Të meditojmë me Ungjillin: Shpirti Shenjt do t’ju mësojë gjithçka
R.SH. - Vatikan
Në atë kohë, Jezusi u tha dishepujve: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, - e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt - Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë.
Të lutemi së bashku
Pa Shpirtin Shenjt, o Jezus,
asgjë s’mund të rritet e të plotësohet.
Shkrimi Shenjt mbetet
i mbyllur e i pashqyrtueshëm,
historia duket pa kuptim
e pa drejtim,
Lajmi i Mirë ka rrezik të jetë
fjalë e pafrytshme,
sprovat – pengesë
e pamundur për t’u kapërcyer
e bota e re, veç një kimerë,
një ëndërr, një iluzion
paketuar enkas për të brishtët e kësaj toke.
Vetëm Shpirti Shenjt, o Jezus,
mund ta shndrisë udhën tonë,
të na bëjë të shohim kuptimin më të thellë
të ngjarjeve, që na ndodhin.
Vetëm Shpirti Shenjt mund të depërtojë
tymnajën e dendur, që na pengon
ta shohim horizontin e të na ngjallë shpresën
për t’i parë ato qiej të rinj e atë tokë të re
që Ti na i ke premtuar në mirësinë Tënde pa fund.
Vetëm Shpirti Shenjt, o Jezus,
mund të na e heqë nga zemra
trishtimin, që na paralizon,
shkurajimin, që na bllokon
e të na japë guximin dhe besimin
e nevojshëm për të arritur
horizontin e shtegtimit tonë,
plotësinë e një jete të amshuar.