Kërko

Át Diego Fares Át Diego Fares 

Ndërroi jetë Át Diego Fares. Bergoglio e pranoi ndër jezuitë

Rregulltari vdiq në moshën 66-vjeçare në rezidencën e Shoqatës së Jezusit në Romë, pas një sëmundjeje të gjatë. Që nga viti 2016, shkrimtar në “La Civiltà Cattolica”, kujtohet nga drejtori i revistës së jezuitëve, Át Spadaro, si “i jashtëzakonshëm për mençurinë, humorin dhe forcën”. Funerali do të kremtohet të enjten, më 21 korrik, në orën 10.30, në Kurien e Përgjithshme të jezuitëve në Romë

R.SH. – Vatikan

 “Afër njerëzve, afër Jezusit”. Mendonte njësoj si Papa Françesku Át Diego Fares, jezuit argjentinas, shkrimtar i revistës së njohur “La Civiltà Cattolica”, i cili ndërroi jetë dje, në Romë, në moshën 66-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë. Kur ishte epror provincial, në vitin 1976, Jorge Mario Bergoglio e pranoi atë në Shoqërinë e Jezusit, duke u bërë më vonë drejtues shpirtëror dhe pikë referimi e vazhdueshme. Në mars 2018, me rastin e meshës së Krishtlindjes, Papa Françesku u dhuroi meshtarëve pikërisht librin e Át Diegos “10 gjërat që Papa Françesku u propozon meshtarëve”. E hera e fundit, që shkoi për vizitë tek miku i tij, ishte jo më larg se 10 korriku.

Intelektual, që përvesh mëngët

Át Fares lindi në Mendoza të Argjentinës, më 9 gusht 1955. U formua në Kolegjin Maximo de San Miguel dhe u shugurua meshtar më 12 dhjetor 1986. Tezën e doktoraturës në filozofi ia kushtoi fenomenologjisë të së vërtetës sipas Hans Urs von Balthasar dhe e mbrojti në vitin 1994, në Universidad del Salvador. Në të njëjtin universitet, shërbeu si pedagog i Metafizikës, por jepte mësim edhe në Universitetin Katolik Papnor të Argjentinës. E ndërthuri gjithnjë veprimtarinë e tij akademike me impenjimin baritor, përmes predikimit të ushtrimeve shpirtërore dhe shërbimit për më të fundmit. Punoi për rreth njëzet vjet në Buenos Aires me një ekip prej mbi njëqind laikësh, në “Shtëpinë e Shën Jozefit” (El Hogar de San José), strehë për njerëzit, që jetojnë në rrugë, ose në kushte varfërie të skajshme. Shërbeu edhe në “Shtëpinë e Mirësisë” (Casa de la Bontad), një qendër për të sëmurët në gradën e fundit, themeluar nga jezuiti Át Ángel Rossi, me të cilin shkroi libra të ndryshëm.

“Gjithmonë mund të mbështeteshe tek ai”

Në vitin 2016, Át Diego Fares filloi veprimtarinë e tij si shkrimtar për “La Civilità Cattolica”, në të cilën - lexojmë në faqet e revistës së jezuitëve - “mundi të ndërthurte urtinë baritore dhe intelektuale”, “me pasion dhe pa e kursyer veten”. “Diego – shkruan drejtori i saj Át Antonio Spadaro, në Twitter – ishte një sivëlla jezuit unik, i jashtëzakonshëm për mençurinë, humorin, forcën e tij. Njeriu mund të mbështetej gjithmonë tek ai, sepse arrinte të ishte i lumtur, pa menduar për veten, por për Zotin e jetës së tij”.

Përveç shkrimeve si bashkëpunëtor në revistat e filozofisë dhe të përshpirtërisë, Át Fares kishte vite që kujdesej për blogun “Kundrimi i Ungjillit”. Ndër botimet e shumta, bie në sy “Si pika e ujit mbi sfungjer. Papa Françesku, mjeshtër i shoshitjes”, “Programi i lumturisë. Lumnitë me Papën Françesku”, “Të hapur ndaj sfidave. Propozime për formimin në jetën rregulltare e meshtarake”, “Parfumi i bariut. Ipeshkvi, në vizionin e Papës Françesku” dhe “Papa Françesku është si bambu. Në rrënjët e kulturës së takimit”.

20 korrik 2022, 15:20