Azia Qendrore: Festivali i të rinjve katolikë në pritje të Papës Françesku
R.SH. – Vatikan
Në dhjetëditëshin e parë të gushtit, në Kirgizistan u mbajt Festivali i parë i Rinisë Katolike të Azisë Qendrore. Të rinj nga anë të ndryshme të vendit, por edhe nga Uzbekistani, Kazakistani dhe Rusia Siberiane, u mblodhën në qendrën jezuite të Issyk-Kul për të kaluar disa ditë pushimi dhe lutje, në përgatitje për vizitën e Papës Françesku në Kazakistan, në shtator të këtij viti.
Pas një pauze dyvjeçare, për shkak të kufizimeve kundër koronavirusit, të rinjtë katolikë kanë filluar të takohen sërish. Kësaj radhe, 60 prej tyre arritën të mblidhen së bashku në një përvojë, kushtuar kryesisht rizbulimit të identitetit të krishterë dhe ndjenjës së përkatësisë në Kishë. Meshtarët dhe animatorët shkëmbyen reflektime e meditime, patën diskutime në grupe të vogla dhe në asamble.
Program i përbashkët për shërbimin shoqëror dhe bamirës
Qëllimi përfundimtar i Festivalit ishte organizimi i një programi të përbashkët për shërbimin shoqëror dhe bamirës në famullitë dhe në vendbanimet e pjesëmarrësve. U paraqitën 6 projekte për shërbimin në ndihmë të të moshuarve dhe të braktisurve, për fëmijët dhe familjet nevojtare si edhe për të rinjtë në përgjithësi. Më pas, projektet do të verifikohen me kritere profesionale, për të përcaktuar qëllimet, kontekstet, grupet e interesuara, rezultatet e dëshiruara, frytshmërinë, buxhetin në dispozicion dhe kohën e zbatimit.
Bukuritë e natyrës së Issyk-Kul
Përtej reflektimeve, punës dhe diskutimeve, të rinjtë patën mundësinë të shijojnë bukuritë e natyrës së Issyk-Kul, pasi qendra e jezuitëve ndodhet 100 metra larg bregut të “Liqenit të ngrohtë” (ky është kuptimi i emrit të vendit), një pellg i madh me ujë të kripur ndërmjet maleve Kungey Alatau në veri dhe Terskey Alatau në jug, pjesë e vargmalit Tian Shan, liqeni i dytë malor më i madh në botë, pas liqenit Titikaka në Amerikën e Jugut. Karakteristika kryesore, siç sugjeron edhe emri, është temperatura e këndshme e liqenit, i cili nuk ngrin as në dimrat më të ftohtë.
Etërit jezuitë shërbejnë në Kirgizistan që nga vitet ‘90
Një pjesë e rëndësishme e Festivalit ishin tri ditët e alpinizmit, sfidë dhe përvojë emocionuese për shumë prej pjesëmarrësve. Etërit jezuitë shërbejnë në Kirgizistan që nga vitet ‘90, me një bashkësi tejet dinamike, që përbëhet nga misionarë me përvojë dhe të rinj, në lëvizje të vazhdueshme ndërmjet Azisë Qendrore dhe Siberisë.
Shkolla Teologjike Verore në Azinë Qendrore
Në korrik, në Issyk-Kul u mbajt edhe sesioni i parë i “Shkollës Teologjike Verore në Azinë Qendrore”, me 20 pjesëmarrës të zgjedhur nga ipeshkvijtë në Kirgizistan, Uzbekistan dhe Kazakistan. Argumentet kryesore të kurseve ishin: historia e krishterimit në Azinë Qendrore, hyrje në Teologjinë Morale dhe në Shkrimin Shenjt, si edhe çështje të Antropologjisë së Krishterë. Në shkollë pritej të merrnin pjesë edhe disa katolikë nga Taxhikistani, të cilët nuk mundën të vinin, për shkak të tensioneve në kufijtë Kirgizistan-Taxhikistan, por shpresohet që ata të mbërrijnë në sesionin e ardhshëm.