Kërko

Shёrbёrtorti Zotit Atё Luigji Pali a Paliq, ofm, martir i Kishës katolike Shёrbёrtorti Zotit Atё Luigji Pali a Paliq, ofm, martir i Kishës katolike

Takim me martirët: shërbëtori i Zotit Atё Luigji Paliq, martir

Vitet 1912-1913 janë vite delikate në aspektin politik, pasi malazezët në përpjekjet për të aneksuar Kosovën mundohen, me joshje e me kërcënime, t’i bëjnë shqiptarët të kthehen në ortodoksi. E patër Luigjit i punojë në një situatë të tillë. I shtyrë nga besimi i tij e nga përgjegjësia e misionit meshtarak, mbrojtja e lirisë së besimit e, si rrjedhojë, ajo e të drejtave njerëzore ishin për të një gjë e vetme.Ai nuk u ndal përpara kërcënimeve të ndryshme, për t’i mbështetur katolikët e myslimanët

R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”.  Sot dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e  Shërbëtorit tё Zotit Atё Luigji Paliq, ofm, martir i Kishës katolike. 

Atë Luigji Paliq ishte një frat françeskan i dashuruar pas Krishtit e Kishës, gjithashtu i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë. Ishte inteligjent dhe largpamës. Te çdo person shihte një vëlla në Krishtin. Plot me virtyte siç ishte nuk u kursye për të mbrojtur e ruajtur popullin e vet nga kanosjet dhe shtrëngimet e atyre që donin t’ia kushtëzonin lirinë e besimit.

Vitet 1912-1913 janë vite mjaft delikate në aspektin politik, pasi malazezët në përpjekjet për të aneksuar Kosovën mundohen, me joshje e me kërcënime, t’i bëjnë shqiptarët të kthehen në ortodoksi. E patër Luigjit i duhet të punojë pikërisht në një situatë të tillë. I shtyrë nga besimi i tij i thellë dhe nga përgjegjësia e misionit meshtarak, mbrojtja e lirisë së besimit e, si rrjedhojë, ajo e të drejtave njerëzore ishin për të një gjë e vetme. Prandaj nuk u ndal përpara kërcënimeve të ndryshme, për t’i mbështetur katolikët dhe myslimanët që të mos e mohonin besimin e tyre përkatës. Autoritetet serbo-malazeze tashmë ishin të vendosura për ta eliminuar këtë pengesë serioze të planit të tyre e për këtë shfrytëzuan periudhën shkurt-mars 1913, ku nën pretekstin e kontrolleve për grumbullimin e armëve kishin filluar një seri torturash e mundimesh kundër popullsisë shqiptare.

Mё hollёsisht mbi figurёn dhe shembullin e këtij martiri të Kishës katolike tё dëgjojmë dom Gjovani Kokona:

Tё dëgjojmë dom Gjovani Kokona

Historia e martirizimit të shërbëtorit të Hyjit Atë Luigji Paliq, i Urdhrit të Fretërve Minorë, është një tregues se si njerëzit jo rrallë herë tentojnë të përdorin fenë për të arritur qëllime të tyre njerëzore që me fenë e besimin nuk kanë shumë të bëjnë. Ishte një frat françeskan i dashuruar pas Krishtit e Kishës, gjithashtu i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë. Ai ishte një bari i palodhshëm. Ishte inteligjent dhe largpamës. Te çdo person shihte një vëlla në Krishtin. Plot me virtyte siç ishte nuk u kursye për të mbrojtur e ruajtur popullin e vet nga kanosjet dhe shtrëngimet e atyre që donin t’ia kushtëzonin lirinë e besimit.

Atë Luigji lindi në Janjevë të Kosovës më 20 shkurt 1877 nga prindërit Toma dhe Paulina. U pagëzua me emrin Mate si apostulli shën Matia. Dëshmia e krishterë e prindërve të tij e ndihmoi dhe e forcoi në edukimin dhe rritjen e tij në fe, po nga prindërit ushqeu edhe devocionin e thellë për shën Antonin e Padovës. Është falë kësaj ndihmese të prindërve që do të lindë e do të zhvillohet thirrja e tij për të ndjekur Krishtin sipas modelit të shën Françeskut të Asizit, thirrje që ishte paraprirë nga ajo e të vëllait më të madh i cili përpara Mates [Atë Luigji] kishte hyrë në urdhrin françeskan e më vonë si i tillë do të quhet patër Engjëlli. Pra Mate, apo Matia, duke e ndier fuqishëm thirrjen për ta ndjekur Krishtin në Urdhrin e Fretërve Minorë, në moshën 17 vjeç, kërkon të pranohet ndër bijtë e shën Françeskut.

