Kërko

Një planet për t’u mbrojtur, një britmë ende për t’u dëgjuar

Në 7-vjetorin e enciklikës Laudato si’, një bilanc për ç’është bërë deri tani. Fjalët profetike të Papës Françesku kanë prekur qeveritarët e fëmijët, duke e shndërruar në procese të frytshme urgjencën e kujdesit për shtëpinë e përbashkët dhe për çdo krijesë

R.SH. – Vatikan

Nëse Toka do të ishte njeri, sot do ta gjenim në shtratin e ndonjë spitali, me morfinë në krah për t’i lehtësuar dhimbjet e shumta, mizore, që e mundojnë. Vetë njeriu, këto dekadat e fundit, u bë mjeku, që i bëri diagnozën, rezultat i analizave klinike të specializuara. E diagnoza s’është aspak e mirë për jetëgjatësinë e saj: ndotje, pasoja nga ndryshimet klimatike; zhdukje e biolarmisë; borxh ekologjik i veriut ndaj jugut të botës, i lidhur me çekulibrimet ekonomike; antropocentrizëm; dominim i teknokracisë dhe i financave, me mbizotërimin e “kulturës së hedhurinave”, që shfrytëzon fëmijët, braktis të moshuarit, skllavëron të dobëtit, tregton organe dhe diamante të lyera me gjak. Është fjala për një lloj “kanceri” në fazën e fundit, që fatkeqësisht, lë indiferentë shumë vetë, sepse nuk u ka prekur ndonjë familjar apo ndonjë mik të vjetër.

Po njeriu-mjek, aq skrupuloz në fazën e diagnostikimit, harroi të gjente një kurë. Ose aty ku e gjeti, nuk e vijon çdo ditë, me dashuri. Shtatë vjet më parë, më 24 maj 2015, me enciklikën Laudato si’, mendoi për këtë Papa Françesku, i cili propozoi  një terapi kundër sëmundjeve të Tokës, duke u bërë thirrje për zbatimin e saj jo mjekëve profesionistë, por “të gjithë grave dhe burrave vullnetmirë”: 221 faqe - hyrja, 6 kapituj dhe dy lutje të mrekullueshme - që lanë menjëherë gjurmë jo vetëm në doktrinën shoqërore të Kishës, por edhe në proceset politike, ekonomike dhe ekologjike të shoqërive tona të globalizuara.

Fjalë profetike

Papa Françesku u bazua në punën e paraardhësve të vet, sidomos në thirrjet e Papës Pali VI, të Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI. Fryti i parë, i çmuar, i enciklikës së dytë të Atit të Shenjtë, që e merr titullin nga një varg i Këngës së Krijesave, është lidhja ndërmjet aspekteve, që më parë trajtoheshin në mënyrë sektoriale. Jo rastësisht, shprehja më e cituar e enciklikës është “ekologjia e gjithanshme”, që tregon se “gjithçka është e lidhur”, se “nuk ka dy kriza të ndara, njëra ambientale e tjetra shoqërore, por një krizë të vetme shoqëroro-ambientale, tejet e ndërlikuar”. E fjalët e Papës nuk mbetën veç në letër.

Projektet

Në Gana, për shembull, ipeshkvijtë katolikë kanë në plan të mbjellin një milion pemë, duke mbështetur kështu projektin qeveritar “Green Ghana”, filluar në qershor 2021. Në Kenia, besimtarë të traditave të ndryshme të krishtera nisën, që vitin e kaluar, mbjelljen e farave në pyllin e vetëm pluvial (shiu) të vendit. Nga enciklika lindi Lëvizja botërore “Laudato si’”. Të rinjtë, anëtarë të saj, gjithnjë në Kenia, promovuan e vijojnë të merren me projektin e riciklimit të mbeturinave, me mbjelljen e 1000 pemëve frutore dhe të llojeve të tjera. Përveç projekteve të ripyllëzimit në Afrikë, Kisha Katolike ka zbatuar edhe plane për dekarbonizmin, për rritjen e efikasitetit energjitik, për bujqësinë ekologjike, për furnizimin me ujë të pijshëm, për pastrimin e detit nga materialet plastike, për edukimin e sensibilizimin ambiental, pa harruar kurrë njeriun dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.  Dioqeza e Çikagos në SHBA-të ka themeluar ministerin e parë “Laudato si’” në botë, duke e vënë këtë karizmë në shërbim të mbrojtjes së Shtëpisë së përbashkët dhe të më të brishtëve të shoqërisë. Për të mos folur për përfshirjen e Kishës Katolike në shpëtimin e Amazonës, mushkërive të botës.

Frytet e thirrjeve të vazhdueshme

Papa Françesku nuk lodhet së bëri thirrje: “Të mbrohet Toka, që të mos na përgjigjet me shkatërrim”. Këto vite kanë lulëzuar kudo bashkësitë “Laudato si’”, lindur nga ideja e ipeshkvit të Rietit në Itali, imzot Domenico Pompili dhe e themeluesit të Slow Food Italia, Carlo Petrini. Në vitin 2020, këto bashkësi janë rritur me 300%. Enciklika ishte e pranishme në debatin politik e shkencor të Konferencës së Parisit për Klimën, në vitin 2015 e në atë të Glasgow-t, më 2021; kujdesi për Shtëpinë e përbashkët konsiderohet tashmë vepër mëshire dhe frymëzues i së ashtuquajturës “Economy of Francesco”. Në këtë drejtim synuan edhe Sinodi për Amazonën, Sinodi për të rinjtë e, pa dyshim, Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar më 4 shkurt 2019 në Abu Dabi, nga Papa dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit.

Në DBR-në e Panamasë u fol për “Gjeneratën Laudato Si’”. Dokumenti frymëzoi edhe ngjarje shpirtërore si “Koha e Krijimit”, që kremtohet çdo vit nga 1 shtatori – Dita Botërore e lutjes për mbrojtjen e Krijimit – e deri më 4 tetor, festa e Shën Françeskut. U themelua Java Laudato Si’, që ka filluar këtë vit më 22 maj e do të përfundojë të dielën, më 29 maj. Idetë e enciklikës kanë qenë e janë ushqim për muzikën, artin, kulturën e, madje, edhe për kinemanë. Dhe e ndihmuan planetin t’i bëjë ballë pandemisë e sidomos, të mendojë botën pas saj. Vlejnë për të gjithë fjalët e Papës Françesku, i cili, më 3 shtator 2020, gjatë audiencës me ambientalistët francezë, pavarësisht se denoncoi degradimin e ambientit, vuri në dukje edhe se “tema e ekologjisë po e përshkon gjithnjë e më shumë mënyrën e të menduarit në të gjitha nivelet dhe fillon të ndikojë mbi vendimet politike e ekonomike, megjithëse mbetet shumë për të bërë”.

24 maj 2022, 08:50