Kërko

Besimtarët luten për jetën e meshtarëve të rrëmbyer Besimtarët luten për jetën e meshtarëve të rrëmbyer 

Nigeri: Atë Amodu lirohet pas dy ditësh

Meshtari u rrëmbye të premten e kaluar në shtetin Benue. Lajmin e rrëmbimit e dha dioqeza e Otukpo-s përmes një komunikate, ku bën thirrje për siguri më të madhe në vend.

R. SH. - Vatikan

Atë Peter Amodu, i rrëmbyer më 6 korrik gjatë autostradës Otukpo-Ugbokolo, në shtetin Benue, në juglindje të vendit, u lirua në Nigeri. Lajmi u bë i ditur në një njoftim për shtyp nga sekretariati dioqezan i Otupko, përmes të cilit falënderohet Zoti për lirimin e tij:

“Falënderojmë gjithë meshtarët, besimtarët, laikët dhe njerëzit vullnetmirë që u solidarizuan dhe u lutën për lirimin e shpejtë dhe të sigurt të vëllait tonë të rrëmbyer” – lexohet akoma në deklaratë.

 Lutja për meshtarët e tjerë të rrëmbyer

Në dy javët e fundit, dy meshtarë të tjerë u rrëmbyen në shtetin Edo: Atë Peter Udo, i Kishës Katolike të Shën Patrikut në Uromi, i sulmuar nga persona të armatosur, dhe Atë Philemon Oboh, i Qendrës së Ushtrimeve shpirtërore të Shën Jozefit, në Ugboha, grabitur nga makina e tij ndërsa ishte duke udhëtuar. Më 4 korrik, në dioqezën e Kafanchan, u zhduk At Emmanuel Silas.

 “Vazhdojmë ta lëmë në dorë të Zotit jetën e shumë njerëzve të tjerë, që mbahen të burgosur nga bandat kriminale në të katër anët e vendit, duke u lutur për shpëtimin e tyre të sigurt” - shkruan dioqeza e Otupkos: “Lutemi që, me ndërmjetësimin e Virgjërës  Mari, Zoti të na ruajë nga çdo e keqe dhe t’i kthejë sigurinë vendit tonë, Nigerisë”.

Dy viktima, muajin e kaluar

700 meshtarë demonstruan javën e kaluar në Kaduna, pas funeralit të At Vitus Borogo, rrëmbyer dhe vrarë nga njerëz të panjohur në rrugën për në Kachia.  Dy meshtarë të tjerë u vranë qershorin e kaluar: At Joseph Aketeh Bako, vrarë nga rrëmbyesit nuk dihet se ku, gjithashtu në shtetin Kaduna dhe atë Christopher Odia, në shtetin Edo.

10 korrik 2022, 15:24