Kërko

VI Domenica di Pasqua C - Gesù con i discepoli VI Domenica di Pasqua C - Gesù con i discepoli

Të meditojmë me Ungjillin: Jezusi na kërkon të duam në mënyrë konkrete

Ti, o Jezus, s’na kërkon të të duam vetëm me fjalë.. Ti, Jezu Krishti u premton dishepujve se Shpirti Shenjt do t’u kujtojë gjithçka u pati thënë...

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj së diele, e gjashta e kohës së Pashkëve 'C', është nga Gjoni ( 14,23-29)

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë…. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë”. 

Ti, o Jezus, s’na kërkon të të duam

Vetëm me fjalë.

Ti nuk mjaftohesh

me pranimin tonë,

me duartrokitjet,

me konsensusin.

Për ty, dashuria është diçka konkrete,

reale, e prekshme:

tregohet me fakte,

me vendime e me jetën

e çdo dite.

Edhe, e sidomos

kur kjo na dhemb,

kur nuk është e lehtë

të rreshtohemi në anën tënde,

të ndjekim rrugën tënde,

të plotësojmë vullnetin e Atit Qiellor.

Na ndihmo pra, o Zot

Ta pranojmë Fjalën tënde

Edhe kur është tepër kërkuese.

Na dhuro forcën, guximin,

ta bëjmë realitet në jetën tonë.

E kur sprovohemi,

kur tundohemi ta shkëmbejmë

paqen e gëzimin tënd

me ndonjë avantazh të kotë

na jep urtinë të zgjedhim

çka vlen me të vërtetë.

Shpirti yt na kujtoftë fjalët e tua

që ne t’i përballojmë

ndërlikimet e jetës me shpirt të qetë.

21 maj 2022, 12:05