Kërko

Ngjitja e Krishtit në qiell Ngjitja e Krishtit në qiell 

Të meditojmë me Ungjillin: ndërsa i bekonte, u ngjit në qiell

Në Kishat e mbarë botës kremtohet më 29 maj e Diela e të Shëlbuemit, ose Ngjitja e Krishtit në Qiell, e cila, në Vatikan, u kremtua të enjten. Siç dihet, festat zhvendosen të dielën më të afërt, për t’u lejuar pjesëmarrjen gjithë besimtarëve. Në Ungjillin e kësaj së diele, marrë nga kreu 24 i Shën Lukës (46-53), Jezusi ndahet nga dishepujt, duke i bekuar e duke ua besuar Atit qiellor e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që ata të bëhen dëshmitarë të guximshëm të Tij

R.SH. - Vatikan

Në Kishat e mbarë botës kremtohet më 29 maj e Diela e të Shëlbuemit, ose Ngjitja e Krishtit në Qiell, e cila, në Vatikan, u kremtua të enjten. Siç dihet, festat zhvendosen të dielën më të afërt, për t’u lejuar pjesëmarrjen gjithë besimtarëve. Në Ungjillin e kësaj së diele, marrë nga kreu 24 i Shën Lukës (46-53), Jezusi ndahet nga dishepujt, duke i bekuar e duke ua besuar Atit qiellor e Shpirtit Shenjt, në mënyrë që ata të bëhen dëshmitarë të guximshëm të Tij. Në të gjitha kohrat, Shpirti Shenjt i ndihmon besimtarët të bëhen misionarë, në gjendje t’i tregojnë botës ku e ka burimin forca e fesë së tyre. Të ndjekim pjesën ungjillore…

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. Dhe, ja unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet deri që të vesheni me Fuqinë prej së larti.”  Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngjit në qiell. Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.

Të lutemi së bashku

Ti nuk i braktis dishepujt

në fatin e tyre, o Jezus,

nuk i lë vetëm t’u bëjnë ballë

rreziqeve dhe lodhjes

nga misioni, që u ke besuar.

Madje, duke u ngjitur në qiell Ti mund të jesh afër

secilit prej tyre, secilit prej nesh.

 

Natyrisht, prania jote, o Zot i ringjallur,

nuk i imponohet askujt,

por ata, që të kërkojnë,

ata, që të mirëpresin,

ata, që dëshirojnë

të vënë në jetë Fjalën tënde,

mund të mbështeten tek Ti

në çdo çast të jetës,

në çdo fragment të historisë.

 

Tani, çdo burrë e çdo grua,

nga çdo komb e çdo epokë,

mund të të takojnë të Gjallë në udhën e tyre.

Sepse Ti vjen drejt nesh

me Fjalën tënde,

ruajtur në Ungjij,

Fjalë që na i shndrit e na i gjallëron zemrat.

Sepse Ti vazhdon ta dhurosh vetveten

si një Atë i mirë,

që dhuron jetën e pasosur.

Sepse Ti vjen për vizitë

përmes vëllezërve tanë,

sidomos përmes atyre,

që na kërkojnë ndihmë.

28 maj 2022, 09:30