Kërko

Caritas Donetsk në Dnipro Caritas Donetsk në Dnipro 

Dnipro: dinjitet e shpresë, shërbimi i Karitasit ukrainas për të shpërngulurit

Të ikësh nga frika se mos të vrasin, të lësh gjithçka, por edhe të gjesh njerëz, që të kuptojnë e të ndihmojnë. Kjo është përvoja e ukrainasve të mirëpritur nga vullnetarët e Karitasit të Donetskut, një punë që pasurohet gjithnjë e më shumë me ekspertë, ndërsa ndryshojnë fytyrat e të ikurve nga bombat. Tani, janë kryesisht të moshuar

R.SH. – Vatikan

“Na thyhet zemra kur shohim njerëzit që, pas rreth tridhjetë ditësh kaluar në strehime kundërajrore, hanë bukë për herë të parë, duke e ngjyer me lot; e, për herë të parë, bëjnë një dush të ngrohtë. Vështirë të besohet se e gjithë kjo po ndodh në shekullin XXI”. Kështu dëshmon Mila Leonova, përgjegjëse për komunikimin në Karitasin ukrainas të Donetskut, selia e të cilit, pas shpërthimit të luftës në Donbas, tetë vite më parë, u zhvendos në Dnipro, kryeqendra e rajonit Dnipropetrovsk, qyteti i tretë i vendit. Pas 24 shkurtit, vullnetarët filluan të punojnë pa u lodhur për të plotësuar nevojat e mijëra njerëzve, që ikin nga rajonet e bombarduara nga ushtria ruse, veçanërisht nga Kharkiv, Luhansk dhe Donetsk.

Karitasi i Donetskut në Dnipro
Karitasi i Donetskut në Dnipro

Kush ikën e si pritet

"Dnipro është bërë një lloj qendre për mikpritjen e njerëzve të shpërngulur”, pohon Mila. Që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë, në atë rajon kanë mbërritur rreth 300.000 refugjatë dhe më se 100.000 vetë janë strehuar në qytet. Madje, këto janë shifrat zyrtare, mendoj se ato reale janë dy herë më të larta”, pohon gruaja, që nënvizon se largimi nga shtëpia nuk është i lehtë për askënd. “Të parët që erdhën – nënvizon ajo – ishin njerëzit me potencialin më të madh financiar. Vala e dytë ishin ata që hezituan, duke i kaluar bombardimet nëpër bodrume, rreth një muaj para se të mbërrinin në Dnipro. Vijnë tek ne në kushte të tmerrshme. Këtu kemi një strehë, ku refugjatët qëndrojnë nga një deri në pesë ditë. Ne u japim ndihmën e parë, mundësinë për të pushuar dhe për të vendosur se çfarë duan të bëjnë. I ndihmojmë edhe të gjejnë pak forcë shpirtërore për të vijuar jetën”.

Karitasi i Donetskut në Dnipro
Karitasi i Donetskut në Dnipro

Vala e fundit e të ardhurve: të moshuarit

Kishte e ka edhe një valë tjetër. Mila tregon se ajo përbëhet kryesisht nga të moshuar mbi 70 vjeç. “Janë njerëz me të ardhura mjaft të ulëta, - shpjegon - e gjithë jeta e tyre zhvillohej rrotull shtëpisë apo lagjes. Nuk kishin aspak dëshirë të largoheshin, por vullnetarët i morën me vete. U detyruan të vijnë këtu, prandaj, ndihen të brishtë, të çorientuar, e kanë të vështirë të shoqërohen me dikë. Ne përpiqemi t'i ndihmojmë edhe ata”.

Karitasi i Donetskut në Dnipro
Karitasi i Donetskut në Dnipro

Lufta nuk ndalet

Dnipro nuk është qytet plotësisht i sigurt: alarmi kundërajror dëgjohet pothuajse çdo ditë, raketat ruse godasin periodikisht si ndërmarrjet industriale, ashtu edhe ndërtesat civile. “Në ditët e para të pushtimit, kur shumë njerëz u larguan për në perëndim apo jashtë vendit, e kisha të vështirë të vendosja nëse duhej të largohesha apo të qëndroja”, thotë përgjegjësja e komunikimit në Karitasin e Donetskut. “Nga njëra anë, isha e shqetësuar për sigurinë e djalit tim pesëvjeçar. Shpërthimet i dëgjonim nga afër: ajo zhurmë e pangatërrueshme, nuk harrohet kurrë. Por, kur pashë sa shumë njerëz vinin në Dnipro e sa nevojë kishin për mbështetjen tonë, vendosa të qëndroj. Në ekipin tonë bëjnë pjesë shumë të ikur nga Donbasi në vitin 2014, prandaj, janë shumë të ndjeshëm ndaj nevojave të të shpërngulurve. Gjithashtu, po në Dnipro, janë edhe zyrat e Karitasit të qyteteve të tjera, si Severodonetsku dhe Rubizhne (rajoni Luhansk), të cilave u është dashur të zhvendosen.

