Kërko

Dëgjimi, në qendër të Ditës Botërore të Komunikimeve Shoqërore Dëgjimi, në qendër të Ditës Botërore të Komunikimeve Shoqërore

Dita e 56-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore: ta dëgjojmë realitetin e t’i shërbejmë së vërtetës

Ati i Shenjtë kërkon të mbizotërojë realiteti, të cilin duhet ta lëmë gjithnjë të na mahnisë, pavarësisht nga paragjykimet e opinionet tona. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh gjithmonë, prandaj, krahas zërave dhe penave të guximshme, që kërkojnë të vërtetën e ngjarjeve, ka të tjera, që kthehen në shërbëtore të interesave të veçanta. E atëherë, merr edhe më tepër rëndësi ftesa e Papës Françesku për ta “dëgjuar” realitetin me vëmendje e jo kalimthi, sepse kjo na çon në rrugën e “shërbimit për të vërtetë

R.SH. - Vatikan

Tema që ka zgjedhur Papa Françesku për Ditën Botërore të Komunikimit, e cila u kremtua sot, përmblidhet në ftesën: “Dëgjoni!”. S’është fjala për çdo lloj dëgjimi, por për dëgjimin e vëmendshëm, që përfshin edhe zemrën. Temë tejet e rëndësishme për shoqërinë aktuale, pasi informacioni është bërë gjithnjë e më qendror në këtë botë të ndërlikuar, ku ekuilibrat delikatë, që mund ose t’i lëkundë, ose t’i forcojë, kërkojnë profesionalitet të madh e, sidomos, dashuri për të vërtetën nga ana e veprimtarëve të komunikimit.

Në paraqitjen e temës, Papa Françesku “i kërkon botës së komunikimit të mësojë sërish t’ia vërë veshin” realitetit, sepse “pandemia i goditi dhe i lëndoi të gjithë, prandaj, të gjithë duhet të dëgjohen dhe të ngushëllohen. Dëgjimi është themelor edhe për informacionin e mirë. Kërkimi i së vërtetës fillon me dëgjimin. E kështu, edhe dëshmia përmes mjeteve të komunikimit shoqëror”.

Kjo ftesë e Papës për dëgjim nuk duhet të konsiderohet si diçka e mirëqenë. Për ta kuptuar saktë, duhet kujtuar çfarë shkruante ai vetë në Mesazhin e vitit të kaluar, në të cilin këshillonte “të komunikohet, duke i takuar njerëzit aty ku janë e ashtu si janë”. Papa u kërkonte punonjësve të komunikimit të heqin dorë nga pretendimi se gjithçka dihet tashmë, duke u vënë në lëvizje për të shkuar e për të parë personalisht, për të ndenjur me njerëzit, për t’i dëgjuar me zemër e jo vetëm me vesh.

Me fjalë të tjera, Ati i Shenjtë kërkon të mbizotërojë realiteti, të cilin duhet ta lëmë gjithnjë të na mahnisë, pavarësisht nga paragjykimet e opinionet tona. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh gjithmonë, prandaj, krahas zërave dhe penave të guximshme, që kërkojnë të vërtetën e ngjarjeve, ka të tjera, që kthehen në shërbëtore të interesave të veçanta. E atëherë, merr edhe më tepër rëndësi ftesa e Papës Françesku për ta “dëgjuar” realitetin me vëmendje e jo kalimthi, sepse kjo na çon në rrugën e “shërbimit për të vërtetën”.

Shpresojmë që kjo ftesë të pranohet si sfidë nga të gjithë punonjësit e informacionit. Kështu, profesioni i tyre fisnik do të fitojë më shumë dinjitet, për të mirën e përbashkët të gjithë qytetarëve.

29 maj 2022, 07:47