Imzot Massafra për Ditën e Tokës: të investojmë në “cilësinë e jetës” jo thjesht në “mbijetesën”
R.SH. - Vatikan
Dita e 52-të e Tokës kremtohet sot në gjithë botën e, edhe në Shqipëri. Në përpjekjen për të parandaluar atë, që njihet si “Overshoot”, pra, për të shmangur që bota t’i shterrojë para kohe burimet natyrore, që mund t’i konsumojë brenda një viti pa e dëmtuar natyrën, të gjitha shtetet mundohen të marrin masa për një ekonomi më të gjelbër. Çdo vend duhet ta dijë ditën, që bota do ta kapërcente konsumin e lejuar, nëse do t’i shfrytëzonte si ai burimet natyrore. Sipas llogarive që marrin parasysh të dhëna të regjistruara deri në vitin 2018 (https://www.overshootday.org/newsroom/country-overshoot-days/), kjo ditë për Shqipërinë është 3 nëntori 2022. Pra, sivjet, shqiptarët do të konsumojnë gjithë bruimet natyrore të rinovueshme vjetore deri më 3 nëntor. Pas kësaj date, ata do të vijojnë të konsumojnë, por natyra nuk do të ketë më fuqi të përtërijë çka do të shpenzohet deri në fund të vitit, për gati dy muaj.
Mesazhi i imzot Massafrës, përgjegjës për ruajtjen e Krijimit në CCEE
Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, në cilësinë e përgjegjësit për ruajtjen e Krijimit në CCEE (Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane), u drejton gjithë katolikëve të botës një mesazh për këtë Ditë, duke u përpjekur të sensibilizojë mbi lidhjen ndërmjet mbrojtjes së natyrës dhe cilësisë së jetës, sidomos në këto kohë pandemie e lufte në Ukrainë. “Është e nevojshme – thekson ai në mesazh – që të punojmë për një ndërgjegjësim serioz mbi rëndësinë e investimin në “cilësinë e jetës” e jo vetëm në “mbijetesën””.
Kontribut “nga poshtë”
Kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit vë në dukje se thirrjet e fjalët për përgjegjësinë e përbashkët ndaj planetit nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara, duke u kufizuar vetëm në nënshkrimin e marrëveshjeve e në vlerësime të përgjithshme. Por, thekson ai, nuk është e thënë të priten vendimet e të mëdhenjve të kësaj bote, secili prej nesh mund të kontribuojë, “nga poshtë”, duke zbatuar në jetën e vet të gjitha ato masa, që mund të sjellin një ndryshim të vërtetë.
Thirrje për paqe
Bashkësitë kishtare, vëren imzot Massafra, duke u frymëzuar nga enciklika e Papës Françesku “Laudato si’”, ia kushtojnë shtatorin sensibilizimit për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët. Por a mund të ketë një të tillë, nëse familja njerëzore përçahet nga tmerri i luftës? – pyet kryeipeshkvi. “Prandaj, impenjimi për mbrojtjen e ambientit duhet të ecë paralelisht me shtimin e ndjeshmërisë dhe të përgjegjësisë për paqen, konceptuar jo si mungesë lufte, por si qëndrim i brendshëm personal, që duhet t’i fuqizojë të gjitha fushat e jetës njerëzore”. Së fundi, imzot Massafra i lutet Zotit të Ringjallur t’i bekojë përpjekjet e të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë, për realizimin e “ekologjisë së gjithanshme”, e cila e shpëton njeriun nga shkatërrimi i vetvetes.