Bien kambanat në Kishën e rindërtuar në Curraj të Epërm
R.SH. - Vatikan
Kisha e Shna Ndout në Currajt të Epërm, Shqipëri, u ruajt nga banorët gjatë komunizmit, edhe kur vala për shembjen e objekteve të kultit ishte tejet e fortë. Ndodhej përballë kullës së ngujimit, që e ruante në besë për dy javë çdo njeri, që kishte hyrë në gjak, me shpresën e pajtimit. Por, nëse nuk gjendej një udhë pajtimi, pas 15 ditëve, banorët i thonin gjaksit të largohej. Tani, në kohë të tjera, po ata banorë, me ndihmën e bijve të tyre emigrantë e jo vetëm, e rindërtuan dhe e zbukuruan Kishën e Shna Ndout të Padovës, që ajo të kthehej sërish në një vend takimi vëllazëror dhe lutjeje, ku i thuren lavde Zotit të Gjithpushtetshëm, Atit tonë të përbashkët.
Kështu, më 6 gusht 2022, në orën 11.00, me kremtimin e Meshës të kryesuar nga ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë, në praninë e besimtarëve e qytetarëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e diaspora, si edhe të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nga qeveria e Prishtinës, e të autoriteteve të tjera, Kisha e Shan Ndout, ndërtuar në vitin 1897-ën nga vetë burrat e Currajve, rrënuar nga regjimi komunist, tani pësrëri e rindërtuar, u bekua dhe kambanat e saj jehuan sërish me tingujt që na thhërasin t'i drejtojmë syt drej Qiellit. Ato ishin dhuratë ambasadorit të Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, Flamur Gashi, kosovar dhe e kushëririt të tij, Milazim Ademi, ndërsa kryqet e Kishës, nga biznesmeni e humanisti Skënder Thaçi.
Njё Kishё, kjo e Shna Ndout në Currajt të Epërm, e rindërtuar me njё dashuri birnore e vëllazërore, me ndihmё financiare e materiale, me njё pёrkushtim tё veçantё pёr tё nderuar Zotin, tё parёt, traditёn, kulturёn e pёr tё hapur shtigje tё reja premtuese
Ja dёshmia e Skënder Thaçi:
Për mua ka qenë kënaqësi qe të marr pjesë në përurimin e Kishës së restauruar të Currajve t'Eperm. Por si vёllau kur shkon te vëllau për vizitë për shtëpi të re dhe nuk shkon duar thatë, unë vendosa që iniciativës shokut tim dhe vëllait tim Ambasador Flamur Gashi për të dhuruar dy Kumbona për Kishën, të bëja dhuratë disa KRYQA si shenjë respekti dhe vlerësimi për vëllezërit e mi të Currajve t'Eperm. Si pukjan që jam me origjinë e ndjeva veten krenar që mora pjesë në këtë aktivitet.
Ja dёshmia e Skënder Përpepaj, njëri nga iniciatorët e parëme dr. Mhill Gecaj ish kryetar i Shoqates "Nikaj-Mertur", një veprimtar i shquar dhe donatori kryesor për restaurimin e Kishës nё Curraj, hapjen e rrugës për nё Curraj, shërimin e shume fëmijëve, shkollimin e fëmijëve dhe donacione tё ndryshme humanitare:
Mendja, zemra dhe ëndërrat çdoherë me çojnë në vendlindjen time në Curraj t'Eperm. Sa herë kam mundësi mblidhem me vëllezërit dhe familjaret e mi, por edhe me shokët dhe miqtë e Currajve që të kontribojmë për zonën tonë, jo vetëm për Currajt e Epërm por për krejtë Nikaj Merturin dhe Malësinë.
Pas hapjes së rrugës për makina nga Vrana për në Curraj t'Eperm me kontributet tona vullnetare ishte radha e Kishës. Në fakt çdo gji ka filluar me një fotografi që e kishte nxjerrë nëfacebook Dom Gabriel Grabanica, prift nga Kosova me shërbim ne Ulqin, një dashamirës i madh i zonës tonë që e ka vizituar me dhjetëra herë Nikaj-Merturin dhe sidomos Currajt e Eperm. Fotografi që kishte posti Dom Gabrieli ishte e kulmit të dëmtuar të Kishës dhe plasaritjes së murit.
Pas kësaj foto, jam takuar me dr. Mhill Gecajn kryetarin e Shoqatës "Nikaj-Nertur" dhe kemi vendosur që të bëjmë një takim me djemtë e Currajve që janë në Angli, Itali, etj. Në fakt, ne kishim vendosur që tv fillonim iniciativën për rregullimin e Kishës, por fotografia e Dom Gabrielit e nxiti më shumë përshpejtimin e punës.
Pas takimit në Londër së bashku me dr. Mhillin, jemi marr vesh që të fillojmë me punën. Pastaj në vjeshtën e vitit të kaluar kemi vizituar Kishën e Currajve t'Eperm së bashku me Imzot Simon Kulli, Ipeshkëv i Sapës ku jemi dakorduar edhe me drejtuesit fetar tё kёsaj dioqeze për fillimin e punës.
Falë kontributit të djemve të Currajve sot Kisha ka përfunduar. Sivjet do të fillohet me KUMBANOREN dhe me ndihmёn e Zotit vitin tjetër do të jetë e përfunduar.
Falënderoj me gjithë zemër të gjithë ata që kanë kontribuar për restaurimin e Kishës dhe në veçanti mikun tim dhe mikun e të gjithë Currajve Ambasador Flamur Gashin i cili së bashku me nipin e tij i bën dhuratë dy KUMBONA për Kishën tonë si dhe materiale të tjera të nevojshme për Kishën. Gjithashtu një falënderim edhe për mikun tonë tjetër Skënder Thaçi i cili bëri dhurate disa kryqa për Kishën e sapo restauruar. Edhe ky rast tregoj me vepra se shqiptarët janë vëllezër të gjakut dhe të kombit dhe nuk i ndanë asgjë për të mirën e te gjetheve.
Curraj Eper, e lidhur ngushtësisht me Kishën e Shna Ndout, ёshtё nё dalluar gjithmonë pёr mbrojtjen e identitetit kombëtar, të lirisë sё shprehjes, tё vëllazërimit e tё besimit. Tani, jo vetëm i Curraj Eper, edhe Nikaj-Mërturi, Malësia e Gjakovës e Dukagjini në krah festuan për kёtё Tempull tё Zotit të rindërtuat si dëshmi e vëllazërimit dhe e vlerave tё lashta historike, kulturore dhe etnogjeneze tё kombit, në prehrin e Alpeve shqiptare.
Kështu mund të pohohet se rindërtimi i Kishës së Shan Ndout është një hap i mëtejshëm rikualifikimi për zonën, pasi vetëm disa vite më parë, Curraj i Epërm konsiderohej fshati më i izoluar i Evropës. Banorët janë betuar të mos i shesin tokat e shtëpitë, por e kanë gjithnjë derën hapur për miqtë, që kalojnë në ato anë. E vërtet, sidomos verës, në fshat kalojnë shumë turistë, që dëshirojnë të shijojnë bukuritë e qarkut të Kukësit. Madje, më 2015, Kisha u rregullua për herë të parë pikërisht nga disa turistë çekë. E tani, duart e bamirësve shqiptarë, në bashkëpunim me të rinjtë e bënë edhe më të bukur e të përshtatshme për kultin fetar, duke kujtuar gjithmone se në Kishё hyjmë për të dashur Zotin, prej këtu dalim për të dashur të afërmin e çdo njeri tjetёr. Urime!