Të meditojmë me Ungjillin: lum skamnorët, e tyre është Mbretëria e Zotit
R.SH. - Vatikan
Në Ungjillin sipas Lukës (6,17.20-26) të kësaj së diele, e gjashta (6) e vitit kishtar 'C', flitet për lumnitë e, Jezu Krishti përdor fjalë të fuqishme, që mund ta ndajnë botën më dysh. Fjalët e tij kanë të bëjnë me gjendje, që i hasim shpesh në jetë: pasuria e tepruar, arritja e kënaqësisë me çdo kusht, dëshira për sukses e për duartrokitje… Të gjitha këto sjellin kotësi (japin siguri të rreme), të bëjnë mendjemadh (besojmë se jemi më të rëndësishëm se të tjerët), ta ngurtësojnë zemrën (nuk i kuptojmë më njerëzit e nuk jemi gati për solidaritet), korruptojnë (na shtypin, na e helmojnë shpirtin). Lumnitë janë paralajmërim për të ndjekur vetëm Jezu Krishtin e të vërtetën e tij. Ja pjesa ungjillore…
Në atë kohë, Jezusi zbriti bashkë me të dymbëdhjetit e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit.
Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënës, thoshte: “Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qesheni! Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre, kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut! Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell. Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!
Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qesheni, sepse do të vajtoni e do të qani! Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”
Të lutemi së bashku
Bota s’mund të jetë
kurrë më si më parë:
Ti, o Jezus, erdhe
për ta ndryshuar rrjedhën e historisë
e pra, edhe për t’i përmbysur kategoritë tona,
metrin tonë të gjykimit,
çka mendojmë se është lumturi e realizim në jetë.
Për ne, të lum janë të pasurit,
ata, që kanë gjithçka,
sepse me paratë e tyre arrijnë kudo
e mund të blejnë çdo gjë.
Për ty, ndërkaq, janë të varfërit
fatlumët e vërtetë, pasi atyre
Zoti u jep tokën e re,
kopshtin e drejtësisë e të paqes.
Ne kemi frikë nga varfëria,
nga situatat e rrezikshme, në të cilat
mungojnë ato siguri
që i konsiderojmë të domosdoshme:
një rehati, që lind nga paratë,
nga mundësia për të garantuar
jo vetëm ç’na duhet, por edhe më shumë.
Ndërsa Ti na paralajmëron
se janë pasuritë
që përbëjnë rrezikun e vërtetë,
e me to, edhe konsensusi, pushteti,
çdo formë supremacie kulturore, shoqërore, politike.
Vërtet, kjo na e mbyll zemrën,
na e errëson vështrimin
e na krijon iluzionin se jemi mirë kështu,
nuk kemi nevojë as për Zotin e as për të tjerët.