Kërko

Liqeni i Shën Anës në Kanada Liqeni i Shën Anës në Kanada

Udhëtim në Kanada. Në gjurmët e shenjtorëve Joakini dhe Ana

Prindërit e Marisë, të cilët Kisha i kujton më 26 korrik, e “shoqërojnë” shtegtimin e 37-të apostolik të Françeskut. Populli kanadez është shumë i lidhur me Nënën e Zojës e sonte, rreth mesnatës me orën evropiane, Papa do të marrë pjesë në shtegtimin brigjeve të liqenit me emrin e Shën Anës, në veri të Albertës, tradicional për katolikët që nga fundi i shekullit të 19-të. Ky vend, ku lindi një mision katolik më 1842, është i njohur si vend shërimi

R.SH. - Vatikan

Kisha kujton sot shenjtorët Joakini dhe Ana. Të papranishëm në Bibël, i njohim kryesisht nga nga tekstet apokrife. Papa i kremton sot në  Edmonton, ku është shumë i përhapur devocioni për Shën Anën, me një Meshë në “Commonwealth Stadium”. Pasdite, merr pjesë, pastaj, në shtegtimin tradicional të bashkësive indigjene në Lac Ste Anne, rreth 72 kilometra nga Edmonton. Shtegtimi, kushtuar nënës së Marisë, është një nga takimet shpirtërore më të rëndësishme për besimtarët e Amerikës së Veriut e Papa, prillin e kaluar, kur priti delegacionet e popujve indigjenë në Vatikan, shprehu qartë dëshirën për të qenë me ta në këtë përvjetor:

“Mbushem me gëzim, për shembull, kur mendoj për nderimin e përhapur tek shumë prej jush për Shën Anën, gjyshen e Jezusit. Këtë vit do të doja të isha me ju në ato ditë. Sot ne duhet të rilidhim besën e gjyshërve me nipërit, të moshuarve me të rinjtë, kusht themelor për unitetin më të madh të bashkësisë njerëzore”.

Shën Joakini e Shën Ana
Shën Joakini e Shën Ana

Devocioni për Shën Anën në Kanada

Ana dhe Joakini ishin bashkëshortë nga Jeruzalemi. Burri i përkiste prejardhjes së Davidit. Pasardhësit e shumëdëshiruar u vijnë pas njëzet vitesh martesë dhe lutjesh të pandërprera drejtuar Zotit, që i bën prindër të Marisë, nënës së Jezusit. Ana e mëson të bijën të bëjë punët e shtëpisë, ndërsa Joakimi kujdeset me dashuri për nevojat. e familjes. Ata nderohen që në shekullin e parë të krishterimit. E kanadezët janë veçanërisht të lidhur me nënën e Virgjërës, së cilës i kushtohen kisha, shkolla, fshatra e doemos, fëmijë! Të kremtuar nga Kisha më 26 korrik, ishin misionarët ata që ua bënë të njohur popujve indigjenë të cilët, të organizuar në grupe të vogla, mblidheshin si fis për të diskutuar çështje gjatë verës, pas sezonit pranveror të peshkimit përgjatë brigjeve dhe lumenjve. Nisën, kështu, ceremonitë dhe festimet, që u krijuan misionarëve francezë mundësinë për t’i njohur vendasit me krishterimin, duke ndërthurur historinë e Shën Anës me besimet tradicionale popullore, në të cilat figurat femërore luanin një rol të rëndësishëm. Gjyshja e Jezusit u bë kështu mbrojtësja e popullsive kanadeze dhe, më 1628, u ndërtua kapela e parë kushtuar asaj, në Cap Breton. Kulti u përhap dhe arriti në brigjet e një liqeni, në Alberta, që quhej Liqeni i Zotit ose Liqeni i Shpirtit. Këtu, Bijtë e Zojës së Papërlyer themeluan një mision dhe, më 1889, organizuan shtegtimin e parë për nder të Shën Anës, e cila i dhuroi liqenit një emër të ri. Vendi u shndërrua në vend lutjeje dhe tubimesh shpirtërore. Që nga viti 2004, për vlerën e tij shoqërore dhe kulturore, u shpall Vend Historik Kombëtar i Kanadasë. 

Shën Ana me Marin5 e vogël, Durer, Metropolitan Museum i Nju Jorkut
Shën Ana me Marin5 e vogël, Durer, Metropolitan Museum i Nju Jorkut

Gjyshërit dhe transmetimi i besimit

Një vlerë themelore lidhet edhe me gjyshërit e Jezusit: “vlera e çmuar e familjes si vend i privilegjuar për të transmetuar fenë”. Shenjtorët Joakini dhe Anna - shpjegon Papa në Engjëllin e 26 korrikut 2013 - janë pjesë e një zinxhiri të gjatë, që i transmetoi Marisë besimin dhe dashurinë për Zotin, në prehërin e ngrohtë të familjes. Ndaj ajo e mirëpriti në kraharorin e saj Birin e Zotit, për të ia dhuruar botës, domethënë, ne.

Festa e shenjtorëve Joakin dhe Ana është edhe festa e gjyshërve:

“Sa të rëndësishme janë në jetën e familjes - shton Papa - për të komunikuar atë trashëgimi të njerëzimit dhe të besimit, që është themelore për çdo shoqëri! Dhe sa i rëndësishëm është takimi dhe dialogu ndërmjet brezave, veçanërisht brenda familjes”.

26 korrik 2022, 15:23