Kërko

" Zoja e Kievit" @andrasfoldesjournalist " Zoja e Kievit" @andrasfoldesjournalist 

“Nanë virgjineshë, ti bija e tand Bir!”, nga Dante, në dy përkthime shqip

E cila grua u quajt ndonjëherë Nënë-Virgjëreshë? Bija e tënd Bir? Krijesë e Krijuesit? Një e vetme. Nëna e Krishtit e Nëna jonë? Ashtu si e quajti, në një çast frymëzimi hyjnor, krijuesi i Komedisë? Tepër të vështira për t’u përkthyer, vargjet danteske po i kujtojmë sot, në ditën e parë të majit, që i kushtohet Zojës, në dy variante, në të cilat pikturohet, si në asnjë krijim tjetër poetik, portreti i Nënës- Bijë e të Birit.

E cila grua u quajt ndonjëherë Nënë Virgjëreshë? Bija e tënd Bir? Krijesë e Krijuesit? Cila Grua frymëzoi një zemër njerëzore për t’i kënduar me këto fjalë të padëgjuara? Eshtë Maria. Ajo e frymëzoi Poetin që, me një fantazi të pashoqe, do të zbriste në Ferr e, përmes Purgatorit, do të ngjitej në qiell - ku do të kundronte poetikisht Nënën, bijë e të Birit, që  natyrën njerzore e ngriti aq, sa vetë Krijuesi “me u ba krijesë e saj s’e pat për kore”. Në parzëm të Saj, dash’nia u përtri! E përtërihet liria jonë, shëndeti i korpit e i shpirtit! E rikujtojmë sot, kur kremtojmë ditën e parë të majit, që i kushtohet:

Virgjin e Nanë

Nanë e vertetë jam unë e Zotit Bír,

E bija e tij un jam, me gjith qi ai m’ka nanë;

Ç’ n’amshim aj leu, por âsht gjithnji em Bir;

Un leva n’kohë, por prap ai mue m’ká nanë.

        

Aj âsht Krijuesi i em, por âsht em Bír;

Kreatyra e tij un jam, por ai m’ká nanë,

Kje mrekullí e Zotit t’ishte em bir,

Nji Zot i amshuem e t’më kishte mue për Nânë

 T’kenunt e kanë t’përbashkët nânë e bir;

E t’kênun paçë prej birit t’ em unë nânë.

E t’kênun pat prej mejet edhè em bir.

 

Masi prej Birit t’kênun paçë un nânë

Don thanë se, a kje me mkat edhé em Bír,

apor pa mkat jam un qi Atij i jam nânë.

Atë Vinçenc Prennushi, vargje me frymëzim dantesk nga “Gjeth e lule”.

 

Nanë virgjineshë

1 Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,

mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështore
nga këshilli i amshuem cak i vendosun mirë,

4 ti je ajo, që natyrën njerzore
e ngrite aq, sa vetë Krijuesi unjí
me u ba krijesë e saj s’e pat për kore.

7 Në parzëm tand dash’nia u përtri,
nëpër ngrohtësi të paqes së amshueshme,
e kështu aty kjo lule pati mbí.

10 Pishtar mesdite je, në botë t’ këtushme,
i dashunisë, e poshtë për njerzt e shkretë
ti shpresë je e gurrë e pashterrueshme.

13O Zojë, kaq je e madhe e vlerë ke vetë,
sa kush don hir edhe te ti s’vrapon
dëshira e tij don t’fluturojë pa fletë.

16 Me mirsinë tande ti jo veç ndihmon
atë që të lyp, por shpesh ndër të veshtira
pa t’u drejtue endè në ndihmë i shkon.

19N’ty dhimbsunija dhe në ty mëshira,
n’ty bujarija, asht bashkue te ti
e të gjitha krijesavet e mira.

Parajsa XXXIII, 1-21, përkthim i Pashko Gjeçit

02 maj 2022, 10:25