Françeskanët: “Pak e të vegjël, por gjithnjë përkrah të vegjëlve"
R.SH. - Vatikan
“Vendosëm të jetojmë pranë rusëve, të mos largohemi nga bashkësitë dhe famullitë ku kryejmë aktualisht shërbimin tonë baritor. Do ta vazhdojmë misionin për të mirën e atyre që takojmë, para së gjithash të varfërve dhe të harruarve” që nuk mungojnë kurrë. Kështu shprehet fra Dariusz Harasimowicz, frat konventual, duke folur me agjencinë Fides për temat kryesore baritore, prekur gjatë Kapitullit VI të Kujdestarisë së Përgjithshme Ruse të Shën Françeskut të Asizit (Rossijskaja General'naja Kustodija sv. Franciska Assizskogo), mbajtur në Shën Petersburg nga 21 deri më 27 qershori i kaluar.
Kapitulli rizgjodhi Epror të Përgjithshëm të Kujdestarisë, fratin Dariusz, misionar në Rusi që prej njëzet e gjashtë vjetësh, i cili përvijoi perspektivat e reja për katër vitet e ardhshme:
“Pika më e rëndësishme - nënvizon frati - ishte të kuptonim se, pavarësisht nga numri i vogël i fretërve, jemi të thirrur të rrimë aty ku jemi, duke forcuar praninë në realitetet e qyteteve, ku kemi gjashtë kuvendet tona, domethënë në Moskë, Shën Petersburg, Chernyachovsk, Kaluga, Astrakhan dhe Nur-Sulltan, në Kazakistan”.
Sot Françeskanët konventualë në Rusi dhe Kazakistan janë gjithsej gjashtëmbëdhjetë. Vijnë nga Lituania, Sllovenia, Polonia, Bjellorusia dhe Italia, përveç tre të rinjve në formim (një prej të cilëve me origjinë ruse dhe një me origjinë kazake). Megjithëse në Rusi nuk ka shumë anëtarë të Urdhërit, në Kapitullin e Përgjithshëm u mor vendimi për vazhdimin e misionit në bashkësi të vogla, por të vendosura në disa vende, në mënyrë që të mos mungojë shërbimi baritor në bashkësitë ku çonin e çojnë Fjalën dhe praninë e Zotit.
Problemi tjetër, në qendër të vëmendjes gjatë punimeve të Kapitullit, ishte rëndësia e përdorimit të shpeshtë dhe të frytshëm të kuvendit të Urdhërit në Shën Petersburg: “Struktura është e përshtatshme për takimet dhe ushtrimet shpirtërore të grupeve të besimtarëve”, shpjegon Pater Dariusz.
Tema e tretë baritore, që u prek, ishte ajo e dëshirës së shprehur nga Kapitulli për të vazhduar, në katër vitet e ardhshme të pranisë misionare në Rusi dhe Kazakistan, veprimtarinë e shtëpisë botuese françeskane, themeluar nga Urdhëri në Moskë, më 1994:
“Nuk duam të nxjerrim fitime nga veprimtaria jonë botuese. Çka dëshirojmë, është t’i përdorim botimet si mjet ungjillëzimi. Dëshira është e madhe, por të mëdha edhe shpenzimet e duhura financiare, tepër të mëdha, për xhepat e vegjël vëllezërve të varfër të Shën Françekut”.
Historia e fundit e Urdhërit në Rusi dhe Kazakistan fillon pas rënies së BRSS kur, në vitin 1993, fretërit e vegjël konventualë u thirrën në ato troje nga Imzot Tadeusz Kondrusiewicz, atëherë administrator apostolik i Rusisë Evropiane. Në fillim të misionit të tyre, fretërit vareshin nga krahina të ndryshme polake të Urdhërit por, në vitin 2001, lindi Rojtaria e e Përgjithshme Ruse e Shën Françeskut të Asizit, e cila përfshin edhe Kazakistanin.