuk jemi shtegtarë në kërkim të një uniteti të paarritshëm, por dëshmitarë të një uniteti që tashmë e kemi pёrjetuar në zemrat tona, sepse i vetmi Zot banon në shpirtrat tanë dhe na dërgon që të gjithë ata njerёz që janë krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe përngjasimit së vet të mund tё gëzojnë jetën dhe dashurinë e tij”.

16 gusht 2022, 16:20