Kërko

capella del Sangue di Cristo, nella Cattedrale di Managua capella del Sangue di Cristo, nella Cattedrale di Managua

Gjaku i Krishtit, gurrë lirie e jete

Korriku, kushtuar Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit, na kujton kryqëzimin, Gjakun e Zotit, derdhur në Kalvar për shpëtimin e mbarë njerëzimit. E të secilit prej nesh!

R.SH. - Vatikan

Gjatё muajit korrik Kisha katolike romake i fton besimtarët të luten që njerëzimi i sotëm ta provojë forcën e Gjakut të Krishtit, që u derdh në Kryq për shpëtimin tonë. Në çdo kremtim Eukaristik, në fakt, së bashku me Korpin e Krishtit, bëhet i pranishëm Gjaku i tij i Çmuar i Besëlidhjes së re dhe të amshuar, i derdhur për të gjithë për faljen a shpërblimin e mëkateve (krh. Mt 26,27).

Gjaku i Krishtit përfaqëson Jetën e tij njerëzore dhe hyjnore, me vlerë të pafundme, që i ofrohet Drejtësisë për faljen e mëkateve të të gjithë njerëzve të çdo kohe dhe vendi. Kush pagëzohet dhe beson, siç tha Jezusi, do të shëlbohet (Mk 16,16) me anë të gjakut të Krishtit.

"O Jezus, duke menduar për çmimin tejet të lartë të Gjakut Tënd të Paçmueshëm, po më gëzon lartësia e tij, sepse edhe një pikë e vetme të tij mjafton për t’i shpëtuar të gjithë mëkatarët. Megjithëse mëkati është pafundësia e keqdashjes dhe e mosmirënjohjes, për ne është paguar çmimi i pakrahasueshëm. Për këtë arsye çdo shpirt le ta gjejë besimin në Mëshirën Tënde të pakufishme. Amen", kështu lutej, mes tjerash,  Shën Maria Faustina Kovalska, rregulltare mistike, me të cilën lidhet ngushtë kulti i Mëshirës Hyjnore.

Kështu, korriku, kushtuar Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit, na kujton kryqëzimin…

Gjakun e Zotit, derdhur në Kalvar për shpëtimin e mbarë njerëzimit,

që na shpëtoi nga kthetrat e vdekjes

e na hapi rrugët e jetës së pasosur!

Ndaj nga zemrat tona të brishta, që kanë aq nevojë për liri e jetë, i drejtojnë lutjen e zjarrtë:

“Lumni të qoftë ty, o Krisht, e Gjakut tënd, që më lan,

më fal, më çliron.

Lavdi të qoftë: gjaku yt më shëron, më bekon, më komunikon jetën.

Lavdi: gjaku yt i paçmueshëm depërton në të gjithë korpin tim dhe e mbush me paqen tënde, me shpëtimin tënd, me faljen tënde!

Lavdi,  Gjaku yt m’i shlyen mëkatet,

më mbron, më jep forcë në betejën për jetën,

e më siguron fitoren në bejlegun me vdekjen!

03 korrik 2022, 16:28