Filluan Trembëdhjetë Ditët e Shëna Ndout
R.SH. - Vatikan
Nisën, më 1 qershor 2022, Trembëdhjetë ditët e Shenjtit, çaste lutjeje dhe përgatitjeje, për të arritur në festën e Shëna Ndout. Por pse quhen Trembëdhjetë ditët? Dhe pse përgatitja zgjat pikërisht 13 ditë?
Shëna Ndou është i vetmi, që u shpall shenjt pa u mbushur as një vit pas vdekjes, më 13 qershor 1231. Bula papnore për kanonizimin e vëlla Antonit u dorëzua në Spoleto, më 30 maj 1232. Duke nisur nga e nesërmja, mbeteshin 13 ditë për t’u kthyer në Padovë dhe për të përgatitur festën solemne të Antonit, që tashmë ishte shenjtor. Kjo, arsyeja pse quhen Trembëdhjetë ditët, sepse janë ditë shumë të rëndësishme për besimtarët dhe shtegtarët.
Prandaj, Trembëdhetshja, në Itali, fillon më 31 maj me shtegtimin e Bashkëvëllazërisë dhe Shoqatave të Bazilikës, të shoqëruara sivjet nga imzot Livio Corazza, ipeshkëv i Forlì-Bertinoro në Padovë, për të kujtuar predikimin e parë të Fra Antonit, mbajtur pikërisht në Forlì, më 1222.
Besimtarët dhe shtegtarët, që shkojnë për të nderuar Varrin dhe Reliket e Shëna Ndout, ruajtur në Kapelën e Thesarit, do të ndodhen para një të papriture prekëse: dje, e mërkurë, 1 qershor, në Kapelën e Relikeve, u përurua ekspozita “Me Jezusin në krahë”, ku do të mund të soditet deri më 9 tetor, e ashtuquajtura “Tavola di Camposampiero”, një pikturë e Antonio da Murano, realizuar në vitin 1486, që kujtohet nga shkrimtarët e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Piktura, e vendosur në Qelën e Vegimit, në Kishën e Shën Gjon Pagëzusit - e njohur me emrin Sant'Antonio në Camposampiero, e paraqet Shenjtin në sfondin e një peizazhi. Me rastin e restaurimit të kësaj pikture, u ekspozuan edhe disa objekte të tjera, që e shoqëruan Shenjtin në orët e fundit të jetës: zhguni i tij, guri i përdorur si jastëk dhe grathorja.
Projekti 13 Qershori online
“Projekti 13 Qershori online” përsëritet sërish këtë vit për ta çuar solemnitetin e Shenjtit në shtëpitë e besimtarëve dhe për t’u krijuar atyre, që nuk mund të shkojnë në Shenjtërore, mundësinë për t’i ndjekur gjithë ditën kremtimet përmes kanalit www.13giugno.org. që u kushtohet
Ashtu si vitin e kaluar, përmes faqes së internetit do të mund të ndiqen gjatë gjithë ditës online, të gjitha ato gjeste, që zakonisht kryhen në Bazilikë: mund të ndiqet Mesha (në ditën e solemnitetit të Shën Andout meshët do të kremtohen nga ora 6.00 e mëngjesit, deri në orën 21.00); mund “të preket simbolikisht Varri i Shenjtit; të shkruhet një lutje për Shën Andoun, e cila do të shtypet dhe do të vendoset nga fretërit në Varrin e Shenjtit; të ndizet një qiri virtual; të bëhet një donacion për Caritas Sant’Antonio për projekte solidariteti, mund të merret buka e bekuar e Shëna Ndout në shtëpi; të publikohet një lutje drejtpërdrejt në portal, duke i jetuar kështu emocionet e festës me besimtarët e tjerë.