Kërko

Ukraina sot Ukraina sot 

Imzot Shevchuk: Zot, na jep guxim të mos zbatojmë kurrë urdhëra kriminale

Videomesazh i Fortlumturisë së Tij, Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, të shtunë, 21 maggio 2022

R. SH. - Vatikan

Krishti u ringjall! – me këtë brohori nis videomesazhi i Fortlumturisë së Tij, imzot Sviatoslav Shevchuk - për të vijuar me përshëndetjen drejtuar vëllezërve dhe motrave të dashura në Krishtin. Sot është e shtunë 21 maj 2022 - shkruan Prelati - e Ukraina tashmë po jeton ditën e 87-të të sulmit rus.

Lufta nuk ndalet, e armiqësia endet përgjatë gjithë vijës së frontit, nga Kharkiv, në Detin Azov e në Detin e Zi. Vijon edhe në Luhansk e në Donetsk. Armiku i bombardon e i gjuan me raketa këto vende të Ukrainës, po jeta vijon. Gjuan Dnipropetrovskun, Poltavën, Mykolayivin dhe Odesën, që tashmë flenë e zgjohen në flakë.

Ukraina gjallon!

Por Ukraina reziston. Ukraina lufton. Ukraina, sidomos, e mund të keqen dhe të gjithë ata, që e mbartin! Të gjithë ata, që duan ta mbjellin farën e keqe të luftës në Ukrainë dhe në botë.

Fluksi i refugjatëve të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre vazhdon. Me një ndryshim në proceset e migrimit të brendshëm të popullsisë ukrainase, sepse sot njerëzit më të varfër, të cilët nuk kishin sesi të lëviznin dhe ku të shkonin, tani ikin nga vendet më të rrezikshme. Shumica e tyre sot strehohen në Ukrainën qendrore, rreth Kievit tonë dhe në jug të vendit. E ne kërkojmë të gjitha mjetet e mundshme për t’u shërbyer këtyre njerëzve, për t’i mirëpritur, për t’i ushqyer.

Luftë për tokën tënde e edhe për bukën e botës

Sot luftohet jo vetëm në front, por edhe në ekonominë e Ukrainës. Lufton Ukraina, që të mund t’i ushqejë njerëzit me bukën e saj! Lufton, që tokat pjellore të Ukrainës t’i sigurojnë bukën e përditshme jo vetëm Ukrainës, por edhe botës.

Ukraina jo vetëm lufton. Ukraina vijon të punojë, të shërbejë, të ngrihet në këmbë e, sidomos, të lutet. Ukraina beson në jetën e saj, në jetën e të gjithë atyre që kanë nevojë, në jetën e ushtarëve tanë, në jetën e botës që vijon të jetojë në duart e Zotit.

Sot dëshiroj t’ju flas për pjesën e dytë të Katekizmit - kujton Fortlumturia e Tij, Sviatoslav Shevchuk - për mësimet e Kishës sonë, që na ndihmojnë t’i kapërcejmë me dinjitet vështirësitë e luftës. E t’i njohim edhe mëkatet e të tjerëve!

Mëkati, paralajmërim i Perëndisë

Mëkati është gjithmonë fatkeqësi. Mëkati është plagë. Mëkati është fillimi i vdekjes së njeriut mbi këtë tokë dhe i humbjes së lumturisë së tij të përjetshme. Mëkati është gjithmonë plagë e thellë. Mëkat e quajmë atë që e bën njeriun me vetëdije dhe vullnetarisht, duke bashkëpunuar me të keqen dhe vdekjen. Mëkati është shkelje e qëllimshme e urdhërimit të Perëndisë, paralajmërim i Zotit.

Shikojmë përreth atyre qyteteve dhe fshatrave ku ka kaluar armiku dhe nga e kemi përzënë. Ndonjëherë pranë rrugëve mund të lexoni fjalët “KUJDES, IIM!” Shenja, që na paralajmërojnë për kërcënimin e jetës. E që i ngjasin atyre të Kishës, kur paralajmëron rrezikun e mëkatit, domethënë, kur shqetësohet për jetën tonë, për shëndetin shpirtëror, lumturinë tonë të përjetshme.

Ne e dimë se në botën e sotme ka vetëm përgjegjësi personale për veprimet tona, nuk ka përgjegjësi kolektive për veprime të çfarëdo lloji. Jetojmë në një botë me kulturë thellësisht individualiste.

Të flasësh për mëkatet e të tjerëve është mjaft e vështirë, sepse mëkati është diçka shumë personale. Por ka veprime ose mosveprime të njeriut, që e bëjnë bashkëpunëtor në krimin e tjetrit. Këto rreziqe sot njihen pak, për të mos thënë, fshihen. Në të vërtetë, ato kërcënojnë jo vetëm paqen në tokë, por edhe lumturinë tonë të përjetshme në qiell.

Mëkaton rëndë, kush e shtyn tjetrin të mëkatojë!

Dhe kështu, i pari në listën e mëkateve të të tjerëve, është mëkati që “të shtyn të bësh mëkat” - shpjegon Prelati ukrainas - Të shtysh në mëkat, të nxitësh për mëkat. Gjë që duket qartë gjatë luftës kur armiku jep urdhëra kriminale. E kush i urdhëron të tjeret të vrasin e të përdhunojne, bëhet edhe vetë vrasës e përdhunues. Kush dërgon ushtri te vrasë njerëz në një vend tjetër, bëhet kriminel, bëhet vrasës, bëhet personalisht pergjegjës për të keqen që urdhëroi ta bëjnë të tjerët.

Zoti na ruajtë nga e keqja

Zoti na ruajtë të gjithëve nga e keqja. Na ruajtë nga mëkati. Na ndihmoftë të mos bëhemi kurrë shkaktarë të plagëve dhe vuajtjeve të të tjerëve, por të krishterë gjithmonë, të thirrur vetëm për të ndarë të mirën me të tjerët.

Zot, na jep guxim të mos zbatojmë kurrë urdhëra kriminale

Zoti e bekoftë Ukrainën. Zoti i bekoftë fëmijët që po jetojnë luftën e Ukrainës. Zoti i ruajtë të gjithë ata, që ranë në kthetrat e agresorit të padrejtë dhe janë në rrezik vdekjeje.

Zot, na jep guximin që të mos zbatojmë urdhra kriminale! Ktheji, o Zot, të gjithë mëkatarët në jetë të drejtë! Ndihmoji të pendohen. Ki mëshirë për të gjithë.

Bekimi i Zotit qoftë mbi ju me hirin dhe dashurinë e Tij për njerëzit, tani e përgjithmonë e jetës Amen

Krishti u ringjall! Ai u gjall me të vërtetë!”.

Ky, videomesazhi. Meriton të meditohet…

22 maj 2022, 14:34