Fillon noviciatin në Troshan më 23 shtator 1896 e që nga ai moment do të marrë emrin Luigji, pasi e kishte prekur jeta e shën Luigji Gonzagës. Pas përfundimit të studimeve filozofike teologjike dhe pas bërjes së kushteve solemne, u shugurua meshtar më 20 prill 1903. Kthehet në vendlindje, ku do të jetë për një periudhë jo të gjatë në Shkodër si dhe në Baz të Mirditës. Më pas veprimi i tij baritor do të përqendrohet në Pejë dhe në Gllogjan (Rrafshi i Dukagjinit). Në vitin 1907 iu besua edhe përgjegjësia e shenjtërores së shën Antonit në Gjakovë, detyrë që e mbajti deri më 1910. Më pas u përqendrua në Pejë, ku ishte famullitar i vëllai, atë Engjëlli, duke u kujdesur për fshatin e Gllogjanit. Në Gllogjan arqipeshkvi Mjedja kishte blerë një terren për ndërtimin e kishës dhe atë Luigji u kujdesua, përveç aspektit baritor, edhe me atë të mbledhjes së materialeve të ndërtimit për kishën e re që parashikohej të ndërtohej aty.

Ata që e kanë njohur, dëshmojnë se atë Luigji me të vërtetë i përngjante shën Luigjit. Karakteristikat e tij na nxjerrin në dukje një atë Luigj të durueshëm, kurajoz dhe i gatshëm për sakrificë. Kishte një shikim të vendosur e të drejtë. Ata sytë e tij ishin si dy drita-fenerë në ballë. Ishte fjalëpakë, por shumë komunikativ dhe përfshirës. Siç e përcakton prof. Zekeria Cana: “Ishte kaq i vendosur, sa mund t’ia vrisje trupin por jo shpirtin”.

Ishte një frat françeskan i dashuruar pas Krishtit e Kishës, gjithashtu i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë. Ai ishte një bari i palodhshëm. Ishte inteligjent dhe largpamës. Te çdo person shihte një vëlla në Krishtin. Plot me virtyte siç ishte nuk u kursye për të mbrojtur e ruajtur popullin e vet nga kanosjet dhe shtrëngimet e atyre që donin t’ia kushtëzonin lirinë e besimit.

Vitet 1912-1913 janë vite mjaft delikate në aspektin politik, pasi malazezët në përpjekjet për të aneksuar Kosovën mundohen, me joshje e me kërcënime, t’i bëjnë shqiptarët të kthehen në ortodoksi. E patër Luigjit i duhet të punojë pikërisht në një situatë të tillë. I shtyrë nga besimi i tij i thellë dhe nga përgjegjësia e misionit meshtarak, mbrojtja e lirisë së besimit e, si rrjedhojë, ajo e të drejtave njerëzore ishin për të një gjë e vetme. Prandaj nuk u ndal përpara kërcënimeve të ndryshme, për t’i mbështetur katolikët dhe myslimanët që të mos e mohonin besimin e tyre përkatës. Situata ishte mjaft e nderë. Edhe arqipeshkvi Mjedja në një letër të gjatë Prefektit të Propaganda Fide-s në Vatikan, i përshkruan me dhimbje mizoritë që po bëheshin mbi popullsinë shqiptare nga ana e serbo-malazezëve. Atë Luigj Paliqi me qëndresën e tij të vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku spikat ajo e lirisë së ndërgjegjes dhe besimit, u bë një pengesë e pathyeshme për serbo-malazezët. Me gjithë vështirësitë, atë Luigji nuk zmbrapsej.

Ja si dëshmon Ndue Mark Gera, që e takoi atë Luigjin pak ditë para arrestimit në shtëpinë e Uk Gjonit në Gllogjan: “e këshillova të merrte tre katër burra e ta shoqëronin deri në Shkodër. Atë Luigji me një shprehje fytyre rrezatuese refuzoi kategorikisht. Për krishterimin e për vendim tim do të bëhem kurban, fli, e do ti mbroj këto të drejta deri në vdekje”.

Autoritetet serbo-malazeze tashmë ishin të vendosura për ta eliminuar këtë pengesë serioze të planit të tyre e për këtë shfrytëzuan periudhën shkurt-mars 1913, ku nën pretekstin e kontrolleve për grumbullimin e armëve kishin filluar një seri torturash e mundimesh kundër popullsisë shqiptare, edhe pse këta nën nxitjen e atë Luigjit i kishin dorëzuar armët. Atëherë atë Luigji vendos të shkojë në Pejë për t’u ankuar mbi keqtrajtimet ndaj popullsisë së pafajshme. E në vend që të dëgjohej fjala e tij aty, në Pejë, atë ditë, 4 mars 1913, arrestohet menjëherë. Autoritetet shpresojnë se kështu do të detyrohet të mohojë fenë dhe të ndahet nga Kisha Katolike dhe Vatikani, duke kaluar në ortodoksi. Po ta bënte ai, do të ishte më e lehtë të detyroheshin besimtarët e tjerë. Por nuk ia arritën.

