Kërko

Përfaqësuesit e Kishave të Tokës Shenjte Përfaqësuesit e Kishave të Tokës Shenjte 

Kishat e Tokës Shenjte dënojnë dhunën ushtruar në funeralin e gazetares së vrarë

Patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Pizzaballa, patriku grek Teofil, ipeshkvijtë dhe besimtarët e bashkësive të krishtera, e dënojnë, në një dokument të përbashkët, ndërhyrjen brutale të së premtes së kaluar nga policia izraelite, në korteun e varrimit të trupit të gazetares Shereen Abu Akleh

R. SH. - Vatikan

Gjithçka ndodhi ndërsa arkivoli me trupin e Shereen Abu Akleh po mbartej nga spitali i Shën Jozefit, në Kishën Katedrale greko-melkite. Kishat e Tokës Shenjte e dënojnë njëzëri, në një dokument të përbashkët, qëndrimin e policisë izraelite e cila - lexojmë - hyri në spital e, duke mos respektuar Kishën, institutin shëndetësor e as kujtimin e së ndjerës, u dha urdhër mbartësve ta lëshonin përdhe arkivolin me të vdekurën brënda.

Shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut

Hyrja në spital dhe përdorimi i forcës nga policia izraelite, e cila i sulmoi të pranishmit në korteun e varrimit, i goditi me shkopinj, përdori granata tymuese, gjuajti me plumba gome dhe i tmerroi të sëmurët e shtruar në spital, është shkelje e rëndë e normave dhe rregulloreve ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën themelore të njeriut për lirinë e fesë, e cila duhet respektuar edhe në hapësirat publike - shkruajnë prelatët dhe besimtarët e krishterë.

Vijoni të jeni vend shërimi

Spitali i Shën Jozefit, që ka qenë gjithmonë krenarisht - vijon dokumenti -  vend takimi dhe shërimi për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia fetare e kulturore, synon të vazhdojë të jetë i tillë. Ajo që ndodhi të premten e kaluar plagosi thellë jo vetëm bashkësinë e krishterë, motrat e Shën Jozefit, pronare të spitalit dhe punonjësit, por edhe të gjithë njerëzit që gjetën dhe gjejnë paqe e mikpritje në këtë vend. Murgeshat dhe punonjësit e spitalit do të vijojnë t’u shërbejnë të gjithë njerëzve që kanë nevojë për një vend shërimi. Ndaj ngjarja tragjike e së premtes së kaluar - përfundon dokumenti - e bën këtë angazhim më të fortë se kurrë.

16 maj 2022, 14:43