Shenjtorё e javёs 28 nёntor – 5 dhjetor
R.SH. – Vatikan
E diel 28 nёntor, Kisha katolike e ritit romak fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të Dielën e Parë të Kohës së Ardhjes, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik. Nis, kёshtu, përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht. Në Ungjillin e kёsaj sё diele, Jezusi na mëson të përgatitemi për ta pranuar farën e Jetës Hyjnore. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëzore, nuk i mungojnë njeriut, që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.
Gjithnjё më 28 nëntor, kalendari Kishtar përkujton shën Jakun e Markeve, meshtar françeskan.
Të hënën më 29 nëntor, bie përkujtimi i shën Saturninit martir, i shën Frederikut e i të Lumit Dioniz të Lindjes së Krishtit. Eja o Zot Jezus! T’i lirojmë zemrat nga gjithçka i rëndon.
Të martën më 30 nëntor, kalendari kishtar pёrkujton shën Andreun, apostull. Sipas ungjilltarëve, ai është i pari i thirrur nga Jezusi, së bashku me të vëllain, Simon Pjetrin. E kujtojmë se shën Andreu Apostull është edhe njëri ndër ungjillëzuesit e shqiptarëve, pra, njëri prej atyre që solli Ungjillin në trevat shqiptare. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.
Të mërkurën më 1 dhjetor, kalendari kishtar pёrkujton shën Eligjin, ipeshkëv i Lionit, shën Naumin, profet e tё Lumin Charles de Foucauld. Liturgjia e ditёs na kujton se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.
Të enjten më 2 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Bibianёn, matronë romake, shën Pimenin, martir e shën Silvestrin, papë. Liturgjia e ditës na sjell thirrjen e Psalmistit drejtuar Hyjit: ‘Eja, o Zot, mbret i drejtësisë e i paqes”.
Të premten më 3 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Françesk Saverin, meshtar jezuit, apostull i Indisë, pajtor i misioneve. Liturgjia e ditёs na kujton se kumtimi ynë i krishterë bëhet i besueshëm, kur e dëshmojmë Krishtin në çdo çast të jetës sonë. Dëshmi, jo fjalë, kërkon nga ne Zoti që vjen!
Të shtunën më 4 dhjetor, kalendari përkujton shën Gjon Damashenin, meshtar e dijetar i Kishës e shën Barbarën, martire. Liturgjia e ditёs na fton jo vetëm t’i dëgjojmë fjalët e Jezusit, por sidomos t’i zbatojmë në gjestet e jetës së përditshme.
Të dielën e ardhshme mё 5 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Ddielën e Dytë të kohёs liturgjike tё Ardhjes, po më 5 dhjetor, kalendari kishtar pёrkujton shën Sabën abat. Liturgjia e ditёs na fton të jetojmë me bindjen se kushti kryesor për ta përhapur praninë e Zotit në jetёn dhe nё botë, është të besosh me gjithë zemër në Të.