Kërko

Holy Land Coordination Holy Land Coordination

“Toka e Shenjtë. Hlc 2022: “Jeruzalemi nuk duhet të bëhet monopol i një feje të vetme”

U publikua dje, në Jeruzalem, Deklarata përfundimtare e ipeshkvijve të Koordinimit të Tokës së Shenjtë të cilët, që nga 21 maji, po vizitojnë bashkësitë e krishtera vendase. Tema e udhëtimit “Jerusalem, vendi i shpirtit – Nënë, që na edukon dhe na bën të rritemi”

R.SH. - Vatikan

U publikua dje, në Jeruzalem, Deklarata përfundimtare e ipeshkvijve të Koordinimit të Tokës së Shenjtë të cilët, që nga 21 maji, po vizitojnë bashkësitë e krishtera vendase.  

 “Jeruzalemi është qytet hebre, i krishterë dhe mysliman. Ai duhet të mbetet trashëgimi e përbashkët. Nuk duhet të bëhet kurrë monopol i një feje të vetme”. Këtë përsërisin ipeshkvijtë e Koordinimit të Tokës së Shenjtë (FDH) në deklaratën përfundimtare të vizitës së tyre vjetore të solidaritetit, titulluar me fjalët e Psalmit 137: “Jeruzalem, ty në të harrofsha, eshkë u bëftë e djathta ime!”, shkëputur nga Psalmi i famshëm  136 (137), titulluar ”Mbi Lumenjtë e Babilonies”. Nuk ishte rastësi zgjedhja e këtij Pslami, shkruar nga një poet i panjohur hebre, i internuar, që shprehte me këto fjalë dashurinë e tij të pafundme për Qytetin Shenjt - emri i të cilit kujtohet 656 herë në Bibël - e përkon me temën e vizitës së këtij viti (21-26 maj) “Jeruzalem, vend i shpirtit tim - Nënë që na edukon e na rrit”

Bisedime dhe takime

Pesë ditë takimesh me bashkësitë e krishtera vendase të Jifna-s, Beit Hanina-s, Ramallah-ut, Birzeit-it dhe Jeruzalemi-t, me patriarkun latin, Pierbattista Pizzaballa, me At Dobromir Jasztal, famullitar i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, me imzot Tomasz Grysa, nënkryetar i misionit të Nunciaturës Apostolike dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera katolike të Qytetit të Shenjtë. Të shumta, temat e prekura në bisedimet, që dalin edhe në dokumentin përfundimtar, si roli dhe rëndësia e të krishterëve në Jeruzalem, vështirësitë e tyre në jetë, e ardhmja e të rinjve, kushtet e azilkërkuesve dhe punëtorëve migrantë dhe mundësia (a utopia) se Qyteti i Shenjtë mund të bëhet një ditë Kryeqytet “për dy shtete”. Deklarata u nënshkrua nga ipeshkvijtë Declan Lang, Kryetar i HLC, Udo Bentz (Gjermani), Peter Bürcher (Vendet nordike dhe Zvicra), Nicholas Hudson (Comece), Alan McGuckian (Irlandë) dhe William Nolan (Skoci).

Prania e krishterë kërcënohet

Duke cituar fjalët e Patriarkut Pizzaballa, që theksoi “është e drejta dhe detyra jonë si të krishterë të mbështesim hapjen dhe universalitetin e qytetit”, ipeshkvijtë e FDH-së (Koordinimit të Tokës së Shenjtë) kujtojnë se “bashkësia e krishterë është themelore për identitetin e Jeruzalemit, si sot, ashtu edhe në të ardhmen, e megjithatë, prania e saj kërcënohet vazhdimisht nga pushtimi e padrejtësia”.

“Shumë nga ata që takuam - thuhet në dokument - ndeshen me dhunë dhe frikësime nga grupet e kolonëve, u kufizohet liria e lëvizjes ose ndahen nga familjet për shkak të statusit të caktuar”.

Ipeshkvijtë kujtojnë edhe “shqetësimin” e shprehur nga bashkësia e  krishterë gjatë takimeve të mbajtura, “për kufizimet e njëanshme të lirisë së adhurimit gjatë Pashkëve, me vendim të policisë izraelite”. Në deklaratën e tyre përfundimtare, ipeshkvijtë kujtojnë edhe “vrasjen e gazetares katolike palestineze” Shireen Abu Akleh, “dhimbjen e zemërimin e thellë të të krishterëve vendas” për këtë vdekje dhe “sulmin e turpshëm kundër pjesëmarrësve në funeralin e saj”. Ndërmjet çështjeve të ndryshme kritike, theksuar në tekst, është edhe denoncimi i “kushteve të varfërisë” në të cilat detyrohen të jetojnë njerëz me çdo prejardhje, edhe për shkak të pandemisë.

Thirrje shtegtarëve

"Mungesa e shtegtarëve dy vitet e fundit - shkruajnë ipeshkvijtë - e shkatërroi ekonominë, duke e dëmtuar rëndë bashkësinë e krishterë në Jeruzalem, sidomos disa familje, që vijojnë të hasin vështirësi për të siguruar strehimin, ushqimin e mjetet e tjera kryesore për jetesë”. Megjithatë, “edhe në mes të këtyre sfidave - për ipeshkvijtë - nuk mungojnë shenja shprese. Ne kemi vizituar - pohojnë - organizata të krishtera që marrin përgjegjësinë për mirëqenien e bashkësisë të tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi. Ata punojnë pa u lodhur për të lehtësuar kushtet dhe për të përmirësuar jetën. Takuam të rinj që, pavarësisht shkeljeve të përditshme të të drejtave të tyre themelore njerëzore, nuk duan të jenë brezi i fundit i të krishterëve në qytet”. Deklarata përfundon me një thirrje për shtegtarët që të kthehen në Tokën e Shenjtë:

“I ftojmë të mbështesin të krishterët në Jeruzalem dhe në mbarë Tokën e Shenjtë. Është themelore që të gjithë shtegtarët ta kuptojnë këtë dhe ta mbështesin jetesën e bashkësisë së krishterë vendase”.

Shtegtimi i vërtetë në Tokën e Shenjtë duhet të jetë udhëtim besimi, takimi dhe solidariteti. Papa Françesku pohon vlerën universale të Jeruzalemit, që  shkon përtej çdo konsiderate të natyrës territoriale. Të frymëzuar nga Krishti, paqja jonë, të gjithë të krishterët duhet të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit të shenjtë të qytetit dhe në promovimin e vizionit të Jeruzalemit si vend dialogu dhe uniteti”.

Koordinimi i Tokës së Shenjtë (FDH)

Koordinimi i Tokës së Shenjtë (FDH), në të cilin bëjnë pjesë ipeshkvij nga  Evropa, Amerika e Veriut dhe Afrika e Jugut, u krijua në fund të shekullit të 20-të me ftesë të Selisë së Shenjtë. Qëllimi është të vizitojë dhe të mbështesë bashkësitë vendase të krishtera të Tokës së Shenjtë. Detyra kryesore e Koordinimit është t’i nxisë të gjithë në katër drejtime. Janë: “Lutja, shtegtimi, presioni dhe prania”. Vizita e këtij viti u zhvillua në maj, dhe jo në janar, si zakonisht, për shkak të pandemisë. Edicioni i vitit 2023 i FDH-së do të mbahet janarin e ardhshëm, në Jordani.

27 maj 2022, 13:29