E dërguan në Gjakovë. Aty egërsisht e morën në pyetje dhe e keqtrajtuan, por atë Luigji u përgjigjej: “Jam në shërbim të Jezu Krishtit dhe të Papës”. Atëherë në Gjakovë, pas dy ditësh, ia hoqën zhgunin dhe sandalet dhe, pasi e lidhën me tel me gati 52 të burgosur të tjerë, dy nga dy, e nisën bashkë me të tjerët ashtu të lidhur e në këmbë për në Pejë. Gjatë rrugës ushtarët shpesh i binin me kondakun e pushkës ose e shtynin me bajonetë. Nga plagët mezi arrinte të ecte.

Duke e parë gjendjen e tij dhe faktin se me gjithë këto vuajtje e tortura nuk kthehej nga bindja e tij e besimi i tij, atëherë ushtarët e larguan disa metra nga rruga dhe në afërsi të fshatit Janosh e vranë me 4 plumba pas shpine dhe aty shpejt e shpejt e mbuluan me pak dhe. Ishte vetëm 36 vjeç.

Por ngjarja nuk mbeti e fshehur. Një fshatar, Smail Sadria, shkoi dhe lajmëroi famullitarin e zonës, dom Shtjefën Krasniqin e ky fretërit në Gjakovë. Menjëherë këta lajmëruan arqipeshkvin Lazër Mjedjën dhe delegacionet e qeverive të huaja të pranishme në Prizren: konsullatën austro-hungareze, franceze dhe italiane. Këta kërkuan një autopsi të dytë dhe në vazhdim e detyruan qeverinë malazeze të autorizonte transferimin e trupit për varrimin jashtë kufijve të territoreve të pushtuara nga malazezët, të vendosej një kryq përkujtimor në vendin e vrasjes në Janosh dhe të ndërtohej një kishë në Gllogjan si një riparim ndaj këtij akti të lig.

Ndërkohë, jehona e vrasjes së padrejtë të atë Paliqit u përhap gjerësisht dhe bindja që ai vdiq si një martir i vërtetë i fesë dhe i Krishtit erdhi e u forcua. Kur trupi i tij u mor nga Janosh për t’u transferuar më 15 korrik në Zym, u gjet i paprishur dhe pa shenja dekompozimi, si edhe nuk vinte erë të keqe. Besimtarët e shumtë të mbledhur në Gjakovë, ku u vendos fillimisht para transferimit për në Zym, e lusnin për të fituar hire. Edhe në ditët e sotme, qoftë në Zym, ku është i varrosur, qoftë në Janosh, në vendin e vrasjes, besimtarët shkojnë të luten e të kërkojnë ndërmjetësimin e tij. Dëshmia që na jep Rexhep Sla, i besimit mysliman, na tregon se atë Paliqi gjithçka bëri, e bëri për dashurinë ndaj Krishtit.

Ja si tregon ai: “nga Gjakova në Janosh isha i lidhur krah për krah me Atë Paliq … E munduan shumë gjatë rrugës e ishte i lodhur, i munduar e i gjakosur. E shkëputën nga grupi për ta vrarë afër rrugës. Ndërsa ishin gati për ta vrarë, Atë Luigji për tre herë thirri me zë të lartë: “Gjithçka të jetë për dashuri të Krishtit!”. Atë Gjergj Fishta kompozoi një poezi për atë Paliqin për të kujtuar heroizmin e tij të krishterë. Vërtet se ushtarët arritën të vrasin trupin e tij në atë moshë të re, por nuk bënë gjë tjetër përveçse e rritën fuqishëm personalitetin moral të tij që gjeti te të gjithë, të krishterë e myslimanë, edhe sot e kësaj e dite, bindjen e gjallë e të fuqishme se atë Paliqi, duke kaluar nëpër vuajtjet e mëdha, arriti të marrë palmën e fitores e të lavdit si martir besnik i Krishtit dhe i Kishës së Tij, besnikëri që e shprehu në dashurinë ndaj popullit të Tij.

Lutja për kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

O Zot, Atë i mirë dhe i mëshirshëm,

me shembullin e ndritshëm të Krishtit,

Birit Tënd të kryqëzuar,

që vdiq dhe u ringjall,

e mbështete në trojet shqiptare

meshtarin tënd Atë Luigj Paliq,

të Urdhërit të Fretërve Minorë,

për të dëshmuar besnikërinë

ndaj Ungjillit dhe Kishës,

në vuajtje dhe në martirizim.

Po të lutemi ta lumnosh edhe në tokë

duke na dhënë hirin që po ta kërkojmë,

ndërsa i porositemi ndërmjetësimit të tij…

(kërkohet hiri).

Shembulli i tij heroik le të na frymëzojë,

që të angazhohemi për t’u rritur në fe,

që Jezu Krishti të jetë qendra e vetme

e jetës sonë. Amen.

 

Lavdi Atit…

13 shkurt 2022, 09:25