Kërko

Zoja e Papërlyer: të përsëris edhe unë atë ‘po' thënë Zotit

Don Tonino Bello: ajo ‘po’ e Marisë, vashës së Nazaretit, dhënë kumtit, që i solli engjëlli, më mbush me besim. Është një histori, që për sytë njerëzorë duket krejt pa rrugëdalje, nё tё shohim rikthimin e amshuar në horizontin e historisë. Po nuk më mjafton vetëm të mendoj për misterin e pashqyrtueshëm, që përvujtëria e saj të më mahnisë: duhet të përsëris edhe unë atë ‘po’, sot, përmes hirit të saj, për t’u përfshirë në krijimin e ri, këtu, në të sotmen, në vendin ku banoj

R.SH. – Vatikan

Festa e Zojës së Papërlyer! Ajo  ‘po’ e Marisë, vashës së Nazaretit, dhënë kumtit, që i solli engjëlli nga qielli, më mbush me besim.

Në një histori, që për sytë njerëzorë duket krejt pa rrugëdalje, shohim rikthimin e amshuar në horizontin e historisë. Një ‘po’ hap portat e qiellit. Rilind, atëherë, shpresa e fortë, falë një Vashe të përvuajtur e të thjeshtë. Gatishmëria e të varfërve bëhet udhë mbretërore, konkretizim i hyjnores, përmbysje horizonti: qielli bëhet tokë, që toka të takohet me qiellin.

Nuk më mjafton vetëm të mendoj për misterin e pashqyrtueshëm, që përvujtëria e saj të më mahnisë: duhet të përsëris edhe unë atë ‘po’, sot, përmes hirit të saj, për t’u përfshirë në krijimin e ri, që e ka zanafillën këtu, në të sotmen, në vendin ku banoj, ndërmjet njerëzve, që i njoh e për ata, që do t’i takoj në të ardhmen…

“Me pritë: paskajore e foljes me dashtë! Madje, në fjalorin e Marisë, me dashtë të paskajshmen! Shenjtja Mari, vashë gjithnjë për udhë, sa dëshirojmë të të përngjajmë në vrapin tonë dihatës. Jemi shtegtarë, si ti, e nganjëherë, në çantën e shtegtarit, na mungon harta e udhës, për të na e shtjelluar shtegun. Shijen e jetës sonë të përditshme, jepnae neve sot! E shtigjet tona qofshin si tuajat, mjet komunikimi me njerëzit e jo izolantë, që sigurojnë vetminë tonë, të patrazuar nga britmat e botës.

Merrna për dore e, në se shikon se lëkundemi buzë honit, ndalnae hapin, o e ëmbla Samaritane, për të na i lyer plagët me vajin e ngushëllimit e verën e shpresës. E pastaj, përcillna rishtas për udhë. Nga mjegullat e këtij shekulli plot me lot, ku mëkatnojmë tash e në fill të mortjes sonë, premto t’i lartojmë sytë kah malet, prej nga na vjen shpëtimi. E atëherë, në shtigjet tona, do të jehojë ngazëllimi i Magnificat. E zemrat tona do të madhërojnë Zotin, si në atë ditë të largët pranvere, kur ti shkelje, duke kënduar, mbi shtigjet malore të Judesë.

(Don Tonino Bello)

08 dhjetor 2021, 13:07