Kërko

I nisi dy e nga dy, sepse "aty ku janë dy në emrin tim, aty jam edhe unë" I nisi dy e nga dy, sepse "aty ku janë dy në emrin tim, aty jam edhe unë" 

Të meditojmë me Ungjillin: i nisi dy e nga dy

Kur Jezu Krishti u dha dishepujve të vet misionin për t’u lutur që Zoti të dërgojë punëtorë në të korra e për të shpallur Ungjillin aty ku i pranojnë, na nisi edhe ne me mision, edhe sot e kësaj dite, pasi askush nuk bëhet misionar e nxënës i tij nga vetvetja. Nuk duhet harruar se ne jemi veç të dërguarit e Tij, siç mësojmë nga Ungjilli sipas Lukës (10,1-12.17-20) i kësaj së diele XIV të vitit kishtar (C)…

R.SH. - Vatikan

“Në atë kohë, Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë dhe i dërgoi dy e nga dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë,  do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër! Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: ’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”  Të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Shejtani porsi rrufeja prej qiellit! Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. Veç mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”.

Të lutemi së bashku

Ungjilli nuk është doktrinë

për pak të zgjedhur,

as ndonjë mesazh për t’u analizuar

në rrethe të ngushta intelektualësh.

E nuk është i destinuar

për ndonjë grup njerëzish me merita,

pavarësisht nga ndjeshmëria, impenjimi

apo kultura e tyre.

 

Jo, Ungjilli yt, o Jezus,

është Lajm i Mirë, që duhet

të arrijë tek çdo burrë e tek çdo grua,

e çdo kohe dhe e çdo vendi,

e çdo race dhe e çdo kulture,

e çdo shtrese shoqërore,

e çdo përkatësie fetare.

Për të gjitha këto, ata 72 vetë që Ti i nise,

janë simbol e njëkohësisht,

mjet i rëndësishëm.

 

Natyrisht, detyra e tyre,

si ajo e misionarëve të çdo kohe,

nuk është aspak e lehtë:

Ti i dërgon si qengja në mes të ujqërve,

të pambrojtur e pa mbështetje,

pa mjete e pa fonde.

Pasuria e tyre është veç Fjala jote

e shëlbimit dhe e mëshirës,

si edhe pushteti, që u dhe,

për të shëruar të sëmurët,

për të liruar ata, që janë peng i së keqes,

e kështu, t’u dhurojnë të gjithëve paqen tënde.

02 korrik 2022, 10:08