Kërko

 La Madonna sotto la Croce, pittore Francesco Astiaso Garcia La Madonna sotto la Croce, pittore Francesco Astiaso Garcia

Virgjëra Mari na fton ta shohim Jezusin me sytë e fesë

Në shkollën e Zojës, mësojmë edhe ne ta njohim praninë e Shpirtit Shenjt Zot në jetën tonë. Virgjëra sheh me sytë e fesë veprën e Zotit në histori, prandaj, kёnga e saj e ‘Madhёrimit’ mbetet interpretimi më i vërtetë e më i thellë i historisë. Shën Maria sheh qartë se fronet e të pushtetshmëve të kësaj bote janë të gjithë të përkohshëm, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb, që nuk ndryshon e nuk bie, kёshtu Kisha na fton si të krishterë ta imitojnë Zojën.

R.SH. – Vatikan

Muaji kushtuar Zojës vazhdon. Le të kujtojmë fenë e Shën Marisë, model për çdo të krishterë. Në shkollën e Zojës, mësojmë edhe ne ta njohim praninë e Shpirtit Shenjt Zot në jetën tonë. Virgjëra sheh me sytë e fesë veprën e Zotit në histori, prandaj, kёnga e saj e ‘Madhёrimit’ mbetet interpretimi më i vërtetë e më i thellë i historisë. Shën Maria sheh qartë se fronet e të pushtetshmëve të kësaj bote janë të gjithë të përkohshëm, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb, që nuk ndryshon e nuk bie, kёshtu Kisha na fton si të krishterë ta imitojnë Zojën.

Të kemi dhe t’i ruajmё në vete të njëjtat ndjenja lavdërimi e falënderimi që Maria i drejton Zotit, të njëjtën fe e shpresë, të njëjtin lëshim të butë në duart e Provanisë Hyjnore. Ta imitojmë shembullin e saj të gatishmërisë dhe të bujarisë në shërbim të vëllezërve. Me të vërtetë, vetëm duke e pranuar dashurinë e Zotit e duke e kthyer jetën tonë në një shërbim bujar e pa interes ndaj të afërmit, do të mund t’i thurim këngë lavdi Zotit.

Zemra e Shën Marisë ёshtё model bamirësie për çdo besimtarё e pёr Kishën mbarё. Është vetë Jezu Krishti, Ai që e shtyn Shën Marinë të shkojë me bujari drejt të afërmit në nevojë. Ai e ndihmon të kapërcejë gjithçka. Zemra e Marisë, në pajtim të përkryer me Birin hyjnor, Jezusin, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet në fe, në shpresë e në dashuri. Ne, mund t’i drejtohemi Shën Marisë me anë të lutjes. Në veçanti, gjatё muajit maj, me Rruzaren, e cila na bën t’i përshkojmë etapat e jetës së Jezu Krishtit, në praninë e Zojës së Bekuar.

Kisha e vё në dukje edhe lidhjen e veçantë ndërmjet Shën Marisë, Shpirtit Shenjt e komunitetit tё besimtarëve. Në ditën e Rrëshajëve, Virgjëra Nënë duket sërish si Nusja e Shpirtit, si nënë universale për të gjithë ata që janë krijuar nga Zoti për fenë në Krishtin. Ja përse Maria është për të gjitha brezat, imazh e model i Kishës, e cila, sëbashku me Shpirtin Shenjt, ecën në kohë, duke pritur kthimin e lavdishëm të Krishtit: “Eja, o Zot, Jezus”.

Zoja, pra, është e para që e ka pranuar Krishtin e prandaj është e mbushur me gëzim nga Shpirti Shenjt. Duke e ndjekur e duke e imituar, jemi të gjithë të thirrur ta jetojmë këtë gjendje hiri. Të pranojë Jezusin e t’ua çojë Atë të tjerëve është gëzim i vërtetë për të krishterin! Të dashur vëllezër e motra, ta ndjekim e ta imitojmë Marinë, këtë shpirt thellësisht eukaristik, e krejt jeta jonë do të bëhet Magnificat.

19 maj 2022, 18:24