Kërko

Lufta në Ukrainë Lufta në Ukrainë 

Imzot Vitillo: në Ukrainë nevojiten ndihma, korridore humanitare e dialog

T’u jepet ndihmë materiale dhe shpirtërore atyre, që ikin nga lufta. Impenjimi i grupit të ri të punës, përbërë nga organizata me frymëzim katolik. Sekretari i përgjithshëm i Komisionit Katolik Ndërkombëtar për Migracionin: u përgjigjemi nevojave themelore të ukrainasve, por pa harruar vuajtjet e konflikteve të tjera

R.SH. – Vatikan

33 herë, nga 27 shkurti deri më 23 prill, Papa ka bërë publikisht thirrje, për të tërhequr vëmendjen mbi gjendjen tragjike në Ukrainë, mbi nevojën që t’i jepet ndihmë humanitare dhe kujdes shpirtëror kujtdo, që preket prej saj. Kjo u nënvizua këto ditë në Romë, nga Sekretari i përgjithshëm i Komisionit Katolik Ndërkombëtar për Migracionin (ICMC), imzot Robert Vitillo, gjatë konferencës “Solidariteti dhe bashkëpunimi evropian për refugjatët e luftës në Ukrainë”. Ç’po ndodh me refugjatët nga vendi i Evropës Lindore konsiderohet si “emigrimi më i madh evropian që nga Lufta II Botërore”: 8 milionë të ikur nga konflikti, gjysma e të cilëve, fëmijë. Nga seminari doli në pah se përveç solidaritetit, nevojiten edhe financime për mikpritjen, e refugjatëve, por edhe për arsimimin, punësimin, strehimin dhe integrimin e tyre.

Puna e Kishës

Imzot Vitillo informoi për punën e Kishës Katolike, në të gjitha nivelet, në mënyrë që t’u përgjigjet nevojave të njerëzve të zhvendosur brenda vendit, të të pambrojturve dhe të refugjatëve. “Nuk duhet të përqendrohemi vetëm në ndihmën e menjëhershme humanitare - shpjegon Sekretari i Përgjithshëm i ICMC për Vatikan News - duhet të vazhdojmë dialogun dhe të ndjekim mundësinë e aktivizimit të korridoreve humanitare për njerëzit, ende të bllokuar në disa qytete, për t’u gjetur atyre një vend të sigurt, gjithnjë, me shpresën se do të mund të kthehen në shtëpi”.

Përgjigjja katolike për Ukrainën

Në fillim të marsit, organizata humanitare dhe baritore të frymëzimit katolik u takuan për të krijuar një grup pune, që mori emrin “Përgjigjja katolike për Ukrainën”. “Organizata jonë - vijon imzot Vitillo - po koordinon një grup pune, ku bëjnë pjesë Karitasi, Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët, Urdhri Sovran i Maltës, për të shqyrtuar nevojat, të cilave nuk u është dhënë akoma përgjigje: nga strehimi tek kujdesi mjekësor, arsimimi, por edhe shoqërimi mendor, psikoshoqëror dhe baritor. Impenjimi për t’iu përgjigjur nevojave aktuale të popullit ukrainas, pa dyshim, nuk do të na e tërheqë vëmendjen nga vuajtjet njerëzore të shkaktuara nga konflikte, luftëra e persekutime të tjera në mbarë botën, veçanërisht nga ato, që janë harruar nga media, nga shumë qeveri dhe nga shoqëria civile në nivel global”.

03 maj 2022, 16:09