60 mijë vetë ndihmohen nga Karitasi

Në këto gati gjashtë muaj, më shumë se 60.000 vetë kanë marrë ndihma nga Karitasi i Donetskut. Përveç ndihmës bazë, anëtarët e organizatës kishtare përpiqen të krijojnë një atmosferë ku secili e ndien se i respektohet dinjiteti. “Për shembull, në fillim na vinin shumë njerëz çdo ditë, vinin në katër të mëngjesit e formonin një radhë tepër të gjatë. Nuk ishim në gjendje t'i ndihmonim të gjithë”, kujton Mila Leonova. “Prandaj, ftuam menjëherë ekspertë krizash për të na ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve, që lindën gjatë radhëve të gjata, si edhe për të zbutur tensionin, në mënyrë që askush të mos ndihej ‘i shpërngulur’, por thjesht njeri, që vjen për të kërkuar ndihmë dhe e merr atë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne: jo vetëm të japim diçka materiale, por edhe t'i ndihmojmë njerëzit të rigjejnë besimin dhe shpresën në Zotin”.

Karitasi i Donetskut në Dnipro
Karitasi i Donetskut në Dnipro

Dinjiteti dhe shpresa: gjërat më të rëndësishme

Mila tregon se më parë fjala "dinjitet" nuk dëgjohej shpesh, por tani njerëzit e përdorin, sepse e përjetojnë privimin prej tij, prandaj, e kuptojnë menjëherë kur u kthehet dinjiteti. Shumë projekte të Karitasit të Donetskut synojnë pikërisht këtë. Një nga programet përfshin psikologë, animatorë dhe pedagogë shoqërorë, që ndihmojnë refugjatët - fëmijë dhe të rritur - të integrohen në vendin e ri. “Ka rëndësi t’i ndihmojmë njerëzit të rifitojnë besimin në forcat e tyre, të mos qëndrojnë gjatë në rolin e viktimës, që i pengon të jenë proaktivë dhe të ecin përpara”, shpjegon Mila.

Projekti "Dinjiteti njerëzor"

Oksana Akchebash, e cila vjen nga qyteti i Rubizhnes, në rajonin e Luhanskut, e di mirë se ç’do të thotë të privohesh nga shtëpia dhe dinjiteti. Ajo punonte në Karitasin vendas, ku ndihmonte njerëzit që jetonin në enklava nga viti 2014. Pasi lufta u zgjerua, edhe ajo u largua nga qyteti i saj, i cili u pushtua nga ushtria ruse majin e kaluar. Tani jeton në Dnipro dhe është koordinatore e projektit "Dinjiteti njerëzor" në Karitasin e Donetskut. “Nuk e mendoja kurrë se do të më duhej ta lija shtëpinë”, pohon ajo. “Edhe para 24 shkurtit, situatat e rrezikshme nuk ishin të reja për mua: për të shkuar në enklava duhej të vishnim jelekun antiplumb dhe helmetën, pasi na qëllonin edhe fare afër. Kur natën ndërmjet 22 e 23 shkurtit dëgjuam tanket, që na kalonin poshtë pallatit, nuk doja të besoja se lufta do të merrte përmasa kaq të mëdha. Prandaj, fillimisht, vendosëm të mos iknim. Por, erdhi koha kur nuk kishte më gaz, elektricitet, ujë. Flinim të veshur. Ishte djali im më i vogël, që na shtyu të largoheshim: një ditë, pasi dëgjoi të shtënat, u zbeh si dylli dhe nuk pushonte së qari. Morëm pak gjëra dhe dolëm nga shtëpia. Rrugët që të çonin në qytet ishin të minuara, kështu që unë me djalin dhe babain morëm një shteg të ngushtë në këmbë, ndërsa burrit iu desh të kalonte me makinë nëpër një varrezë. As që më kujtohet mirë se si ndodhi gjithçka, por falë Zotit ia dolëm”.

Karitasi i Donetskut në Dnipro
Karitasi i Donetskut në Dnipro

Oksana ka mall për shtëpinë e vet. Nëse në Karitas vijnë njerëz nga krahina e saj, i ndjen sikur të ishin familjarë. "Shpresojmë - përfundon - që gjithçka të marrë fund së shpejti, që të arrihet paqja dhe të kthehemi në shtëpi për të rindërtuar qytetet tona".

17 gusht 2022, 16:31